Mjekja e luftës së UCK-së, aktualisht deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka reaguar ndaj personave që e quajnë “Time Serbia”, duke thënë se sulmet ndaj saj nuk do ta ndalin të flasë si deputete opozitare. Kadrijaj ka treguar se në fillim i kishte përjetuar me indinjatë këto etiketime, duke kritikuar ata që, sipas saj, bien pre e sulmeve dhe fushatave kundër figurave publike. “Unë jam deputete opozitare, unë kam me fol, s’kanë me mundur me më ndal”, ka deklaruar Kadrijaj. Gjatë intervistës, ajo është kthyer edhe te përvoja e saj gjatë luftës në Kosovë, kur shërbeu si mjeke në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke u përballur me kushte tejet të vështira për trajtimin e ushtarëve të plagosur. Kadrijaj ka rrëfyer një nga rastet më të rënda që i kujtohet nga ajo kohë, kur një ushtari, sot invalid i luftës, iu desh të amputohej dora për t’ia shpëtuar jetën, për shkak të gjakderdhjes së madhe dhe mungesës së kushteve mjekësore. “Ekipi mjekësor është dashur me zgjedhë me ia këputë dorën për me ia shpëtu jetën”, ka treguar ajo, duke përshkruar një realitet lufte në të cilin mjekët detyroheshin të merrnin vendime të rënda, pa pajisjet dhe mjetet e nevojshme. Ajo ka treguar se për këtë ndërhyrje ishte improvizuar një sharrë druri, e cila ishte dezinfektuar në flakë për të zvogëluar rrezikun e infeksionit. Sipas rrëfimit të saj, ndërhyrja ishte kryer pa anestezion. Rrëfimi i Kadrijajt rikthen kujtimet e një periudhe kur mjekët e UÇK-së luftonin për të shpëtuar jetë në kushte ekstreme, ndërsa sot ajo përballet me etiketime politike që, sipas saj, nuk do ta pengojnë të vazhdojë angazhimin e saj publik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
