PDK kundërshton RTK-në: “Kërkojmë lirimin e plotë, jo uljen e dënimeve”

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj një raportimi të RTK-së në edicionin qendror të lajmeve, duke e cilësuar si të pavërtetë dhe fyes formulimin se PDK-ja kërkon “uljen e dënimeve për krerët e UÇK-së”. Në njoftimin për media, PDK-ja thotë se e ka kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe se qëndrimi i saj është për lirimin e plotë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për angazhim të plotë të shtetit për t’u siguruar atyre mbrojtjen më të mirë të mundshme gjatë procesit të apelit. “Kësaj i shërben edhe nisma jonë ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thuhet në reagim. PDK-ja e ka cilësuar të papranueshëm paraqitjen e kërkesës së saj për drejtësi dhe lirim të plotë si kërkesë për ulje dënimesh, duke ngritur shqetësime për politikën redaksionale të transmetuesit publik. “Një raportim i tillë ngre shqetësime serioze për politikën redaksionale të transmetuesit publik dhe krijon përshtypjen e një shtrembërimi me prapavijë politike”, thuhet në reagim. Në fund, PDK-ja ka kërkuar nga RTK-ja korrigjimin e menjëhershëm të kronikës, sqarimin e qëndrimit të saj dhe kërkimfalje publike për raportimin.

Kontrolloni gjithashtu

Masakra e Gollubovcit

28 civilë shqiptarë u vranë nga forcat serbe më 26 shtator 1998 në Gollubovc dhe Pllaqicë

Më 26 shtator 1998, në Komunën e Malishevës, forcat serbe vranë dhe ekzekutuan 28 civilë …