OVL-UÇK për Trendafilovën: Arrogancë t’i mbash leksione Kuvendit, Specialja s’ka pushtet mbi institucionin që e themeloi

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar ashpër ndaj kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, duke e akuzuar për arrogancë ndaj Kuvendit të Kosovës dhe duke vënë në pikëpyetje qëndrimet e saj për sundimin e ligjit. Në reagimin e saj, OVL-UÇK thekson se ligjet në Kosovë miratohen nga Kuvendi dhe se Dhomat e Specializuara u krijuan pikërisht nga ky institucion, prandaj, sipas organizatës, nuk mund të pretendojnë pushtet mbi institucionin që i themeloi. “Trendafilova duhet ta dijë se t’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, përderisa e trajton interpretimin personal si të padiskutueshëm, është arrogancë”, thuhet në reagim. OVL-UÇK ka mbrojtur gjithashtu të drejtën për të kritikuar vendimet gjyqësore, duke theksuar se kjo e drejtë nuk do të braktiset. Organizata ka kundërshtuar atë që e konsideron ndërhyrje të gjykatës në interpretimin e historisë së luftës çlirimtare. “Lirinë e Kosovës e fituan ata që u ngritën kundër gjenocidit, dhe shtetësia e Kosovës qëndron mbi sakrificën e tyre”, thuhet në deklaratë. Në fund, OVL-UÇK ka drejtuar kritika të rënda ndaj punës së Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se në veprimtarinë e tyre kanë munguar dinjiteti dhe profesionalizmi.

Kontrolloni gjithashtu

Përparim Gruda: Gjykata Speciale nuk mund të zgjedhë cilin ligj ta zbatojë, ligjet i miraton Kuvendi

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se Gjykata Speciale nuk mund të zgjedhë vetë …