Aktivisti Rron Kafegjolli: Votojeni ligjin, koha e arsyetimeve ka mbaruar

Iniciativa “Jo në emrin tim” ka zhvilluar të premten një aksion simbolik para Ministrisë së Drejtësisë, ku protestuesit kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së. Aktivisti Rron Kafegjolli ka deklaruar se qytetarët tash e 17 ditë po protestojnë për miratimin e këtij ligji, ndërsa sipas tij, institucionet nuk kanë më hapësirë për vonesa. “Jemi këtu sot, para Ministrisë së Drejtësisë, sepse koha e arsyetimeve ka skaduar”, ka thënë Kafegjolli. Ai i është referuar deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti, sipas të cilit projektligji është duke u mbajtur në procedura brenda Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave. Kafegjolli ka kritikuar ministren Donika Gërvalla dhe ministrin Hekuran Murati, duke kërkuar që institucionet të veprojnë në përputhje me kërkesat e protestuesve. “Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyre! Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së, dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, është shprehur ai. Duke iu referuar 6 tetorit, Kafegjolli ka paralajmëruar se protestuesit do të vazhdojnë ta përcjellin veprimtarinë e institucioneve dhe ka kërkuar nga Qeveria që të ndërmarrë hapa konkretë për procedimin e ligjit. “Qeveria duhet ta dijë se rinia po i vëzhgon dhe 6 tetori po afron me shpejtësi. Mos e provokoni durimin tonë!”, ka deklaruar ai. Në fund, Kafegjolli u ka bërë thirrje institucioneve që ta dëgjojnë kërkesën e qytetarëve dhe të veprojnë për miratimin e ligjit.

Kontrolloni gjithashtu

Daut Haradinaj kritikon organizimin e protestës dhe kërkon mobilizim më 6 tetor

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar pas protestës së djeshme në Prishtinë, duke e …