Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Zgjedhjet përfunduan, po tani?

Ja mori fund fushata elektorale në Shqipëri dhe në Kosovë.  Po numërohen votat dhe po shpallen fituesit. Çdo fushatë elektorale që përfundon me zgjedhje, ka fituesit dhe humbësit.  Fituesit gëzohen dhe humbësit, natyrisht, janë të zhgënjyer.  Disa janë të lodhur e e të mërzitur e të tjerët ndihen triumfues.  Këtu në Amerikë thonë se politika është një sport i ashpër. Ndeshja përfundoi dhe rezultatet zyrtare janë në proces që t’I njoftohen publikut.  Për gjithëçka ka një kohë dhe një stinë.  Ashtu ishte edhe stina e fushatës dhe më në fund e zgjedhjeve — si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Është ky një ushtrim që votuesi angazhohet, normalisht, çdo katër vjet ose edhe më heret, siç ishte rasti i zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë,për të zgjedhur përfaqsuesit e vet. Kjo stinë mori fund dhe së shpejti, bazuar në votat e hedhura nga shqiptarët për partitë e tyre të preferuara do të formohen qeveri të reja në Prishtinë dhe në Tiranë.  Në momentin e këtij shkrimi, duket se Partia Socialiste do të ketë numrin e mjaftueshëm të mandative për të krijuar e vetme qeverinë, ndërsa në Kosovë pritet të formohet një qeveri koalicioni, ose të mbahen zgjedhje të reja,  pasi asnjë parti e vetme nuk e ka numrin e nevojshëm të deputetëve për formuar qeverinë.

Si për fituesit ashtu dhe për humbsit mori fund fushata u mbajtën zgjedhjet dhe po numërohen votat. Për mirë ose për keqë sovrani e tha fjalën e fundit.  Humbësit duhet të japin përgjegjësi për humbjen, ndërsa për fituesit, tani është koha për veprim, për cilën do qoftë parti ose ose koalicione partishë.

Si fituesit ashtu edhe humbësit e zgjedhjeve duhet ta dinë se ndonëse mund ta konsiderojnë veten si të tillë, ata janë pikë së pari qytetarë të një komuniteti më të gjërë e më të madh se sa pjesëtarë të një vathi të ngushtë të cilësdo partie politike qofshin dhe se para Zotit dhe para popullit, si fituesit ashtu edhe humbësit, të gjithë janë të barabartë.  Cilat do qofshin animet e juaja politike, fituesit të reflektojnë dhe të tregojnë përvujtëri dhe respekt në debatet dhe dialogjet e ardhëshme politike, qoftë në formimin e qeverisë së re, qoftë në konsolidimet e qëndrimeve politike për qeverisjen e shqiptarëve katër vitet e ardhëshme.  Gjëja që ka munguar këto 27 vjet, por që nevojitet tani është dialog dhe jo monolog midis palëve të ndryshme politike, nëqoftse ekziston dëshira për fuqizimin e kombit shqiptar, për një jetë më të mirë, në paqë dhe siguri për të gjithë shqiptarët dhe pa dallim.  Nëqoftse jeni të sinqertë me veten dhe me popullin shqiptar, madje edhe si fitues, duhet të relfrktoni seriozisht se diçka nuk po ecen siç duhet dhe se punët nuk po shkojnë mirë në Shqipëri, kur 56% e popullësisë do t’ia mbathte duke u larguar nga vendi, po të kishte mundësi.  Është ky një fakt që pasqyron jetën e përditshme të shqiptarëve e me të cilin nuk mund të mburret as Partia Socialiste e cila ka qeverisur vendin katër vitet e fundit dhe e cila duket se po shkon drejtë fitores së këtyre zgjedhjeve dhe as partitë e tjera të vendit.

Nëqoftse jeni fitues, të tregoheni modest dhe mirënjohës për besimin që u ka dhënë votuesi shqiptar.   Mos i mitizoni “arritjet” dhe “sukseset” tuaja sepse shqiptarët janë të vetdijshëm për gjëndjen e tyre. Votuesi shqiptar është i vetdijshëm për situatën në të cilën gjëndet. Ndoshta reagimi më normal i moskënaqësisë së i votuesit shqiptar karshi partive politike ishte pjesmarrja e ultë në zgjedhje. Fitues e humbës: shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë janë të lodhur me një politikë grindavece e të përçarë, e cila vetëm mendon për vete dhe ruajtjen e kolltuqeve. Mos e mendoni veten pra si Gjergj Kastriota, Isa Buletina, Ismail Qemala, Luigj Gurakuqa e Themistokli Gërmenja, sepse asnjë prej jush nuk jeni të tillë.  Po të kishit meritat e këtyre dhe të tjerëve patriotë të historisë së kombit shqiptar, Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar në përgjithsi, do ishin ndryshe sot nga gjëndja politike dhe ekonomike në të cilën e ka hedhur kombin kjo klasë politike.

