Ilir Demalia: Letrën e Kadaresë dërguar Enverit e botova si reagim ndaj pseudo-intelektualëve që mbështesin manipulimet

Ilir Demalia: Letrën e Kadaresë dërguar Enverit e botova si reagim ndaj pseudo-intelektualëve që mbështesin manipulimet

Autori, që botoi letrën e Ismail Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës dhe që ngjalli debat në media, Ilir Demalia, shkruan se letra nuk kishte të bënte me mbrojtjen e motrës së shkrimtarit. Për Ilir Demalinë – i njohur si “lideri” i njerëzve që hynë në ambasada në vitin 1990 – çështja e motrës së Kadaresë ishte mbyllur, ndërsa letra është shkruar më vonë, kur Kadare kërkonte të dilte jashtë vendit. Kadare i kujtonte regjimit të gjithë besnikërinë e tij, duke përmendur edhe motrën, së cilën  ia kishte mbyllur derën.

Shkrimi i plotë

“Pse e botova letrën e Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës!

Letra drejtuar Enver Hoxhës nuk ka lidhje me mbrojtjen e së motrës.

Së pari, për t’ju përgjigjur pyetjeve se nga e kam marrë këtë letër, apo “konspiracioneve” të Ismail Kadaresë, se këto letra duket sikur kanë dalë nga kasaforta e Enver Hoxhës apo Nexhmie Hoxhës dhe Sigurimit të Shtetit, po ju përgjigjem: kjo letër është marrë nga Arkiva Shtetit si dokument i deklasifikuar dhe nuk përbën asnjë sekret. I vetmi “sekret” është se studies, historianë, apo më saktë, rrëmues-rrënues arkivash, si dhe gazetarë dhe pseudo-intelektualë me kulturën e manipuluesit dhe jo të studiuesit e të kërkuesit të së vërtetës i përdorin arkivat në mënyrë të njëanshme, për t’i shërbyer njerëzve të regjimit politik, kulturor të dje-sotmes, ndër të cilët kampioni është Ismail Kadareja.

Këtë letër dhe të tjera, kisha kohë që i disponoja. I kanë dhe të tjerë, dhe sigurisht i kanë parë edhe manipuluesit të biografisë së Kadaresë kur kanë rrëmuar në arkiva për “Kadarenë e denoncuar”.

Mendova që ta nxjerr këtë letër jo pse nuk e kuptoj kontekstin se si e kur është shkruar por mbi të gjitha si reagim ndaj kësaj kulture të së dje-sotmes, duke qenë se Ismail Kadare, prej vitesh nuk bën gjë tjetër, por në mënyrë të përhershme dhe të vazhdueshme, tjetërson duke manipuluar marrëdhëniet e tij me regjimin komunist, si njeriu që ka mbajtur mbi kurriz “Peshën e kryqit” ne diktaturë, dhe së fundi, në intervistën e “De Welt”, na tregon edhe se si regjimi Hoxhës i kishte përgatitur arkivolin.

E botova edhe si reagim ndaj gjithë atyre pseudo-intelektualëve të djeshëm dhe të sotëm që në vend se të thonë të vërtetën heshtin apo e mbështesin këtë manipulim si duket nga komplekset e të kaluarës së tyre. Sepse jam i bindur që janë të shumtë ata që e dinë se si kanë qenë realisht marrëdhëniet e Ismail Kadaresë me regjimin dhe vetë diktatorin Hoxha. Atë e tregojnë jo vetëm këto letra që kam botuar unë, por e tregon vepra e tij, publicistika e tij dhe qëndrimet e tij gjatë regjimit komunist.

Unë qëndrimet e mia ndaj Kadaresë, nuk i kam shprehur sot, por që  në gushtin e 1990, publikisht në intervistën e “Zërit Amerikës” kam thënë: Ismail Kadare nuk mund të jetë një Havel për Shqipërinë se ai ka thurur himne për partinë dhe Enver Hoxhën.

Kam shkruar vazhdimisht, se kujt i shërbeu ai me talentin e tij, për marrëdhëniet e tij me pushtetin si dje dhe sot, për rolin e tij si intelektual dhe shfrytëzimin që i bën dhe i ka bërë ai pushteteve në shërbim të së keqes.

Zhgënjyes ishte për mua qëndrimi i shumicës së njerëzve të medias pas botimit të letrës (në ndryshim nga njerëzit e thjeshtë që e komentuan atë në rrjete sociale) për të kuptuar më mire gjithë situatën dhe manipulimin. Kadare lëshoi menjëherë ushtrinë e sahanlëpirësve të tij dhe të regjimit duke rimanipuluar letrën dhe qëndrimet e tij. Në vend që të hapej nje debat (që duhet të ishte hapur me kohë), jo vetëm për qëndrimet politike dhe marrëdhëniet me pushtetin dje dhe sot të shkrimtarit, por edhe për veprën e tij letrare, media mundohet të na e tregojë këtë letër dhe gjithë marrëdhënien e tij me shtetin diktatorial të Enver Hoxhës si një marrëdhënie ku shkrimtari ka qenë gjatë gjithë kohës me gijotinën mbi kokë.

