Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka kërkuar votimin pa vonesë të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar vazhdimin e protestave deri në përmbushjen e kësaj kërkese. Pas aksionit të zhvilluar para Qeverisë së Kosovës, Haziri ka bërë thirrje që secili deputet të pajiset me një kopje të projektligjit dhe një uniformë të UÇK-së. “Kërkesa jonë është e qartë: VOTOJENI LIGJIN! Asnjë arsyetim e asnjë vonesë nuk e pranojmë. Do të dalim çdo ditë e çdo natë derisa kërkesa jonë të plotësohet”, ka shkruar Haziri. Ai ka pretenduar se votimi i projektligjit do të jetë një moment përcaktues për qëndrimin e deputetëve ndaj UÇK-së. “Me këtë votim ndahet historia, në ata që ishin me UÇK-në dhe ata që ishin kundër”, ka deklaruar Haziri. Haziri ka paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri në votimin e projektligjit, duke e bërë këtë kërkesë pikën kryesore të mobilizimit të protestuesve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
