NATO

Frank Shkreli: Angazhimi i Amerikës ndaj NATO-s është absolut

Një atmosferë pasigurie në Evropë, si rrjedhim i agresionit rus në Ukrainë dhe kërcënimeve të Moskës ndaj sigurisë së vendeve në periferinë e saj — që tani janë anëtare të Aleancës së NATO-s — si dhe deklarata e Presidentit Trump, sidomos gjatë fushatës elektorale për president në lidhje me marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe NATO- s, janë shprehur shqetësime dhe janë ngritur pyetje legjitime mbi të ardhmen e këtyre marrëdhënieve. Ç’prej ardhjes në pushtet, Presidenti Trump ka ndryshuar tonin dhe fjalorin në lidhje me NATO-n, ndërkohë që zyrtarë të niveleve të larta të administratës Trump kanë thekësuar vazhdimisht vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të qenë partnere e besueshme e aleancës së NATO-s. Në fillim të kësaj jave, ishte numri dy i Administratës Trump, pikërisht Zëvendës-Presidenti Mike Pence, ai i cili përdori vizitën e tij në entin Atlantic Council në Uashington të henën që kaloi, për të ritheksuar edhe një herë publikisht, për të gjithë ata që mund të dyshojnë ende në mbështetjen e kësaj administrate ndaj Aleancës Atantike, NATO. Gjatë një ceremonie në kryeqendrën e organizatës Atlantic Council, Zevëndës-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence u shpreh se, “Angazhimi ynë ndaj NATO-s është absolut”, duke shtuar se, “Shtetet e Bashkuara do të kryejnë obligimet e tyre për mbrojtje kolektive ndaj popujve të të gjitha vendeve tona aleate. Shtetet e Bashkuara janë të vendosura që të mbështesin parimin, se një sulm kundër njërit prej nesh, është një sulm kundër të gjithë neve.” Ai citohet të ketë thënë gjithashtu se “Dera e hapur e NATO-s duhet të mbetet përgjithmonë e tillë” dhe se Aleanca NATO është aq e rëndësishme sot sa ishte edhe pothuaj 70-vjetë më parë”, kur u themelua kjo orgnanizatë. Në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Jens Stoltenberg dhe Kryeministrit të Malit të Zi, Z. Dushko Markoviq – përfaqsuesi i vendit më të

ri i anëtar të NATO-s — Zevëndës-Presidenti i Shteteve të Bashkuara po i referohej Nenit 5, aq të përfolur, të Traktatit të Uashingtonit i cili ka të bëjë me mbrojtjen kolektive. Sipas fjalimit të Z. Pence, të botuar në portalin e Atlantic Council, numri dy i Administratës Trump i siguroi të pranishmit se, “Një NATO e fortë është e një rëndësie tepër jetike, sidomos në këtë periudhë të vështirë” ndërkombëtare. Ai përmendi si sfida, “Përpjekjet e Rusisë për të ndryshuar me forcë kufitë ndërkombëtarë e deri tek përpjekjet e Iranit për të destabilizuar Lindjen e Mesme, përfshirë rreziqet që paraqet terrorizmi ndërkombëtar që mund të godas në çdo kohë – duket se bota sot është më në rrezik se kurrë më parë ç’prej shëmbjes së komunizmit, një çerek shekulli më parë”, u shpreh udhëheqsi i lartë amerikan Ceremonia në Uashington përkoi me rastin e 70-vjetorit të Planit Marshall — simbolit të angazhimit amerikan në rindërtimin e Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore — dhe me antarësimin zyrtar të Malit të Zi, si vendi anëtar i 29-të i Aleancës Ushtarake, NATO. Në kujtim të përvjetorit të Planit Marshall, Zevëndës Presidenti Pence theksoi se, “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndërtojnë dhe të forcojnë lidhjet që ekzistojnë midis kombit tonë dhe kombeve të Evropës, për të mirën e brezave të ardhëshëm”, të vendeve tona.

Ndërsa Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq e cilësoi antarësimin e vendit të tij në NATO ndoshta si, “Një hap të vogël për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, por si një ditë të madhe për Malin e Zi”, deklaroi udhëheqsi malazez. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, duke përshëndetur antarësimin e Malit të Zi në NATO, u tha të pranishëmve se, vendet e Aleancës së Atlantikut Verior, “Nga të dy anët e Atlantikut, kanë punuar së bashku për një qëllim të vetëm: për ruajtjen e paqës dhe të sigurisë për popujt tanë”. Ai theksoi gjithashtu se, kjo është një lidhje unike që ka siguruar paqën për vendet tona për pothuaj shtat shekuj. Ai shprehu entuziazmin e tij për të ardhmen e Aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur ndonjëherë historia, duke thënë se, “Sot, angazhimi ynë ndaj Aleancës NATO është më i fortë se kurrë më parë. Këtë e shohim”, shtoi ai, në “Praninë më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Evropë, si dhe në faktin se Evropa dhe Kanadaja po investojnë më shumë për mbrojtjen e tyre”, nenvijoi në fjalën e tij para pjesëmarrësve në ceremoninë e entit Atlantic Council, udhëheqsi i NATO-s, Z. Stoltenberg. Në një intervistë me Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u shpreh se, “NATO do të mbështesë Malin e Zi kundër çdo trysnie ose ndërhyrjeje nga jashtë.” “Kemi parë e lexuar shumë raporte mbi ndërhyrjen e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Ishim gjithashtu dëshmitarë edhe të grusht-shtetit që dështoi vitin e kaluar në Mal të Zi. Sa më përket mua, të gjitha këto nënvijojnë rëndësinë që i duhet kushtuar ndërtimit të institucioneve të forta të sigurisë dhe të mbrojtjes”, tha Z. Stoltenberg.

Ndër folësit e tjerë në ceremoninë në qendrën Atlantic Council ishte e pranishme edhe ish-Sekretarja Amerikane Shtetit, Madeleine Albright, e cila bëri një thirrje, plot emocion, në mbështetje të një roli të fortë të Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare, ndërsa paralajmëroi se nëqoftse nuk u kushtohet vëmendje problemeve të jashtme, atëherë me ato probleme do të ballafaqohemi eventualisht, këtu mbrenda vendit tonë. Roli për të cilin foli Z.nja Albright është një rol që Amerika kishte marrë përsipër ç’prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Duke folur për sfidat botërore me të cilat përballet Amerika, Ish-kryediplomatja amerikane u tha të pranishëmve se, “Shtetet e Bashkuara janë më të forta kur kanë aleatë dhe miqë, e të cilët ndajnë me ne interesat dhe idealet.” Ndërkaq, siç duket, në një kritikë indirekte ndaj Presidentit Trump, Z. Albright tha se është me rëndësi që të mos harrojmë historinë e shekullit të kaluar.

Ndonëse jo i pranishëm në ceremoninë e Atlantic Council, Kryetari i Komisionit të Senatit që merret me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara, Senatori republikan Xhon Mekejn, në portalin e tij e mirëpriti me këtë rast antarësimin e Malit të Zi në NATO, si “Një hap të rëndësishëm në integrimet gjithnjë e më të mëdha transatlantike, në një kohë shumë të vështirë për botën, po të merren parasyshë sfidat gjithnjë e më të mëdha me të cilat përballemi në të dy anët e Atlantikut” shtoi ai. Senatori Mekejn përmendi “Përpjekjet e reja të agresionit rus, sulmet e shpeshta terroriste dhe kërcënimet hibernetike.”

Përballë këtyre kërcënimve, ka shkruar në portalin e tij Senatori Mekejn, Aleanca Transatlantike duhet të jetë e bashkuar. Senatori Mekejn përshëndeti, me këtë rast në portalin e tij edhe 70-vjetorin e përpilimit të Planit Marshall, që ai e cilësoi si triumfi i bashkpunimit transatlantik i cili shpëtoi Perëndimin. “70-vjet më vonë, angazhimi i Amerikës — në mbrojtje të botës së lirë, në mbrojtje të vlerave demokratike dhe në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë – duhet të vazhdojë të jetë gjithnjë i fortë, ka thënë me këtë rast, Senatori Republikan i Shteteve të Bashkuara, Xhon Mekejn.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …