Përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, ka bërë të ditura detajet për marshin e 1 tetorit në Prishtinë, duke theksuar se pjesëmarrja nuk është e kufizuar në parti apo organizata të caktuara, por u drejtohet të gjithë qytetarëve. Tasholli tha se ftesa u është bërë edhe liderëve të partive politike, duke vlerësuar se slogani “UÇK-ja na bashkon” duhet të reflektohet jo vetëm në mobilizimin qytetar, por edhe në qëndrimet dhe veprimet institucionale. Sipas tij, edhe në tri marshimet e mëparshme partitë politike u kanë bërë thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të tyre për pjesëmarrje, ndërsa pret që e njëjta të ndodhë edhe këtë herë. Ai e konsideroi aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si çështje që, sipas tij, prek Kosovën në tërësi dhe jo një subjekt politik apo organizatë të veçantë. Tasholli paralajmëroi gjithashtu se mungesa e reagimit institucional ndaj kërkesave të qytetarëve mund të krijojë, siç u shpreh ai, një hendek ndërmjet qytetarëve dhe pushtetit. Ai e cilësoi protestën si një nga mekanizmat përmes të cilit qytetarët shprehin qëndrimin e tyre dhe kërkojnë përgjegjësi nga institucionet.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
