Përkujtohen dëshmorët: Idriz Halil Balaj, Milazim Musli Balaj dhe Sylë Ali Balaj

Kadri Veseli: Falsifikimet në listat e veteranëve përbëjnë një turp të madh

Në një letër, të cilën ua ka drejtuar Shoqatave të Luftës Çlirimtare, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli,  ka thënë se derisa dikush, përmes devalvimit të UÇK-së, synon t’i krijoj vetes vend të pamerituar në rrëfimin për lirinë e Kosovës, dikush tjetër, në emër të saj, përpiqet të përmbushë egon personale për pushtet dhe favore të tjera materiale.

“Për të parët UÇK-ja, si institucion moral, është pengesë, për të dytët është instrument personal”. Falsifikimet në listat e veteranëve, përbëjnë një turp të madh, të cilin nuk mund ta heqin hetimet e prokurorisë, por vetëm ndërgjegjja dhe guximi i secilit veteran për të treguar publikisht të vërtetën, pa marrë parasysh asnjë konsideratë apo lojalitet tjetër, përveç të vërtetës”.

Letër shoqatave të Luftës Çlirimtare

Të nderuar veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të dashur bashkëluftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Edhe pak ditë na ndajnë nga përvjetori i 18-të i përmbylljes së demilitarizimit të UÇK-së. Ishte shtatori i vitit 1999 kur njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një paradë madhështore, shënuan përfundimin e një epoke të lavdishme dhe fillimin e një epoke të re.

Ishin ditë krenarie të papërsëritshme, për secilin nga ne dhe çdo qytetar të Kosovës. Misioni për të cilin kishte lindur UÇK-ja ishte përmbushur, si asnjëherë më parë në histori. Pas shumë dekadash robërie dhe shtypjeje, Kosova ishte çliruar përfundimisht.

Krahas krenarisë edhe dhimbja ishte e madhe – kishim humbur mijëra bashkëluftëtarë. Mijëra civilë kishin humbur jetën dhe vendi ishte shkatërruar krejtësisht. Si çdo herë tjetër në histori, liria kishte ardhur përmes sakrificash të mëdha njerëzore dhe materiale.

Ato ditë shtatori, UÇK-ja po pushonte se ekzistuari fizikisht për t’u kthyer në vlerë shpirtërore të kombit tonë, në shenjë identifikuese të shtetit të ri që po bëhej gati të themelohej- Republikës së Kosovës.

Transformimi i UÇK-së nga një organizatë ushtarake në një vlerë shpirtërore kombëtare, ndryshoi edhe natyrën e sulmeve kundër saj. Në vend të tankseve dhe artilerisë, tani kundër saj filluan të përdoreshin mjete të tjera, propaganda sistematike e Beogradit zyrtar dhe qarqeve antishqiptare, shpifjet sistematike mediale, të brendshme dhe të jashtme, inskenimet gjyqësore, arrestimet e njëpasnjëshme të ish pjesëtarëve të saj me akuza të cilat njëra pas tjetrës provoheshin se ishin të pavërteta, qoftë nga drejtësia ndërkombëtare në Hagë, qoftë nga ajo në Kosovë.

Kërkohej me çdo kusht që rrëfimi madhështor për UÇK-në të përbaltej, të njollosej, të nxihej, me të vetmin qëllim -minimin e avancimit të lirisë së Kosovës dhe formimin e shtetit të pavarur dhe sovran të saj.

E gjithë kjo fushatë, nuk kaloi pa pasoja. Ato tanimë dihen fare mirë. Në fakt, kjo fushatë vazhdon edhe sot e kësaj dite. Me vetëdije, ose pa të, qëllimeve të saj janë duke i ndihmuar edhe interesat e politikës ditore dhe interesat e ndryshme klienteliste.

Derisa dikush, përmes devalvimit të UÇK-së, synon t’i krijoj vetes vend të pamerituar në rrëfimin për lirinë e Kosovës, dikush tjetër, në emër të saj, përpiqet të përmbushë egon personale për pushtet dhe favore të tjera materiale.

Për të parët UÇK-ja, si institucion moral, është pengesë, për të dytët është instrument personal.

Të dy palët, në fakt, operojnë me mjetet e falsifikimit e historisë së UÇK-së dhe për efekt kanë rrënimin e statusit të saj – si vlerë sublime e kombit shqiptar.

Të dashur bashkëluftëtarë,

Në veçanti ju që sot drejtoni shoqatat e veteranëve, të invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve,

A duhet që ta lejojmë këtë?

Me siguri se të gjithë e dimë përgjigjen e duhur dhe të vetme në këtë pyetje!

Jo nuk duhet ta lejojmë!

Faktet themelore flasin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte produkt ekskluziv i popullit të Kosovës. Ajo ishte “Made in Kosova”. Ajo lindi nga vullneti i popullit për t’i dhënë fund shtypjes dhe nga besimi i tij në mundësinë për ta bërë realitet lirinë. Duke qenë e tillë në origjinë, natyrshëm, çdo qytetar liridashës i Kosovës ishte, në një formë apo tjetër, pjesë e UÇK-së.

Ne që ishim në strukturat drejtuese dhe organizative, gjatë gjithë luftës, jemi përballur me faktin e mijëra e mijëra djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, që donin të vishnin uniformën e UÇK-së, por kjo pamundësohej nga armatimi i limituar dhe rrethanat reale të gjendjes së luftës.

Vullneti ishte i plotë, por mundësitë reale për një mobilizim total ishin tejet të kufizuara. Ne e dimë nivelin dhe shifrat reale të këtij mobilizimi.

Ne e dimë, gjithashtu, se këto shifra nuk përputhen me evidentimin zyrtar të veteranëve që është bërë së fundi. Shifrat zyrtare janë shumë më të mëdha se shifrat reale. Ky është fakt dhe kjo nuk është dashur të ndodhë, në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim, sepse me këtë është cenuar, në moralin e saj, vlera sublime e UÇK-së. Falsifikimet në listat e veteranëve, përbëjnë një turp të madh, të cilin nuk mund ta heqin hetimet e prokurorisë, por vetëm ndërgjegjja dhe guximi i secilit veteran për të treguar publikisht të vërtetën, pa marrë parasysh asnjë konsideratë apo lojalitet tjetër, përveç të vërtetës.

E vërteta dhe vetëm e vërteta është instanca që garanton mos cenimin e UÇK-së si vlerë sublime kombëtare.

Beteja kundër falsifikatorëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm të së vërtetës së UÇK-së, është betejë për vet shtetin e Kosovës, prandaj, ne duhet ta fitojmë pa mëdyshje atë.

Siç e thash më lart, në shtator të vitit 1999, UÇK-ja ka pushuar se ekzistuari fizikisht, për të filluar ekzistencën e saj si vlerë shpirtërore dhe morale.

Nga ajo ditë, për secilin pjesëtarë të saj, UÇK-ja është vetëm një kapital nderimi.

Çdo përpjekje, që është bërë, për ta shndërruar nderin në fuqi financiare apo politike, në esencën e saj, e ka dëmtuar statusin shpirtëror e moral të UÇK-së.

Këto përpjekje janë shfrytëzuar maksimalisht nga armiqtë e lirisë së Kosovës për t’i dhënë jetë propagandës së tyre se çlirimtarët e djeshëm të Kosovës sot janë zhvatësit e saj.

Sot, sfida jonë e përbashkët është të dëshmohet se e kundërta është e vërtetë.

Kjo sfidë kapërcehet vetëm duke respektuar parimin e njohur se meritat e të kaluarës nuk mund të shërbejnë kurrë si alibi për gabimet e të sotmes.

Është në moralin e secili komb që të nderojë ata që kanë bërë sakrifica për lirinë e tij, por, ky nderim kurrë nuk mund të kuptohet si mundësi për të drejta speciale për ta. Kur nderi vihet në shërbim të interesit material, ai pushon se qenuri i tillë.

Meritat e të kaluarës nuk mund të shërbejnë kurrë për të ndërtuar imunitet personal apo grupor nga ligjet e shtetit. Shteti është mbi të gjithë dhe i barabartë për të gjithë.

Këto janë parime mbi të cilat duhet të mbështetet ndërgjegjja e secilit veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo është mënyra më e mirë për ta mbrojtur dinjitetin e UÇK-së, e bashkë me të, edhe dinjitetin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …