Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjet që lidhen me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë, duke thënë se vendimi, sipas tij, ka konfirmuar qëndrimet e PDK-së gjatë kësaj periudhe. Gruda ka deklaruar se Kushtetuta është shkelur për shkak se Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit 30-ditor, ndërsa ka theksuar se afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, sipas interpretimit të tij të vendimit, ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Ai ka akuzuar LVV-në se po tenton t’i zhvendosë afatet kushtetuese sipas interesit politik dhe ka kërkuar që të zgjidhet edhe nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, pozitë që, sipas tij, nuk mund të anashkalohet. “Tani kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar: për t’i miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, për ta zgjedhur Presidentin e Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja. Koha është e kufizuar dhe përgjegjësia tashmë është e qartë”, ka shkruar Gruda. Vendimi i Kushtetueses, sipas tij, rikthen në qendër parimin se afatet kushtetuese nuk mund të varen nga vullneti politik dhe se Kushtetuta nuk duhet të përshtatet sipas interesave të momentit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
