Familja Meha

Mehajt e Prekazit-katër breza çlirimtarësh

13 maji i viti 1981 shënohej si “Dita e Milicisë” së Jugosllavisë, dhe ajo qe dita që nxiti forcat e Milicisë së RSFJ-së për ta rrethuar një shtëpi të një shqiptari të pabindur, në Prekaz të Drenicës, me qëllim për të shënuar edhe një fitore tjetër kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar” sikur thuhej zyrtarisht. Mirëpo, atë ditë para 36-viteve, Tahir Mehaj dhe babai i tij, Nebihu nuk kishin pranuar t’i dorëzonin armët. Ata ishin kundërpërgjigjur zjarrit të forcave policore, edhe pse ishin rrethuar me tanke e autoblinda të shumta. Pas largimit nga shtëpia të fëmijëve të mitur dhe grave nëpër tymin helmues, Tahir dhe Nebih Meha kishin rezistuar në kullë gjatë tërë ditës, për 17 orë rresht. Ata, jo vetëm që nuk ishin dorëzuar, por kishin rezistuar trimërisht dhe heroikisht. Gjatë përpjekjeve të milicëve jugosllavë për të depërtuar në kullë, Tahiri dhe Nebihu kishin vrarë pesë policë jugosllavë, (sipas versionit zyrtar, jugosllav dhe krahinor të Kosovës) ndërsa kishin plagosur dhjetëra të tjerë. Në përpjekje për ta çarë rrethimin, pasi po iu mbarohej municioni, kishin rënë në altarin e lirisë, babë e djalë, Nebih Meha e Tahir Meha, duke shkruar kështu një faqe të veçantë të heroizmit dhe sakrificës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi nga okupatori jugosllav.

Familja Meha njihet për trimëri dhe kundërvënie të gjitha regjimeve okupatore. Kryefamiljari Emin Lati-Meha, babai i Nebihut ishte njëri ndër bashkëluftëtarët më të njohur të Azem Galicës. Djali i tij Nebihu, kishte luftuar në radhët e kryengritësve  të Shaban Palluzhës, në shkurt të vitit 1945.  Po ashtu me djalin e tij, Tahirin kishin qëndruar deri në fishekun e fundit duke luftuar kundër milicisë jugosllave më 13 maj të vitit 1981. Vëllai i Tahirit dhe i biri i Nebihut, Beqir Meha ka rënë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ishte ndër bashkëluftëtarët më të afërt të Legjendarit Adem Jashari dhe të Hamëz Jasharit. Bijë të tjerë nga kjo familje kanë marrë pjesë edhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shembulli i heroizmit të Tahir dhe Nebih Mehës u bë burim frymëzimi për të gjithë liridashësit e Kosovës, të cilët në mars dhe prill të vitit 1981 kishin shpalosur platformën e tyre me moton: “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Të dyja këto opsione ishin hapur.

Qëndresa heroike e Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981

 

Qëndresa heroike e Tahir dhe Nebih Mehës, në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, shënoi fillet e rezistencës aktive, me armë në dorë kundër pushtimit jugosllav të trojeve tona. Dy muaj pas larjes me gjak, nga milicia dhe ushtria jugosllave, të demonstratave dhe protestave të popullatës liridashëse të Kosovës, që u zhvilluan në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të vendit, me kërkesë për liri, barazi dhe forcimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, forcat policore dhe ushtarake të RSFJ-së, të cilat kishin shpallur “shtetrrethimin” në “Krahinën Autonome të Kosovës ”, më 13 maj të vitit 1981, në ditën festive të Milicisë, me qindra policë dhe ushtarë jugosllavë, në mesin e tyre edhe policë shqiptarë, kishin rrethuar kullën e Nebih Mehës në Prekaz. Ata kishin marrë për detyrë që ta arrestonin Tahir Mehajn, i cili kishte rënë në konflikt me policinë vendore dhe për të cilin kishin të dhëna se kishte armë dhe kishte paralajmëruar haptas nuk do të dorëzohej.

 Ishte pikërisht 13 maji, “Dita e Milicisë” së Jugosllavisë, ajo që nxiti forcat policore për ta rrethuar një shtëpi të një shqiptari të pabindur, me qëllim për të shënuar edhe një fitore tjetër kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar” sikur thuhej zyrtarisht. Mirëpo Tahir Mehaj dhe babai i tij, Nebihu nuk kishin pranuar t’i dorëzonin armët. Ata ishin kundërpërgjigjur zjarrit të forcave policore, edhe pse ishin rrethuar me tanke e autoblinda të shumta. Pas largimit nga shtëpia të fëmijëve të mitur dhe grave nëpër tymin helmues, Tahir dhe Nebih Meha kishin rezistuar në kullë gjatë tërë ditës, për 20 orë rresht. Ata, jo vetëm që nuk ishin dorëzuar, por kishin rezistuar trimërisht dhe heroikisht. Gjatë përpjekjeve të milicëve jugosllavë për të depërtuar në kullë, Tahiri dhe Nebihu kishin vrarë pesë policë jugosllavë, sipas versionit zyrtar, ndërsa kishin plagosur dhjetëra të tjerë. Në përpjekje për ta çarë rrethimin, meqë po iu mbarohej municioni, kishin rënë në altarin e lirisë, babë e djalë, Nebih e Tahir Meha, duke shkruar kështu një faqe të veçantë të heroizmit dhe sakrificës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi nga okupatori jugosllav.

