Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur me ceremoni të larta ushtarake në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, Gjeneral Majorin Stephen E. Osborn, Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe përkushtimin e tij në avancimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjenerallejtënant Jashari i ndau gjeneralit Osborn Medaljen për Shërbim Vetëmohues. Partneriteti ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, i ndërtuar ndër vite mbi besimin, profesionalizmin dhe vlerat e përbashkëta, përbën një nga shtyllat e rëndësishme të bashkëpunimit strategjik dhe miqësisë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Ky bashkëpunim vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në zhvillimin profesional dhe institucional të FSK-së, duke dëshmuar qëndrueshmërinë e partneritetit amerikan në mbështetje të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
