Nuk duhet të vetëngushëllohemi se pati ndonjë reagim spontan nga ndonjë qytetar!
As nuk duhet të vetëkënaqemi pse iu lëshua muzikë shqipe!
Shtrohet pyetja: Ku ndodhet shteti? Ku janë strukturat shtetërore, AKI-ja, Policia dhe strukturat e tjera të sigurisë?
Ai nuk mbiu nga toka e as zbriti nga qielli; erdhi pa u penguar, pa u verifikuar, pa u kontrolluar, me eskortën e truprojave të armatosur! Hyri në Kosovë si në livadhin e babës, bëri shëtitje, la edhe porosi dhe u tregoi botërisht shqiptarëve dhe botës se Prizreni është qytet i Serbisë, i Car Dushanit! Gjë që as Dushani nuk ka mundur ta bëjë këtë; pas shumë përpjekjesh, ka arritur ta emërtojë një lagje para se të hyjë në Prizren – Dushanovo!
Serbë të shumtë hyjnë në Kosovë, bëjnë video me flamurin e tyre dhe publikojnë video të ndryshme me deklarata se “këtu është Serbi”, “Kosova është e Serbisë” e të tjera. “Kurdoherë ne kemi me e pushtu me ushtrinë tonë, ky vend është Serbi!”
Kurse deklaratat publike të mediave dhe të personaliteteve shtetërore të Kosovës thonë se ata i kanë për zgjedhjet e tyre këto veprime e deklarime!
O qeveritarë e struktura qyqare, ky është kërcënim i sovranitetit, shkelje e territorit nga armiqtë, përhapje e urrejtjes dhe kërcënim i hapur!
Doni ta mbroni Kosovën apo jo? Tregoni, së paku, që ta dimë ne qytetarët e të vetorganizoheni e të vetëmbrohemi! Daçiqi u thoshte popullit: “Jam i lindur këtu.” Ata të suitës së tij, a ishin edhe ata të lindur në Kosovë? Po, po, edhe të ishte shqiptari armik i Kosovës, duhet arrestuar!
Së paku, t’i shpallni non grata këta armiq të Kosovës dhe të lëshoni fletarrestim, nëse hyjnë ndonjëherë tjetër në Kosovë, që të arrestohen!
Jemi apo jo shtet, o pushtetarë të mjerë?!
Do të thoni: “S’kanë çka bëjnë, ne jemi tolerantë, jemi në demokraci dhe duam të hyjmë në Evropë.” Nëse rruga për të hyrë në Evropë kalon nëpër Serbi, Evropa qenka ferri i shqiptarëve!
I bëj thirrje popullit tim të zgjohet nga kjo amnezi e rëndë, derisa nuk është vonë, ta marrim ne, populli, fatin në dorë dhe ta bëjmë bashkimin kombëtar; të mos presim nga zuzarët e karrigeve të ngrohta!
Rroftë populli i lirë dhe i ribashkuar në një Shqipëri!
12 tetor 2026
Sadik Halitjaha
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
