Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, se “flamuri serb do të valvitet mbi Prizren”, duke u bërë thirrje liderëve politikë të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë në stabilitetin rajonal. Një zëdhënës i BE-së i ka thënë Gazetës Express se deklaratat e politikanëve duhet të ndihmojnë në ndërtimin e besimit dhe në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Presim që të gjithë liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë në një mjedis besimi e stabiliteti rajonal, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së. Brukseli ka shprehur gjithashtu keqardhje për faktin se autoritetet serbe ende nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për arrestimin dhe ndjekjen penale të Milan Radoiçiqit, i dyshuar për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023. BE-ja ka ritheksuar se personat përgjegjës për këtë sulm duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore, duke kërkuar nga Serbia bashkëpunim të plotë përmes mekanizmave të vendosur të ndihmës së ndërsjellë juridike. Brukseli ka shprehur shqetësim edhe për raportimet mbi pjesëmarrjen e Radoiçiqit në një tubim parazgjedhor të Partisë Progresive Serbe (SNS), në pushtet në Serbi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
