Mbahet trajnim për Përfaqësuesit Juridik të Komunave

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe me mbështetjen financiare të Minisonit të OSBE-së në Kosovë, organizoi trajnimin dy ditor për Përfaqësuesit Juridik të Komunave.

Trajnimi ishte me fokus në zbatimin e dispozitave të caktuara të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe në çështjet juridike që lindin nga marrëdhëniet kontraktuale ku përfshihen komunat.

Punëtoria trajnuese u realizua nga dy gjyqtarë të deleguar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), z.Shaban Prekalla dhe z.Fiton Haklaj nga Gjykata Themelore, të cilët dëshmuan nivel të lartë të profesionalizmit dhe kompetencës, duke ofruar shpjegime të hollësishme juridike dhe sqarime praktike për situata të ndryshme me të cilat përballen komunat.

Temat e trajtuara përfshinë: lidhjen e kontratave ndërmjet komunave dhe personave fizikë apo bizneseve; zbatimin e kontratës së përgjithshme kolektive; shkëputjen e kontratave nga njëra palë në kontest; përgjegjësinë për mospërmbushjen e detyrimeve kontraktuale; kompensimin e dëmit dhe barrën e të provuarit; si dhe parashkrimin e kërkesave për kthimin e mjeteve financiare.

Përmes prezantimeve profesionale, sqarimeve juridike dhe diskutimit të rasteve praktike, punëtoria kontribuoi në forcimin e njohurive të përfaqësuesve juridik të komunave lidhur me kornizën ligjore në fuqi dhe zbatimin e saj në praktikë.

AKK konsideron shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me Këshillin Gjyqësor të Kosovës duke besuar që ky bashkëpunim të jetë i vazhdueshëm edhe në të ardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

Përfaqësuesit e Komunave të Republikës së Kosovës në sesionin vjeshtor të Kongresit të Pushtetit Lokal dhe Rajonal në Strasburg

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, nënkryetari Imri Ahmeti dhe drejtori ekzekutiv …