Mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Gjermani po organizon tubime në mbështetje të ish-udhëheqësve dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me kërkesën për procese transparente dhe trajtim të drejtë të zhvillimeve që lidhen me ta. Në Austin të Teksasit, tubimi është planifikuar të mbahet para ndërtesës së parlamentit shtetëror, pranë Texas Capitol Building, duke nisur në orën 13:00 sipas kohës lokale, përkatësisht në orën 20:00 sipas kohës së Kosovës. Pjesëmarrje është organizuar edhe nga shqiptarët që jetojnë në Houston, të cilët janë bashkuar në grupe për të udhëtuar drejt Austin për këtë aktivitet. Organizimi i mërgatës nuk është kufizuar vetëm në Shtetet e Bashkuara, pasi thirrjes së lëvizjes “LIRIA KA EMËR” u janë bashkuar edhe shqiptarë që jetojnë në Gjermani. Aktivisti Shqiptar Gubetini ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale se komuniteti shqiptar në rajonin e Bavarisë po i bashkohet kësaj nisme, duke theksuar lidhjen e vazhdueshme të mërgatës me Kosovën dhe çështjet që lidhen me të. “BAVARIA NË KËMBË PËR LIRINË!”, ka deklaruar Gubetini.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
