Ivan Anushiç: Serbia po armatoset intensivisht prej një dekade

Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiç, ka përdorur një gjuhë edhe më të drejtpërdrejtë gjatë konferencës ndërkombëtare për industrinë e mbrojtjes në Zadër. Anushiç deklaroi se Kroacia është e vetëdijshme për atë që ai e përshkroi si një proces rreth dhjetëvjeçar të armatosjes intensive të ushtrisë serbe me sisteme moderne dhe me kapacitete të avancuara ushtarake. Ai kritikoi gjithashtu retorikën e Beogradit, të cilën e cilësoi si “sulmuese” dhe “armiqësore”, duke e lidhur atë me retorikën politike të viteve ’90 dhe me konfliktet e armatosura në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë. Në deklaratën e tij, Anushiç iu referua edhe raportimeve për raketat kineze CM-400AKG, të cilat janë parë të integruara në avionët serbë MiG-29. Vlerësimet publike për rrezen e tyre ndryshojnë, ndërsa disa raportime përmendin deri në rreth 400 kilometra. Serbia nuk ka konfirmuar publikisht të gjitha detajet lidhur me këto sisteme. Sipas ministrit kroat, zhvillime të tilla kanë ndikuar në vendimin e Zagrebit për të përshpejtuar forcimin e kapaciteteve të veta mbrojtëse. Kroacia, tha Anushiç, synon të rikthejë ekuilibrin e kapaciteteve ushtarake në rajon dhe të thellojë bashkëpunimin me aleatët. Në këtë kuadër, ai përmendi edhe Kosovën dhe Shqipërinë si partnerë të rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal të sigurisë. Deklaratat e krerëve të mbrojtjes në Zagreb vijnë në një periudhë kur edhe Kroacia ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për modernizimin e forcave të saj të armatosura, përfshirë vendimin për blerjen e 18 sistemeve raketore koreano-jugore K239 Chunmoo me raketa me rreze të gjatë veprimi.

Kontrolloni gjithashtu

Daut Haradinaj kritikon organizimin e protestës dhe kërkon mobilizim më 6 tetor

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar pas protestës së djeshme në Prishtinë, duke e …