Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, i është përgjigjur ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pas deklaratës së saj se zgjedhja e presidentit është më e rëndësishme sesa votimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Çitaku ka thënë se përcaktimi i prioriteteve duhet të reflektojë kërkesat e qytetarëve, duke iu referuar protestave të organizuara gjatë 17 ditëve të fundit në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“UÇK-ja është mbi çdo temë e çdo prioritet! Prioritetet i përcakton populli. Dhe populli ka 17 ditë në rrugë për një arsye: UÇK-në. Dëgjojeni zërin e tij. Silleni ligjin në Kuvend dhe votojeni pa vonesë! Mos bëni politikë. Merrni, për një herë të vetme, vendime në interes të shtetit! JO NË EMRIN TIM!”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Haxhiu, ndërkaq, ka deklaruar se çështja e zgjedhjes së presidentit nuk duhet të lidhet me projektligjin e PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ajo ka thënë se pas zgjedhjes së presidentit do të mund të trajtohet edhe kjo nismë ligjore, së bashku me kërkesën e Kuvendit për hartimin e një strategjie të përbashkët institucionale.
Sipas Haxhiut, një strategji e tillë do të duhej të përfshinte institucionet e vendit, ekspertë të fushës dhe ekipet mbrojtëse, me synimin për të mbështetur procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit.
Ajo ka shprehur gjithashtu qëndrimin se duhet shmangur ndërmarrja e nismave që, sipas saj, mund të mos prodhojnë rezultat konkret në proceset gjyqësore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
