Këshilli Prokurorial i Kosovës ka publikuar vendimin e plotë dhe arsyetimin për shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. Në dokumentin e KPK-së ngrihen dyshime serioze për mënyrën se si janë ndarë dhe menaxhuar disa raste të ndjeshme hetimore gjatë kohës së udhëheqjes së Isufajt. Sipas arsyetimit, shqetësimi kryesor lidhet me praktikën e ndarjes manuale të lëndëve dhe caktimit të prokurorëve. KPK-ja vlerëson se kjo praktikë mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në drejtimin dhe rezultatin e hetimeve, veçanërisht në rastet që lidhen me korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar. Këshilli Prokurorial thekson se ndarja elektronike dhe e rastësishme e lëndëve nuk është vetëm një procedurë teknike. Ajo paraqet një mekanizëm institucional për të shmangur ndikimin e individëve në përcaktimin e prokurorit që do të merret me një rast të caktuar. Në rastin e Prokurorisë Speciale, rëndësia e këtij mekanizmi është edhe më e madhe, për shkak të natyrës së rasteve që kjo prokurori trajton. Sipas KPK-së, kontrolli i drejtpërdrejtë njerëzor mbi ndarjen e lëndëve, pa kritere objektive dhe pa arsyetim të mjaftueshëm, ka cenuar parimet e paanshmërisë, transparencës dhe integritetit institucional. Në vendim thuhet gjithashtu se kjo praktikë ka sjellë shpërndarje të pabarabartë të ngarkesës së punës ndërmjet prokurorëve dhe ka krijuar perceptim për trajtim jo të barabartë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