Shqipëria nuk është as e Partisë Socialiste, as e Partisë Demokratike, as e Levizjes Socialiste për Integrim dhe as e ndonjë partie tjetër politike, ashtu siç nuk është as Kosova pronë e PDK-ës, LDK-ës, AAK-ës ose VV-ës, e tjera.  Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të konsiderohen si Nëna e të gjithë Shqiptarëve, pa dallim dhe politika duhet të kujdeset për të gjithë.  Të gjithë shqiptarët dhe të gjitha partitë politike, anë e mbanë trojeve shqiptare – fituese ose jo në zgjedhjet e fundit — kanë të drejta dhe përgjegjësi kombëtare të barabarta.  Si të tilla dhe mbi të gjitha, për to duhet që të përcaktohen interesat kombëtare si prioriteti numër një për të gjithë, nga fituesit dhe humbësit së bashku – mbi ato të individit që përfaqëson partinë ose të partisë – dhe të tregohet angazhim serioz për të punuar drejtë realizimit të tyre, qofshi në qeveri qofshi në opozitë.  Ka mjaftë çështje politike dhe ekonomike e të tjera, të dorës së dytë, për të cilat pozita dhe opozita mund të debatojnë pa fund.

Por koha e fushatës dhe e zgjedhjeve kaloi. Morën fund gjithashtu edhe trumbtimet e sloganeve dhe e premtimeve boshe. Tashti është koha që fituesit dhe humbësit në zgjedhje të punojnë për një Shqipëri dhe për një Kosovë, shpirtërisht dhe fizikisht integruese dhe gjithë-përfshirse për të gjithë shqiptarët – të një Shqipërie e Kosove me të vërtetë shqiptare. Ashtuqë të gjithë bijtë e bijat e shqipes, pa marrë parasyshë pikëpamjet e tyre politike – do t’i konsiderojnë trojet shqiptare si çerdhe të nxehta për të gjithë pa dallim, ashtuqë të ndalohen prirjet masive të emigrimit nga trojet shqiptare, që sot për sot, historikisht mund të jetë rreziku më i madh që i kanoset kombit shqiptar. Masat e nevojshme që duhen marrë për parandalimin e këtij rreziku duhet të jetë prioriteti numër një kombëtar. Sot për sot, interes më të madh kombëtar se ndalimi i zbrasjes së trojeve shqiptare nuk ka. Fituesve u është dhënë mandate që të punojnë, ashtuqë Shqipëria dhe Kosova të adhurohen nga vet shqiptarët dhe të respektohen ndërkombëtarisht, të zhvilluara politikisht dhe ekonomikisht, të integruara në organizmat euro-atlantike, me qëllim që të kufizohet emigrimi masiv i shqiptarëve në dhena të huaja.  Është ky një fenomen trishtues për të ardhmen e trojeve shqiptare, ndërkohë që kënaqë lakmitë e armiqëve shekullorë të shqiptarëve të cilët historikisht kanë synuar një realizim të tillë madje edhe nepërmjet politikave ekonomike dhe ushtarake për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore. Nuk ka interes as pasuri më të madhe kombëtare se populli shqiptar dhe mbrojtja dhe siguria politike dhe ekonomike e mirëqenjes së tij.

Se si të arrihet realizimi i këtij objektivi të zhvillimit ekonomik dhe politik për të cilin ëndërrojnë shqiptarët për më shumë se një çerek shekulli tani, është përgjegjësi e qeverive që do të formohen nga partitë dhe aleancat e dala nga zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe në Kosovë.  Cila parti ose koalicion partishë — me programet e tyre reale politike dhe ekonomike — do të përcaktojë rrrugën që do të ndjekin Kosova dhe Shqipëria gjatë katër viteve të ardhëshme? Cilat do qofshin ato, vullneti i popullit shqiptar i shprehur nepërmjet votës së lirë pret nga kjo klasë politike, që më në fund, të përcaktojë rrugën dhe të zbatojë politika dhe programe për realizimin e idealeve dhe interesave të larta kombëtare.

Përcaktimi dhe realizimi i interesave madhore dhe jetike të kombit, siç është ndër të tjera, edhe ndalimi i emigrimit në masë i shqiptarëve – nevojitë një harmonizim mbarë kombëtar të të gjitha partive politike pa pasur nevojë që të ndryshojnë identitetin politik të tyre.  Ka kaluar gjithashtu edhe koha kur për hallet e shqiptarëve fajësoheshin fatkeqësitë e ngjarjeve historike. Sot, ju jeni përfaqsuesit e zgjedhur të shqiptarëve dhe si të tillë jeni përgjegjës ndaj kombit dhe para historisë, për gjëndjen aktuale dhe për të ardhmen e brezave. Kjo është koha e juaj për të vepruar.  Për ndryshe bëhet vonë. Mos tash, kur?

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …