(Reagim ndaj shkrimit të Rron Gjinovcit: UÇK – edhe ushtri çlirimtare klasore?)
Ushtria Çlirimtare ka bërë që Kosova të jetë shqiptare.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfundoi me rezultat të jashtëzakonshëm: me lirinë e Kosovës.
UÇK-ja u dha zemër e dinjitet shqiptarëve kudo në botë. Jehona e saj u ndie në gjithë botën shqiptare, dhe shumë përtej saj.
Sot nuk janë të paktë ata që po u leverdis të përmbysin të vërtetën për luftën çlirimtare
Të tillët me gënjeshtra shtojnë yndyrën e trupit dhe gënjejnë e mashtrojnë sepse s’mund të shkatërrojnë. Këta çudnarë, farëhedhës të mashtrimit, të përdhosjes së vlerave që na mundësuan të jemi këtu ku jemi asnjëherë nuk janë dymendjesh për të mashtruar dhe u gacojnë sytë nga mendimi se po thonë diçka të madhe, diçka që kërkon jo vetëm erudicion, por edhe kalorësi.
Duke u përpjekur të veçantohen me çdo kusht veremosin karakterin kombëtar e çlirimtar të luftës së UÇK-së duke u turrur në vraporen e shpifjeve pa qenë të vetëdijshëm se do të jenë mundimhumbur.
Duke u mbështetur në një sistem llomotitës, deklarativ të tillët synojnë të fusin sa më shumë lexues e dëgjues në kurthin e historisë duke përdorur e ripërdorur mashtrimin pa u bërë asnjëherë shqyrtim fakteve e as ndërgjegjes së tyre.
Duke dashur të jenë të rrethuar nga vëmendja synojnë të përmbysin të vërtetën duke e shfrytëzuar marrëzinë. Por kjo kapërcen mundësitë e tyre.
Duke bërë hamendjesime të pakripë i hipin anijes së të çmendurve që e luajnë rolin e të devotshmëve të së vërtetës duke u munduar të bindin lexuesit se lufta ishte gjithçka përveçse luftë për liri.
Duke e konsideruar veten superiorë ndaj bujqve fshatarë që luftuan, këta gojështhurur duan të vetafirmohen pa e kuptuar se përmes komplotit të mediokrëve bëhen sëmundjeprurës përmes ‘institucionalizimit’ të marrëzisë në Kosovë.
Njëri prej këtyre çudnarëve është edhe njëfarë Rron Gjinovci, i cili ‘përmes një shkrimi që paraqet përshtypje’, për luftën e UÇK-së jep ‘konstatime’ që as në gazetat e Beogradit s’mund t’i gjesh. Këtij njeriu përshtypja i thotë se lufta e UÇK-së ishte edhe luftë klasore; ky njeri, duke u mbështetur në përshtypje, do ta rrëzojë pikëpamjen zyrtare për luftën e UÇK-së!; ky njeri, duke u përpjekur t’i mbështjellë përshtypjet edhe me argumente, ka për qëllim të zhvleftësojë luftën falë së cilës ai jeton i lirë.
Ai thirr në ndihmë përshtypjen, ndërsa autori i këtij shkrimi mbështetet në përvojën e tij si pjesëtar i UÇK-së dhe natyrisht në argumente.
Përvoja dhe argumentet dalin lehtë fitimtare ndaj përshtypjeve dhe pa vështirësi të mëdha argumentojnë se lufta e UÇK-së ishte vetëm luftë për çlirim, po e përsëris: VETËM LUFTË ÇLIRIMTARE.
Hipoteza e Rr. GJ: ai në shkrimin e tij thotë ‘Në këtë shkrim do të mundohem të argumentoj se përveç shtypjes kombëtare ndaj shqiptarëve që zë vendin më me rëndësi në krijimin e vetëdijes kryengritëse, një rol shumë të rëndësishëm ka luajtur edhe pabarazia klasore mes vet shqiptarëve’. Ai pyet: Po sikur pakënaqësia klasore të ketë qenë arsyeja e vërtetë e rebelimit të klasës së bujqve fshatarë?
Shkurt Gjinovci e thotë se lufta e UÇK-së u nxit edhe nga pabarazia sociale, nga pakënaqësia klasore! Dhe ç’ndodhi? Shtypja krijoi vetëdijen kryengritëse (nuk e thotë vetëdijën çlirimtare); pakënaqësia klasore nxiti rebelimin (nuk e thotë robëria, okupimi nuk mund të duroheshin më); u rebeluan bujqit fshatarë (gati të thotë bujqit qytetarë), pra edhe fshatarë edhe bujq, se s’mund të ishin fshatarë studentë, fshatarë arsimtarë, fshatarë intelektualë. Shkurt u rebeluan ata që s’kishin asgjë as në xhep e as në mëndje.
Po luftën në Slloveni çka e nxiti, po në Kroaci? A mos edhe atje pabarazia sociale? Po le të kthehemi në luftën e Kosovës. Ç’ thonë statistikat? Statistikat thonë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ndër ushtritë më të shkolluara në botë. Një numër i madh i pjesëtarëve të saj ishin studentë e mësimdhënës që karakterizoheshin nga vetëdija e lartë kombëtare. Duke qenë studentë e mësimdhënës, nëse flitet për klasa, ata nuk merreshin me bujqësinë, ose bujqësinë nuk e kishin fushë parësore të aktivitetit jetësor.
