Ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, ka propozuar një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe partive të tjera, duke e cilësuar atë si një nevojë për unitet dhe drejtim të përbashkët shtetëror në një periudhë të rëndësishme për Kosovën. Përmes një postimi, Mustafa ka kërkuar hapjen e një dialogu ndërmjet forcave politike për një marrëveshje që, sipas tij, duhet të ndërtohet mbi interesat themelore të Republikës së Kosovës. Ai ka renditur tri shtylla mbi të cilat, sipas tij, duhet të mbështetet ky angazhim: uniteti politik dhe qetësimi i brendshëm, mbështetja juridike dhe angazhimi diplomatik. Në planin diplomatik, ai kërkon një veprim të koordinuar ndërkombëtar për paraqitjen, siç shprehet, me argumente të historisë së Kosovës dhe UÇK-së dhe avancimin e interesave të Republikës. Mustafa ka theksuar gjithashtu rëndësinë e forcimit të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin, duke e konsideruar këtë një orientim të përbashkët për forcat politike. “Ky nuk është vetëm një bashkim rreth një momenti. Është një mundësi për të ndërtuar një marrëveshje politike me përgjegjësi, objektiva dhe drejtim të qartë për Kosovën”, ka shkruar Mustafa. Në fund, ai u ka bërë thirrje VV-së, PDK-së dhe partive të tjera që të ulen në një tryezë të përbashkët për të diskutuar një marrëveshje politike, të cilën e ka emërtuar “Koalicion i Madh për Kosovën”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
