Gjykata Speciale dënon Hashim Thaçin me 17 muaj burgim, Smakaj dhe Fazliu me nga 12 muaj, Kilaj shpallet i pafajshëm

Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur aktgjykimin në çështjen e dytë penale kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të bashkëakuzuarve, lidhur me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë. Sipas vendimit të shpallur, Hashim Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, ndërsa ish-kreu i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, është dënuar me 12 muaj burgim. Bashkim Smakaj është shpallur fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për ndihmë në veprën e mosbindjes ndaj gjykatës. Megjithatë, gjykatësi ka llogaritur kohën e kaluar në paraburgim dhe e ka konsideruar dënimin e tij të vuajtur, duke urdhëruar lirimin e tij.
Me nga 12 muaj burgim është dënuar edhe Fadil Fazliu, i cili është shpallur fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë dhe ndihmë në mosbindje ndaj gjykatës. Edhe në rastin e tij, koha e kaluar në paraburgim është llogaritur në dënim, prandaj ai është liruar pas shpalljes së aktgjykimit.
Ndërkaq, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, është shpallur i pafajshëm dhe është liruar nga të gjitha akuzat në këtë proces. Gjykatësi Christopher Gosnell ka vlerësuar se provat nuk dëshmuan se Kilaj kishte ndërmarrë ndonjë veprim për t’ia përcjellë një dëshmitari të mbrojtur udhëzimet që, sipas gjetjeve të gjykatës, Thaçi ia kishte dhënë gjatë një vizite në paraburgim më 6 tetor 2023.
Në anën tjetër, Hajredin Kuçi është dënuar me një muaj burgim me kusht, me periudhë prove prej një viti. Dënimi nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë kësaj periudhe. Gjykata ka konstatuar se Kuçi i kishte dërguar një mesazh dëshmitarit të Prokurorisë, Rrustem Mustafa, në kundërshtim me urdhrin gjyqësor që ndalonte kontaktimin e dëshmitarëve jashtë procedurave të përcaktuara.
Gjykatësi ka shpallur të pafajshëm Thaçin dhe Kuçin për pretendimin për marrëveshje lidhur me kontaktimin e tre dëshmitarëve, për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme.
Procesi gjyqësor kishte nisur më 27 shkurt 2026, ndërsa paraqitja e provave ishte përmbyllur më 5 gusht. Deklaratat përfundimtare ishin paraqitur nga 10 deri më 14 shtator.
Dënimi prej 17 muajsh ndaj Hashim Thaçit do të vuhet veçmas nga çdo dënim që mund t’i shqiptohet në procesin tjetër gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktgjykimi u shpall nga gjykatësi i vetëm i çështjes, Christopher Gosnell, më 17 nëntor 2026.

Kontrolloni gjithashtu

Presidentja Justina Shiroka Pula priti në takim ambasadoren e Finlandës, Eevamari Laaksonen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim ambasadoren e Finlandës në …