Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duke e cilësuar atë si një padrejtësi të radhës dhe duke kërkuar përgjegjësi institucionale nga Kosova për mënyrën se si po administrohet drejtësia në emër të saj. Në reagimin e tij publik, Limaj ka vënë në pikëpyetje standardet e drejtësisë që po zbatohen në këto procese, duke theksuar se një gjykim i drejtë nuk mund të kufizohet vetëm në shpalljen e aktgjykimit, por duhet të garantojë paanshmëri, integritet, barazi të palëve dhe respektim të të drejtave të mbrojtjes. Ai ka theksuar veçanërisht rëndësinë e shqyrtimit të paanshëm të provave dhe zbatimit të standardeve të njëjta juridike, duke vlerësuar se shqetësimet për zhvillimin e proceseve në Hagë nuk duhet të anashkalohen. Limaj ka kërkuar që institucionet e Kosovës të mos qëndrojnë pasive përballë zhvillimeve në këtë Gjykatë, por të marrin përgjegjësitë që u takojnë në mbrojtje të interesit shtetëror. Sipas tij, Kuvendi i Kosovës duhet të ndërmarrë veprime, të rikthejë në fuqi ligjin dhe të hapë një debat serioz për të ardhmen dhe mandatin e Gjykatës Speciale. “Kosova nuk mund të mbetet vetëm spektatore. Institucionet tona duhet të marrin përgjegjësinë që u takon. Kuvendi duhet të veprojë, ligji duhet të rikthehet në fuqi dhe duhet të hapet një debat serioz për të ardhmen dhe mandatin e kësaj Gjykate”, ka shkruar Limaj. Në përfundim të reagimit, ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për drejtësi të vërtetë, dinjitet dhe institucione që mbrojnë interesin e shtetit të tyre.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
