Burim Ramadani: Aleanca nuk negocion, gjashtë pikat janë të qarta – tash po diskutohet vetëm “fotografia”

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka thënë se AAK-ja nuk është pjesë e negociatave për çështjet institucionale, duke përsëritur se gjashtë pikat e propozuara nga kjo parti janë të qarta dhe nuk janë objekt i ndonjë procesi të ri negociues. Pas mbledhjes së Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Ramadani foli edhe për nevojën e mbikëqyrjes parlamentare ndaj institucioneve të sigurisë, duke theksuar se një mbikëqyrje e tillë është e domosdoshme për funksionimin institucional. “Si Aleancë shpresojmë që ky mandat të vazhdojë, sepse institucionet civile dhe ato të sigurisë të kenë mbikëqyrje parlamentare është e domosdoshme. Tashmë jemi bërë gati një vit që s’ka mbikëqyrje të vazhdueshme parlamentare”, tha Ramadani. Ai shprehu shqetësim për zhvillimet e ardhshme politike, duke thënë se nuk është optimist për shkak të, siç u shpreh, “politikave edhe të qëllimeve jo të mira politike” të pushtetit aktual. Duke komentuar paralajmërimet e kryeministrit Albin Kurti për nisjen e bisedimeve me partitë politike, Ramadani tha se qëndrimi i AAK-së mbetet i pandryshuar. Sipas tij, gjashtë pikat e propozuara nga Aleanca më 26 qershor nuk janë pjesë e ndonjë negociimi të ri. “Aleanca nuk është pjesë e çfarëdo lloj negociimi, sepse i kemi pasur tepër të qarta”, deklaroi ai. Ramadani tha se diskutimi përmbajtësor tashmë është zëvendësuar me atë që ai e cilësoi si çështje të “formës” dhe “fotografisë”, duke lënë të kuptohet se për Aleancën nuk është në diskutim përmbajtja e gjashtë pikave, por mënyra se si po zhvillohet procesi politik. “Sa për fotografi, ne i bëjmë fotografitë me qytetarët dhe jo me këtë”, tha Ramadani.

Kontrolloni gjithashtu

Endrit Thaçi i drejtohet babait nga protestat: “Kosova të don, ti e din”

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar përmes një postimi në …