Ariana Musliu-Shoshi

Ariana Musliu-Shoshi: Kosova e fundit në rrugën drejt BE-së, kërkesa për anëtarësim vazhdon të mbetet në sirtarë

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar Qeverinë për ngecjen e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke thënë se vendi ka mbetur prapa shteteve të tjera të rajonit dhe se kërkesa për anëtarësim në Bashkimin Evropian vazhdon të mos ketë lëvizje. Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohet Raporti i Progresit i BE-së për Kosovën, Musliu-Shoshi ka ngritur çështjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian, zvarritjes së procesit të anëtarësimit dhe mungesës së rezultateve konkrete në zbatimin e agjendës evropiane. Ajo ka rikujtuar se kanë kaluar rreth dhjetë vjet nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe katër vjet nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, ndërsa kërkesa ende nuk ka marrë përgjigje konkrete. “Jemi shteti i vetëm që ka qenë nën sanksione nga BE-ja për më shumë se një vit. Janë bërë rreth dhjetë vjet që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe LVV-ja e ka kundërshtuar ashpër. Janë bërë katër vjet që kur Kosova e ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në BE dhe ajo ka mbetur në sirtarë”, ka deklaruar ajo. Sipas deputetes së PDK-së, orientimi evropian i qytetarëve dhe shoqërisë kosovare është i qartë, por ajo që mbetet e paqartë është angazhimi dhe veprimet konkrete të Qeverisë për ta avancuar këtë proces. Musliu-Shoshi ka vënë kështu në shënjestër përgjegjësinë e ekzekutivit për ngecjen e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.

Kontrolloni gjithashtu

Skenderaj synon themelimin e një dege të Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim

Komuna e Skenderajt po shqyrton mundësinë e themelimit të një dege të Shoqatës së Kosovës …