Bilall Sherifi ka reaguar për zhvillimet e fundit pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së dhe debatit të rikthyer për themelimin e Gjykatës Speciale, duke vënë në qendër të reagimit të tij përgjegjësinë politike të atyre që dikur e kundërshtonin këtë mekanizëm, por më pas morën pushtetin. Sherifi, i cili thotë se edhe vetë ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, ka kujtuar se NISMA Socialdemokrate, në kohën kur ai ishte sekretar i përgjithshëm, kishte kundërshtuar publikisht krijimin e saj përmes shkrimeve, intervistave dhe debateve televizive. Ai ka thënë se koha, sipas tij, u dha të drejtë në shumëçka atyre që e kundërshtuan Specialen, por shtoi se kjo nuk mjafton për t’i shmangur përgjegjësitë që lindin kur një subjekt politik kalon nga opozita në pushtet. “Po, koha u dha të drejtë, në shumëçka, atyre që e kundërshtuan! Por, aq sa kemi të drejtë t’u themi atyre që e votuan: ‘Ju e votuat, tash mbylleni gojën’, po aq të drejtë kanë ata që e votuan t’u thonë atyre që atëherë ishin kundër, por tash janë në pushtet: ‘Po, nga opozita ishit kundër. Por çfarë bëtë këto gjashtë vite, kur ishit në pushtet, për t’i shmangur dëmet që thoshit se do t’i sillte kjo Gjykatë?’”, ka shkruar Sherifi. “Kur ndryshon pozita, ndryshojnë edhe mundësitë për të vepruar. E bashkë me to ndryshon edhe përgjegjësia!”, ka theksuar Sherifi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
