Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kritikuar ashpër qëndrimin e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Gjini ka thënë se një pjesë e deputetëve dhe votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje nuk ndihen mirë me situatën e krijuar pas dënimeve në Hagë dhe ka kërkuar, siç u shpreh, më shumë sinqeritet politik në mbrojtje të luftës së Kosovës për liri. “Unë besoj që edhe një pjesë e madhe, serioze, e deputetëve të VV-së, e votuesve të VV-së, nuk ndihen mirë me këtë që ka ndodhë. Nuk kam qysh mos me besu që ata njerëz e kuptojnë çka ka ndodhur. Jam i bindur që një pjesë e madhe që e kuptojnë situatën, votuesit dhe deputetët. Duhet me pas më shumë sinqeritet në këtë pjesë”, ka deklaruar Gjini. Ai e ka cilësuar si të dhimbshme heshtjen institucionale pas aktgjykimit, duke iu referuar në mënyrë të veçantë ministres Donika Gërvalla dhe qëndrimeve të saj të mëhershme politike ndaj udhëheqësve të luftës, përfshirë kryetarin e nderit të Aleancës, Ramush Haradinajn. Gjini ka kritikuar edhe deklaratat e mëparshme të Gërvallës ndaj familjes Haradinaj, duke thënë se qëndrimi i saj aktual, sipas tij, është veçanërisht i dhimbshëm në rrethanat e krijuara pas vendimit të Hagës. “Si person nuk kam kurrfarë respekti për Donika Gërvallën, është çika e Jusuf Gërvallës, po nuk është Jusuf Gërvalla. Është e dhimbshme mos me e thanë një fjalë”, ka thënë Gjini. Ai ka ngritur gjithashtu pyetjen se si duhet parë fakti që udhëheqësit e luftës së Kosovës janë dënuar me dënime më të larta sesa disa prej udhëheqësve serbë të periudhës së luftës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
