Shqipëria dërgon kontingjentin e parë të helikopterëve në misionin e KFOR-it në Kosovë

Kontingjenti i parë i helikopterëve nga Shqipëria do t’i bashkohet misionit të NATO-s, KFOR, në Kosovë, duke zgjeruar kontributin e Forcave të Armatosura Shqiptare në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Në Bazën Ajrore të Farkës është zhvilluar ceremonia e përcjelljes së 13 efektivëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, të cilët do të shërbejnë në kuadër të këtij misioni në bazën ushtarake amerikane “Bondsteel”, në Kosovë. Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, e cilësoi këtë angazhim si dëshmi të profesionalizmit të ushtarakëve shqiptarë dhe të përkushtimit të vendit ndaj përgjegjësive që ka si anëtar i NATO-s. Ai theksoi se ky mision ka rëndësi të veçantë për Shqipërinë, jo vetëm për shkak të lidhjeve historike dhe vëllazërore me Kosovën, por edhe sepse siguria e Kosovës është e lidhur drejtpërdrejt me paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Nufi rikonfirmoi se angazhimi i Shqipërisë në KFOR mbetet i palëkundur, duke theksuar gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë. Sipas tij, kontributi i Forcave të Armatosura Shqiptare shtrihet edhe në operacionet e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara. Në ceremoni morën pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Voci, zyrtarë të tjerë ushtarakë dhe familjarë të efektivëve që do të shërbejnë në këtë mision.

Kontrolloni gjithashtu

Glauk Konjufca në OKB pranon gabimet e aktgjykimit ndaj krerëve të UÇK-së, por kërkon korrigjim në apel

Kryediplomati i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, gjatë mbledhjes …