Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka njoftuar se nesër, më 5 nëntor, në Prishtinë do të mbahet një aktivitet simbolik në shenjë solidariteti me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në gjashtëvjetorin e arrestimit të tyre. Aktiviteti do të zhvillohet në orën 12:00, para Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, ku përfaqësues të tri organizatave të dala nga lufta do të përcjellin mesazhe publike lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë. Syla ka bërë të ditur se, në kuadër të kësaj nisme, i është drejtuar edhe Asociacionit të Komunave të Kosovës, me kërkesën që kryetarët e komunave dhe administratat komunale të organizojnë një aktivitet solidarizues para objekteve komunale, në të njëjtën kohë. Sipas tij, kjo nismë synon të shprehë qëndrimin e organizatave të dala nga lufta dhe qytetarëve ndaj procesit gjyqësor në Hagë, si dhe solidaritetin me ish-krerët e UÇK-së. Përmes këtij aktiviteti, organizatat e dala nga lufta synojnë të përcjellin mesazhin se kërkesa për drejtësi dhe një proces të drejtë gjyqësor mbetet e pranishme edhe gjashtë vjet pas arrestimit të krerëve të UÇK-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
