Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga drejtimi i partisë

Hamza ka bërë të ditur se vendimin ia ka komunikuar Kryesisë së partisë, duke theksuar se anëtarësia do të vendosë për drejtimin e ardhshëm politik të PDK-së. Ai ka kërkuar përfshirje më të madhe të të rinjve dhe krijimin e mundësive që ata të marrin përgjegjësi në strukturat partiake. Ai rikujtoi se, që nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së, ka marrë përsipër përgjegjësi të rëndësishme politike, përfshirë kandidimin për kryetar të Mitrovicës, tri kandidime radhazi për kryeministër dhe udhëheqjen e partisë. Sipas Hamzës, këto përgjegjësi nuk kanë buruar nga ambiciet personale, por nga detyrimi ndaj PDK-së dhe Kosovës. Gjatë udhëheqjes së tij, ai tha se është përqendruar në ruajtjen e unitetit partiak dhe të besimit të anëtarëve e votuesve. Megjithatë, Hamza theksoi se dorëheqja nuk nënkupton largimin e tij nga partia. “Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike”, deklaroi ai, duke shtuar se do të mbetet votues besnik dhe anëtar i kësaj partie. Hamza foli edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur zhgënjimin e tij dhe duke theksuar se përpjekjet për drejtësi dhe zbardhjen e së vërtetës do të vazhdojnë. Në fund, ai falënderoi anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së për përkrahjen, duke nënvizuar se interesi i partisë dhe i vendit duhet të jetë mbi atë personal. “Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, përfundoi Hamza.

Kontrolloni gjithashtu

Daut Haradinaj

Daut Haradinaj godet ashpër Glauk Konjufcën për paraqitjen në OKB: Kosova e poshtëruar, marre!

Daut Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj paraqitjes së Glauk Konjufcës në Këshillin e Sigurimit të …