Iniciativa qytetare “Jo në emrin tim” ka ngritur zërin para zyrave të Bashkimit Evropian në Kosovë, duke kërkuar nga institucionet dhe përfaqësuesit evropianë që të mos heshtin përballë shqetësimeve lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të bashkëakuzuarve të tjerë në Hagë.
Gjatë një aksioni simbolik, Çlirim Haziri, përfaqësues i kësaj iniciative, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të mbrojë në mënyrë të njëjtë parimet e drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe barazisë para ligjit, pa dallime që mund të diktohen nga interesat politike.
Haziri ka theksuar se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e drejta për një gjykim të drejtë dhe parimi i paanshmërisë duhet të zbatohen si standarde universale, të cilat vlejnë për çdo individ dhe në çdo proces gjyqësor.
“Ne nuk kërkojmë trajtim të privilegjuar për Thaçin dhe të tjerët. Kërkojmë atë që i takon çdo njeriu, drejtësi të paanshme dhe respektim të dinjitetit njerëzor”, ka deklaruar Haziri para mediave.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve evropiane dhe përfaqësuesve të tyre në Kosovë që të mos i anashkalojnë shqetësimet e ngritura për proceset në Hagë, duke kërkuar angazhim për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Aksioni i iniciativës “Jo në emrin tim” synon të tërheqë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar ndaj standardeve të drejtësisë dhe garancive për një proces gjyqësor të paanshëm.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
