Rritja e investimeve të huaja direkte dhe krijimi i një klime më të favorshme për bizneset kanë qenë në qendër të takimit ndërmjet ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, dhe nënkryetarit të Këshillit të Investitorëve Evropianë, Visar Paçarada. Në takim është diskutuar për përpjekjet e Këshillit të Investitorëve Evropianë për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë. Fokusi ka qenë veçanërisht te dialogu me Qeverinë e Kosovës, investitorët nga vendet e Bashkimit Evropian dhe EFTA-s, si dhe krijimi i kushteve që mund të nxisin investime të reja dhe zgjerimin e aktiviteteve të kompanive ekzistuese. Zyra e BE-së në Kosovë ka vlerësuar se bashkëpunimi i qëndrueshëm ndërmjet institucioneve publike dhe komunitetit të biznesit është thelbësor për përmirësimin e klimës së investimeve dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ambasadori Schuebel ka theksuar ndërkohë rolin e Bashkimit Evropian në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Sipas tij, BE-ja ka ofruar më shumë se 3.7 miliardë euro ndihmë financiare për Kosovën që nga viti 1999, duke e bërë atë ofruesin më të madh të mbështetjes financiare për vendin.“Me 3.7 miliardë euro ndihmë financiare të ofruar për Kosovën që nga viti 1999, BE-ja mbetet ofruesi më i madh i ndihmës financiare për Kosovën, duke mbështetur zhvillimin e saj dhe duke kontribuar në rritjen e saj ekonomike”, ka deklaruar Schuebel. Takimi zhvillohet në një periudhë kur tërheqja e kapitalit të huaj dhe përmirësimi i kushteve për investitorët mbeten ndër sfidat kryesore të ekonomisë së Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