Letra drejtuar Enver Hoxhës nuk ka lidhje me mbrojtjen e së motrës. Dosja e së motrës ishte mbyllur ne vitin 1978 me një këshillim dhe, po në këtë vit është thirrur Kadare në Komitetin e Partisë së Tiranës nga Xhelil Gjoni për ti treguar rreth së motrës. Letra drejtuar Enver Hoxhës shkruhet në prill të 1980 nga shkrimtari Ismail Kadare. Pasi Kadare i kishte drejtuar letër qeverisë siç del edhe nga letra e Manush Myftiut dërguar Ramiz Alisë, shkrimtari Ismail Kadare i drejtohet Enver Hoxhës për të zgjidhur problemin e daljes jashtë shtetit siç dhe u zgjidh me urdhër të Enver Hoxhës. Për këtë i kujton edhe një herë shërbimet e mëdha që i ka bërë partisë, veçanërisht diktatorit me lartësimin e figurës së tij dhe për të treguar se sa besnik është i thotë se i ka mbyllur derën të motrës dhe i ka thënë të gjithë fisit të veprojë kështu. Kjo tregon vërtet kohën e tmerrshme që kemi jetuar, por edhe se çfarë intelektualësh kemi pasur, që e hyjnizuan këtë regjim, sepse regjimi nuk ishte vetëm Enver Hoxha.

E pamoralshme, turpshme për këtë media dhe për këtë varfërim intelektual për raportin me të vërtetën që pamë në këtë rast si shumë herë të tjera.

Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur në vendin tim në vendin tënd, është pikërisht kjo media që i shërben bandave politike si shpërblim financiar nëpërmjet krimit ekonomik të pushtetarëve. Është pikërisht kjo media që po shërben të keqes nëpërmjet manipulimit duke paraqitur të keqen, vjedhjen, abuzimin me pushtetin, krimin vulgaritetin kulturor, letrar si model suksesi.

Letra Manush Myftiut për çështjen Ismail Kadare për filmin “Gjenerali ushtrisë së vdekur” qe do xhirohej ne Francë që te kuptohet më e qarte e gjithë marrëdhënia e Kadaresë me shtetin diktatorial dhe vete diktatorin.

Bashkangjitur Relacioni që Isamil Kadare i dërgon Komitetit Qëndror lidhur me botimin e librit “Dimri madh” në Jugosllavi më 21.3. 1980

Relacion

Lidhur me botimin e romanit “Dimri i madh” në Jugosllavi.

Më 17 mars 1980 studiuesi i letërsisë botërore, Hasan Mekuli kërkoi një takim me mua për të më parashtruar një kërkesë të Shtëpisë botuese jugosllave “Prosvjeta” të Beogradit, e cila ka ndërmend të botojë të përkthyer në serbokroatisht romanin “Dimri madh”.

Qëllimi i takimit të Hasan Mekulit me mua, ishte që të merrte vesh në se unë si autor do të isha dakort që tekstit të romanit t’i bëhej ndonjë shkurtim prej Shtëpisë botuese “Prosvjeta”. Para ca kohe Shtëpia botuese franceze “Fayard” më njoftoi se ishte në tratativë me jugosllavët për botimin e “Dimrit te madh” në serbisht. Me sa duket, përpara se të vendosë përfundimisht për të bërë një kontratë, Shtëpia botuese jugosllave kërkon të dijë nëse autori do të lejojë të bëhet ndonjë heqje në tekst. Shtëpia botuese “Fayard”, në bazë të marrëveshjes me autorin, nuk lejon të bëhet asnjë shkurtim dhe prandaj botuesit jugosllavë kanë vënë si ndërmjetës Hasan Mekulin, për të nxjerrë lejen e shkurtimit direkt nga autori.

Kërkova nga Hasan Mekuli të informohem se për çfarë shkurtimsh bëhet fjalë, dhe ai tha se është fjala vetëm për disa pasazhe që kanë lidhje me Jugosllavinë. I thashë paraprakisht duke ruajtur rezervën që përgjigjen e saktë t’ia jap më vonë, se mund të diskutonim po t’ ishte fjala për pasazhe apo fragmente fare të shkurtër, të cilat do ti tregohen konkretisht autorit.

Hasan Mekuli tha pastaj se pas botimit në serbokroatisht, bëhej i mundur dhe botimi i romanit “Dimri i madh” në Kosovë.

Mendimi im si autor është që nëqoftëse shkurtimet janë të tillë që s’prekin asgjë ne thelbin e romanit (pasazhet pë Jugosllavinë nuk zënë më shumë se 3 ose 3 faqe), ato të pranohen.

Sidoqoftë për përgjigjen përfundimtare [pres mendimin tuaj).

Tiranë, më 17 mars 1980

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …