Kuvendi i Kosovës ka shtyrë seancën në të cilën ishte paraparë rishqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pavarësisht se kjo çështje ishte në rend dite dhe vazhdimi i seancës ishte thirrur për sot.
Nënkryetari i Kuvendit, Aridan Gola, ka bërë të ditur se shtyrja erdhi pas diskutimeve të zhvilluara ndërmjet shefave të grupeve parlamentare dhe përfaqësuesve të tyre politikë.
Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se është arritur marrëveshje për votimin e këtij ligji. E pyetur nga gazetarët nëse partitë kanë gjetur gjuhë të përbashkët, ajo është përgjigjur shkurt: “Ka marrëveshje”.
Megjithatë, deklarata për marrëveshje nuk është shoqëruar ende me votim, pasi vazhdimi i seancës plenare nuk kishte nisur as dy orë pas kohës së paraparë.
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ishte kthyer në Kuvend nga presidentja e Kosovës për rishqyrtim, duke e rikthyer çështjen në përgjegjësinë e deputetëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