 Milicia e RFSJ-së, jo vetëm që nuk kishte shënuar fitore për ditën e saj festive, por kishte pësuar një turp të pa parë e të padëgjuar deri atëherë. Qindra policë dhe ushtarë, me armët më moderne të kohës, të mbështetur edhe nga tanke e helikopterë, kishin rrethuar një shtëpi të varfër, fshatare, të Drenicës dhe jo vetëm që nuk kishin arritur t’ iu merrnin armët dhe t’ i arrestonin dy armiq të Jugosllavisë, por kishin humbur pesë milicë nga njësitë elite speciale dhe shumë të tjerë kishin marrë plagë të rënda.

 “Rilindja” e 14 majit të vitit 1981, ashtu sikur edhe Radio Televizioni i Prishtinës, njoftonin opinionin se ditë më parë, në Prekaz të Drenicës, forcat e “Milicisë Speciale të Jugosllavisë” kishin vranë dy banditë, dy armiq të shtetit, për të cilët thuhej se kishin përdorur në mbrojtje, gratë e fëmijët e tyre. Nuk jepeshin të dhëna se si kishin pësuar nga tymi helmues sidomos pesë vajzat e mitura të Tahirit dhe graria e kësaj shtëpie. Ishin fshehur të dhënat për maltretimin mizor, që milicët kishin ushtruar kundër familjarëve, disa burrave të lagjes, vëllait të Tahirit, Beqirit dhe disa kushërinjve të tyre. Nuk ishin dhënë pamje nga rrënimi i kullës me predhat e mortajave të milicisë dhe ushtrisë jugosllave. Po ashtu, për disa ditë rresht  nuk u publikuan as të dhënat për humbjet e milicisë në ditën e tyre festive.

 Për të parë për së afërmi se ç’ kishte ndodhur në Prekaz atje kishte shkuar edhe vetë shefi i Armatës Jugosllave, Nikolla Lubiqiq, me disa gjeneralë, pastaj sekretari Federativ i Punëve të Jashtme, Franjo Herleviq, kryepolici i Kosovës, Mehmet Maliqi si dhe shumë autoritete zyrtare të Beogradit, të Prishtinës e më gjerë.

 Komunikatat zyrtare të RSFJ-së kishin dënuar aktin e qëndresës së Tahir dhe Nebih Mehës, duke e cilësuar si akt armiqësor të drejtuar kundër politikës së bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popullin serb dhe popujt e tjerë sllavë dhe kundër përparimit dhe të arriturave të shqiptarëve në Jugosllavi.Edhe Komiteti, kuisling, Krahinor i Kosovës, Lidhja Socialiste e Popullit Punues, Lidhja e Komunistëve, Milicia e Krahinës së Kosovës kishin dënuar rezistencën e Tahir dhe Nebih Mehës, ndërsa familjeve të milicëve të vrarë iu kishin dërguar telegrame ngushëllimi, duke u betuar se ata kurrë nuk do të largoheshin nga rruga e Titos dhe rruga e bashkim vëllazërimit.

 Familja Meha e Prekazit ishte ekskomunikuar, ishte leçitur dhe ishin krejt të pakët ata miq e dashamirë që guxonin të shkonin për ngushëllime. Qëndresa në Prekaz u bë burim frymëzimi për forcat liridashëse të Kosovë, për Adem, Hamëz dhe Shaban Jasharin dhe për trimat e trimëreshat e UÇK-së. Në luftë kundër forcave okupatore serbe, më 25 mars të vitit 1999 ka rënë dëshmor edhe vëllai i Tahirit, Beqir Meha.

 Shembulli i heroizmit të Tahir dhe Nebih Mehës u bë burim frymëzimi për të gjithë liridashësit e Kosovës, të cilët në mars dhe prill të vitit 1981 kishin shpalosur platformën e tyre me moton: “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Të dyja këto opsione ishin hapur.

 Përderisa në rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera të vendit, rinia dhe forcat liridashëse të vendit protestonin duarthatë dhe me grushtet e ngritur lart dhe vriteshin pamëshirshëm nga milicia jugosllave, dhjetëra studentë, nxënës e punëtorë, në fshatin Besi të Prishtinës, u kishin rrëmbyer armët forcave policore që vinin nga Serbia dhe kishin filluar rezistencën aktive. Akti heroik i Tahir dhe Nebih Mehës, shënoi edhe një hap më tej në rrugën e rezistencës aktive, e cila formën e vetë të qartë dhe vendimtare e mori me komandantin e UÇK-së, legjendarin Adem Jashari dhe me luftën heroike, çlirimtare dhe fitimtare të kësaj force të re të rezistencës, e cila burim frymëzimi pati qëndresën shekullore të këtij populli. Familja Meha njihet për trimëri dhe kundërvënie të gjitha regjimeve okupatore. Kryefamiljari Emin Lati-Meha, babai i Nebihut ishte njëri ndër bashkëluftëtarët më të njohur të Azem Galicës. Djali i tij Nebihu, kishte luftuar në radhët e kryengritësve  të Shaban Palluzhës, në shkurt të vitit 1945.  Po ashtu me djalin e tij, Tahirin kishin qëndruar deri në fishekun e fundit duke luftuar kundër milicisë jugosllave më 13 maj të vitit 1981. Vëllai i Tahirit dhe i biri i Nebihut, Beqir Meha ka rënë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ishte ndër bashkëluftëtarët më të afërt të Legjendarit Adem Jashari dhe të Hamëz Jasharit. Bijë të tjerë nga kjo familje kanë marrë pjesë edhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …