Edi Rama

Përpjekja e Edi Ramës për ta shpëtuar Shqipërinë, si përpjekja e Nasradinit për ta shpëtuar jorganin e vet nga hajnat

Thuhet  se kur plaçkitësit njëherë i kishin hyrë  në shtëpi, Nasradinit, ai duke mos guxuar të tregonte se ishte i zoti i shtëpisë dhe duke parë se ata nuk po i linin asgjë, kishte marrë  jorganin e vet dhe ishte përzier me  hajnat, të cilët ishin shpërndarë me shpejtësi. Një fqinj  e kishte parë Nasradinin me jorgan  në shpinë dhe i habitur e kishte pyetur:

– Mor Nasradin, nga larg pashë që hajnat ta plaçkitën shtëpinë por, edhe ti vodhe jorganin tënd, mos je edhe ti nga ata, kishte pyetur ai?

–  Hajnat morën çka gjeten e unë, në pamundësi për t’ i penguar dhe duke parë se nuk po më mbetej  asgjë u kujtova dhe  mora jorganin tim, sepse në çast më shkoi mendja  si ta kaloj natën në shtëpinë e plaçkitur e  të ftohtë?

Fushata zgjedhore në Shqipëri ka përfunduar, dhe të gjitha partitë po ngarendin para kohe për në “Maratonë”, po bëjnë garë për ta paralajmëruar fitoren e vet, në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017, ku po garojnë politikanët shqiptarë për ta marrë secili hisen e vet në qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë së katandisur. “Tepsia” është e madhe dhe secili do të kërkojë “hisen”, jo për ta zhvilluar vendin por për ta zhvatur e plaçkitur, aq sa mundet dhe duke u fshehur prapa zotimeve e premtimeve po thuajse boshe, të kallajisura me shprehje patriotike, demokratike po gjithnjë hipokrite e mashtruese.

Nëse i krahasojmë këto vitet e qeverisjes së Edi Ramës  me qeverisjet paraprake dallimi është shumë i madh. Mirëpo sa do që është bërë dhe ajo shihet, nuk ka pasur mundësi të bëhet më shumë, sepse qeveritarët paraprakë kanë lënë pas një kaos në të gjitha segmentet e qeverisjes.

Në kohën kur Rama mori timonin e Qeverisë, vendi ishte zhytur në kaos, papunësi, urrejtje ndaj Shtetit dhe ligjit, korrupsion, trafiqe, hajni,  drogë, administratë partiake, medie klienteliste partiake, polici partiake, shëndetësi e arsim partiak, publik e privat. Në një gjendje të tillë, kryeqeveritari, Edi Rama me tërë forcën që dispononte kishte filluar ta sulmonte korrupsionin, por ai ishte trashur aq shumë sa nuk bëhej më lufta e Davidit kundër Golijatit. Rama mundohej ta gjente armën e Davidit, por Goliati i tij kishte lëshuar shtat dhe nuk trandej nga të goditurat.

E filloi mirë e mbarë në Llazarat, por hapi kutinë e pandorës, sepse  llazaratasit e Berishës e të Metës ishin shpërndarë në tërë Shqipërinë në jug e në veri. Droga kishte uzurpuar deri edhe segmente më vitale të shtetit. Pak më vonë u kuptua se Edi Rami kishte goditur gjarprin e drogës në bisht dhe jo në kokë, sepse koka ishte aq e madhe, sa nuk goditej pa shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe pa bërë një reformë rrënjësore, të cilën nuk do ta lejonte në asnjë mënyrë as Brukseli zyrtar, për arsye që dihen por nuk thuhen.

Pavarësisht urrejtjes apo përkrahjes që shqiptarët kanë për Ramën, nëse flasin drejt dhe me gjuhën e fakteve, Rama ka bërë më shumë se të gjithë qeveritarët paraprakë, por tri katër vjet ndërtim në krahasim ne 24 vjet rrënim nuk japin rezultat tjetër. Të ndërtohet është shumë vështirë, meqë duhet mund e djersë, ndërsa rrënimi është shumë i thjeshtë. Këtë e kemi parë me rastin e turrit të çmendur të shumë shqiptarëve kundër institucioneve dhe kundër tërë asaj që ishte ndërtuar me mund djersa dhe sakrifica të një populli të tërë për 45 vjet, në kohën e socializmit.

Të arriturat e Edi Ramës dhe kabinetit të tij qeveritar nuk mund të mohohen me gjuhën e fakteve, por mund të deformohen me gjuhën e hipokrizisë e djallëzisë sikur bëjnë të vetëquajturit analistë, në Shqipëri, të cilët mundohen të shpërfytyrojnë gjithçka të mirë dhe me vlerë që është arritur në vend. Po kjo është vetëm njëra ana e ligë e realitetit virtual, sepse një pjesë e njerëzve tanë bjerrakohës kohën e tyre më të mirë e shpenzojnë duke shikuar debate koti, të  stërholluara gjoja me mençuri por të manifestuara me një gjuhë arrogante, rrugaçe, një gjuhë që është shumë  larg emancipimit njerëzor e kombëtar.  Personalisht nuk besoj se elektorati në Shqipëri mund të bjerë pre  ta zëmë dhjetë analistëve të shitur e të blerë, të prostituuar nga të gjitha mediet, kameleonë tipikë të idiolatrisë e profanisë makute.

Edi Rama është intelektual me kredibilitet dhe dinjitet. Ka  dije e mençuri, të nivelit të intelektualit botëror dhe mban kontakt me mendimin bashkëkohor, shoqëror, filozofik e politik, ka sens për të goditur të keqen dhe për ta demaskuar atë, ka guxim ta thotë të vërtetën edhe kur ajo i kthehet bumerang, kështu i ka ndodhur jo vetëm njëherë me  kritikat parimore drejtuar  BE-së, lidhur me çështjen e shqiptare të përgjegjësi. Ai na ka bindur se mund të qeveriset mirë nëse ka vullnet, dije, përkushtim dhe sakrificë.  Kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk mund të gjejë shumë si vetë dhe kjo është fatkeqësia e tij dhe jona, sepse nuk bëhesh dot trim i mirë pa shumë shokë. Mund të bëhesh Ali baba po i pate  dhjetë hajdutë shqiptarë, nuk ka nevojë të jenë 40 dhe me të tillët mund ta përmbysësh Shqipërinë kur të duash. Ky perceptim i demokracisë shqiptare jo vetëm të brishtë për edhe të deformuar është perceptimi i një pjese të shqiptarëve me origjinë lindore, bizantine, shqiptarë të tipit: “haja qenit pija qenit, tash i bimë karadyzenit”. Për fatin tonë të keq kjo mendësi, ky bizantino-aziatizëm ia ka zënë frymën politikës shqiptare, sepse është ADN-ja e tillë dhe kjo flet shumë. Në spotin e tij propagandues, Lulzim Basha krenohet se ka qenë zyrtar i UNMIK-ut në hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë, por nuk precizon se kishte hulumtuar krimet serbe, apo ato krime të pretenduara të Beogradit zyrtar  me peruanin, Hoze Baryber, me të cilin kishte shpikur “Kullën e verdhë”, ku gjoja UÇK-ja  kishte bërë  transplantin e organeve të serbëve.

Zgjedhësit në Shqipëri kanë shans të zgjedhin, në mesin e tre emrave që përfaqësojnë tri partitë kryesore politike. Të besojmë dhe të shpresojmë se kësaj radhe do të zgjedhin më meritorët, sepse dihet mirë e kaluara dhe biografia e të treve. Rama në këtë mes shkëlqen me dije, guxim, vendosmëri dhe patriotizëm. Ai ka dhënë shembuj konkretë se Shqipëria mund të qeveriset si duhet.

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …