Isa Ferizaj: Sot u mbushën 82 vjet nga krijimi i Brigadës XXV-Sulmuese të UANÇ-së

Sot u mbushën 82 vjet nga krijimi i Brigadës XXV-Sulmuese të UANÇ-së, më 06 nëntor 1944, me urdhër të kryekomandantit të përgjithshëm dhe kryekomisarit politik të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, kryelegjendarit historik të kombit tonë, Enver Hoxha.

Brigada XXV heroike e UANÇ-së u krijua në qendër të fshatit Tropojë e Vjetër (Malësia e Gjakovës). Kjo brigadë, me partizanët e saj heroikë, shkroi një faqe tjetër nderi, lavdie e krenarie në librin e ndritur të historisë së kombit tonë. Ajo mori pjesë në shumë beteja e luftëra të ashpra çlirimtare, si në Malësinë e Gjakovës, ashtu edhe jashtë saj, si në Gjakovë, Prizren, Mitrovicë e deri në Sanxhak, duke ndjekur armikun nazifashist deri në afërsi të Sarajevës. 105 dëshmorët e rënë për liri nga kjo brigadë heroike janë dëshmia më e gjallë e shpirtit luftarak e liridashës të popullit që i lindi e i rriti në gjirin e vet me traditat më të mira të trashëguara nga brezi në brez.

Brigada XXV-Sulmuese e UANÇ-së është, pa as më të voglin dyshim, krenaria e krenarisë së Tropojës dhe tropojanëve, si edhe e Hasit dhe hasjanëve trima, liridashës e atdhetarë.

Kjo brigadë, me komandantin e saj Veli Niman Doçin, kanë mbetur në kujtesën e tropojanëve dhe të të gjithë shqiptarëve e popujve joshqiptarë që u çliruan prej saj, si dëshmia e vërtetësisë dhe drejtësisë së vlerësimit e besimit të palëkundur të Enver Hoxhës për Tropojën e tropojanët atdhetarë, trima, punëtorë, bujarë, besnikë e liridashës. Tropoja e Mic Sokolit, Bajram Currit, Ram Sadrisë e Tahir Sinanit kurrë nuk do të harrojë dorën e ngrohtë ndaj tyre, të PPSH-së dhe Enver Hoxhës. Tropoja e kuqe si gjaku i derdhur për liri nga 607 dëshmorë e heronj në të gjitha kohërat do ta ruajë si jetën e vet kujtimin e mirënjohjen për epokën enveriane, si epoka që e nxori këtë vend e popull nga errësira në dritë, nga skamja e varfëria në begati e zhvillim, nga gjakmarrja në përbashkimin e pathyeshëm të popullit, nga analfabetizmi në dritën e dijes e të kulturës, nga kthetrat e egra të obskurantizmit fetar e të zakoneve prapanike, në emancipimin e thellë shoqëror.

Lavdi e përjetshme, organizatores, frymëzueses, udhëheqëses drejt jetës së re e drejt ngjitjes sonë në kryemajat e lavdisë, PKSH-PPSH! Lavdi kryekomandantit legjendar të UANÇ-së shqiptare, fitimtarit të të gjitha betejave e luftërave, shokut Enver Hoxha! Lavdi Brigadës XXV-Sulmuese Partizane Fitimtare! Lavdi dëshmorëve e heronjve të Tropojës kreshnike! Poshtë tradhtia dhe tradhtarët!

Kontrolloni gjithashtu

Më 8 tetor 1912, filloi Lufta e parë Ballkanike midis Perandorisë Osmane dhe Lidhjes Ballkanike, që shkatërroi trojet shqiptare

Më 8 tetor të vitit 1912, filloi  Lufta e parë Ballkanike midis Perandorisë Osmane dhe …