Akademiku Arsim Bajrami ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me 17 muaj burgim në procesin për pengim të drejtësisë, duke e cilësuar atë si një vendim me dimension të qartë politik. Në reagimin e tij publik, Bajrami ka shprehur shqetësimin se një vendim i tillë mund të ndikojë në besimin e publikut ndaj paanshmërisë dhe kredibilitetit të drejtësisë ndërkombëtare. Ai ka vënë në pah rrezikun që proceset gjyqësore të perceptohen si të ndikuara nga mesazhe apo konsiderata politike, në vend që të mbështeten ekskluzivisht në parimet juridike. Akademiku dhe profesori i së drejtës kushtetuese ka vlerësuar se një vendim i tillë rrezikon të dëmtojë jo vetëm besimin në një proces të veçantë gjyqësor, por edhe kredibilitetin e drejtësisë ndërkombëtare, e cila duhet të garantojë zbatimin e barabartë të standardeve ligjore për të gjithë. Ai ka theksuar se paanshmëria, pavarësia dhe respektimi i standardeve juridike janë parakushte themelore për legjitimitetin e çdo institucioni gjyqësor.
“Dënimin e Presidentit Hashim Thaçit me 17 muaj burgim e konsideroj një vendim me dimension të qartë politik, që ngre dyshime serioze mbi kufirin ndërmjet drejtësisë dhe politikës”, ka deklaruar Bajrami. Ai ka ritheksuar se drejtësia ndërkombëtare duhet të ruajë integritetin e saj dhe të mos krijojë perceptimin se vendimet gjyqësore mund të ndikohen nga agjenda apo konsiderata politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
