Në teatrin e madh të drejtësisë ndërkombëtare, ku perdet ngrihen me pompozitet dhe ulërijnë trombat e moralit universal, shpesh ndodh që skenari të shkruhet në kuzhinat më të errëta të diplomacisë dhe të luhet me një seriozitet që të bën të qash dhe të qeshësh njëkohësisht. Kjo është anatomia e saktë e tragjikomedisë që po zhvillohet në Hagë, një institucion që lindi nga një embrion politik, u ushqye me recetat e gatuara në Beograd, u servir me garuzhden e Dick Martyt dhe sot po konsumohet si një “çorbë e prishur” në sytë e një bote që shtiret sikur nuk ia ndien erën.
Pas asaj që ndodhi më 16 shtator, çdo mendje e kthjellët në botën demokratike e pati të qartë se çfarë po zihet në kazanin e Dhomave të Specializuara. Nuk bëhet fjalë për drejtësi, as për zbardhje të së vërtetës, por për një inskenim të mirëfilltë, ku regjisorët qëndrojnë në prapaskenë, ndërsa gjykatësit dhe prokurorët – aktorë të paguar mirë për çdo rol, qoftë ai i xhelatit apo i moralistit – recitojnë tekstet e tyre me një ftohtësi burokratike. Mjerisht, në këtë trupë teatrore janë rekrutuar aktorë nga të dyja anët e Atlantikut, amerikanë dhe evropianë, të cilët me kostumet e tyre të shtrenjta i japin legjitimitet një farse që ka vetëm një qëllim: rishkrimin e historisë përmes barazimit të viktimës me xhelatin.
Grotesku arrin kulmin kur vendos në peshore dënimet. Në këtë cirk, çlirimtarët dhe krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dënohen më rëndë sesa arkitektët dhe gjeneralët e makinës vrastare serbe – Ojdaniqi, Pavkoviqi, Lazareviqi e Shajinoviqi – njerëzit që ndezën dhe drejtuan katër luftëra gjakatare në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Kjo është logjika e mbrapshtë e këtij teatri: ata që dogjën, vranë dhe dëbuan një popull të tërë trajtohen me doreza mëndafshi, ndërsa ata që organizuan mbijetesën dhe lirinë e atij populli kryqëzohen në sheshin publik të Evropës.
Por akti i fundit i kësaj shfaqjeje i vuri kapakun çdo imagjinate. Edhe në errësirën e burgjeve të Jugosllavisë dhe të Serbisë së Millosheviqit, ku të burgosurit politikë shqiptarë i nënshtroheshin dhunës më barbare fizike, ekzistonte një rregull elementar: nëse gjatë një vizite familjare i burgosuri thoshte diçka që binte ndesh me rregullat e gardianëve, vizita ndërpritej menjëherë. Në cirkun e Hagës, metoda është evoluar në një dhunë të sofistikuar shpirtërore dhe psikologjike. Vizitat nuk ndërpriten. Përkundrazi, ato lihen të rrjedhin enkas, si një kurth i ngritur me durim, me shpresën se në bisedat e lira të një njeriu të izoluar padrejtësisht do të kapet ndonjë fjalë, ndonjë gjest, ndonjë mimikë. Më pas, këto copëza bisedash merren në laboratorin e prokurorisë dhe analizohen sikur të ishin vargje të abstraksionit të verbër poetik, duke u munduar të zbërthejnë me lupë se “çfarë ka dashur të thotë autori” në secilën rrokje.
Këta aktorë të drejtësisë së seleksionuar i matin fajet dhe pafajësitë “me vagën e apotekës”, duke shpallur dikë fajtor e dikë të pafajshëm me një precizion qesharak, vetëm e vetëm për t’i dhënë shfaqjes pamjen e një procesi të rregullt dhe të paanshëm. Është një përpjekje e dëshpëruar për të ushqyer opinionin publik me një ushqim të helmuar, të gatuar nga lobimet e pandërprera të Serbisë dhe Rusisë, të cilat kanë gjetur kanalet e duhura për të infiltruar narrativën e tyre në institucionet perëndimore.
Në këtë tragjikomedi, komikja ekziston vetëm për shkak të tragjikes. Është tragjike të shohësh se si një popull që ka përjetuar mbi kurriz okupimin, vrasjet, dhunimet dhe shkatërrimin, sot detyrohet të shohë se si tragjedia e tij u mvishet pikërisht atyre që u munduan për çlirimi. Megjithatë, historia ka treguar se çorbat e prishura nuk mund të servohen pafundësisht. Bashkësia ndërkombëtare mund të vazhdojë ta gëlltisë këtë produkt të helmuar për hir të ekuilibrave të rremë politikë, por kostoja e këtij vetëhelmimi do të paguhet pikërisht nga shëndeti i vlerave demokratike që ajo pretendon se mbron. Dhe kur të vijë dita e zgjimit nga kjo logjikë irracionale, mund të jetë tepër vonë për të pastruar njollën e kësaj farse.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
