Dëshmitari rrëfen tmerrin në burgun e Lipjanit: “Na provokonin duke thënë se Millosheviqi kishte fituar”

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj Boban Toniq, ish-gardian i burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Para trupit gjykues ka dëshmuar ish-i burgosuri Rrahman Olluri, i cili ka rrëfyer për 33 ditët që, sipas dëshmisë së tij, i kishte kaluar në kushte të rënda në burgun e Lipjanit. Olluri ka deklaruar se të burgosurit flinin në beton, pa batanije dhe pa kushtet elementare, ndërsa ka thënë se gardianët i provokonin duke u thënë se lufta kishte përfunduar dhe se “Sllobodan Millosheviqi ka fituar”. Ai ka treguar se gardianët hynin herë pas here në dhoma dhe se të burgosurit që ngrinin kokën gjatë hapjes së dyerve, sipas tij, rriheshin rëndë. Dëshmitari ka rrëfyer edhe atë që, sipas tij, kishte parë nga dritarja e qelisë, ku të burgosur të transferuar nga Dubrava kalonin nëpër një kordon të policëve dhe gardianëve dhe goditeshin me shufra metalike, mjete druri, shkopinj gome, shqelma e grushte. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Toniq akuzohet se në bashkëkryerje me ish-gardianë të tjerë ka keqtrajtuar dhe torturuar në mënyrë sistematike të burgosur shqiptarë gjatë luftës. Rasti është ende në shqyrtim gjyqësor dhe dëshmitë e paraqitura në seancë janë pjesë e procesit gjyqësor, ndërsa përgjegjësia penale e të akuzuarit do të përcaktohet nga gjykata.

Kontrolloni gjithashtu

Presidenti i Kosovës ende pa emër, partitë kanë vetëm shtatë ditë për marrëveshje

Partitë parlamentare në Kosovë ende nuk kanë bërë publik ndonjë kandidat të ri për president, …