Numri më i madh i pjesëtarëve të UÇK-së ishin të rinj (17-27 vjeç), prandaj ata nuk përbënin klasën e bujqve fshatarë, por përfaqësonin gjakun e valë të kombit që më nuk mund ta duronte robërinë; që përfaqësonin gjakun e ngritur peshë pas luftës titanike të Jasharajve; ata ishin pjesa më e ndërgjegjshme e kombit për faktin se lotët janë robëri dhe gjaku liri.
Pra, nuk kemi të bëjmë me pabarazi klasore apo ndarje fshat-qytet sepse në kohën e robërisë klasike (vitet ’90) varfëria ishte shumë më e rëndë në qytet se sa në fshat; pasiguria ishte shumë më e madhe në qytet se sa në fshat. Me një fjalë jeta në fshat ishte pak më e durueshme në kushtet e robërisë, sepse fshatari, gjatë viteve ’90, mund të mos shihte me muaj policë a ushtarë pushtues.
Lufta filloi në fshatra dhe jo në qytet jo për shkak të pakënaqësisë klasore, por për arsye praktike (strategjike, ushtarake). Lufta e UÇK-së ishte lufta e tretë e Kosovës kundër Serbisë (lufta e vitit 1924, 1945 dhe lufta e UÇK-së). Po përkujtojmë që të tri këto luftëra kanë filluar në fshat dhe jo në qytet. A mos edhe luftën e Azem Galicës dhe atë të Shaban Palluzhës e pat nxitur pabarazia sociale? Jo. Që të dyja janë nxitur nga masakrat e ushtrisë serbe dhe nga urrejtja për robërinë dhe dashuria për lirinë. Dashuria për lirinë ka qenë motivi i vetëm që ka ndezur luftën e UÇK-së.
Duke e ngatërruar të sotmen me të kaluarën Rr. GJ. thotë se …’ajo që po provoj të ngris është roli i kësaj armiqësie klasore në nisjen e konfliktit të armatosur nga ana e shqiptarëve (lexo: fshatarëve) të Kosovës.
Domethënë fshatarët nisën luftën jo pse s’mund të duronin rrahjet fyerjet, poshtërimin, varfërinë e shkaktuar nga okupimi, por e nisën ‘konfliktin e armatosur’, sepse s’mund të duroni pabarazinë fshat-qytet!!! A ka nevojë të kundërshtohet një pisllëk i tillë. Nëse pabarazia do të ishte shkak i kryengritjes atëherë sot do të kishte më shumë arsye për kryengritje kundër pabarazisë, sepse sot më shumë se para fillimit të luftës është e theksuar pabarazia shoqërore.
Margaritari tjetër gjenial: Rr. Gj. konstaton ‘Sjellja tolerante e krahut të luftës, apo më saktë e udhëheqësve e tyre me prejardhje nga klasa e të shtypurve, karshi Serbisë, është treguesi që për mendimin tim paraqet të vërtetën e qëllimit të kësaj lufte, nëse jo për pjesëmarrësit e saj në përgjithësi, atëherë përfundimisht për drejtuesit e kësaj lufte’.
A ka nevojë të thuhet se Serbia e kishte okupuar Kosovën; se Serbia i kishte robëruar dhe shtypur shqiptarët e Kosovës dhe jo një klasë apo shtresë të caktuar të shqiptarëve. Sipas Rr. Gj. nga kjo shtresë e shtypur dolën udhëheqësit e luftës së UÇK. Më tej: fakti që këta udhëheqës tregohen sot tolerantë me Serbinë dëshmon së ata nuk janë nxitur nga motive çlirimtare kombëtare, por nga motive të pabarazisë klasore. Rr. GJ. harron se njeriu është seria e veprave të tij, prandaj veprimet e sotme nuk do të thotë që shpjegojnë motivet e djeshme.
Rr. Gj-së i duket pak si tepër të thotë së të gjithë luftëtarët e lirisë ishin të nxitur nga motive që nuk janë atdhetare, prandaj thotë se nëse jo të gjithë atëherë sigurisht drejtuesit e luftës janë nxitur nga motivi i pabarazisë klasore. Strategji e thjeshtë për ta bindur lexuesin: nëse jo të gjithë udhëheqësit sigurisht. Fëmijërore, dashakeqëse e, pse jo, shumë djallëzore. Dhe, sigurisht, e pavërtetë.
Rr. Gj. ja pa pikë morali; pa pikë përgjegjësie; pa e kujtuar perëndeshën e drejtësisë; pa u kujtuar për të drejtën dhe të vërtetën për luftën çlirimtare ‘konstaton’ se është luftë ‘ që na paraqitet si kombëtare.
Ka një personazh të një libri i cili duhet të vrasë veten për të mbetur i drejtë. Mohuesit e luftës çlirimtare mund të çmenden, por historinë s’mund ta përmbysin. Pavarësisht se jam për kulturën e dyshimit mohuesit e luftës çlirimtare duket se po i vret prirja e pashuar për poshtërsi duke menduar se rriten duke zvogëluar të tjerët.
Përfundim: Lufta e UÇK-së nuk është luftë kombëtare për ata shqipfolës që nuk e ndiejnë veten shqiptarë. Të tillët kanë të drejtë ta ndiejnë vetën çfarëdo që duan, por nuk kanë të drejtë të mashtrojnë dhe të gënjejnë lidhur me karakterin e luftës çlirimtare.
Nëse ushtari i UÇK-së krenohet në jetë me diçka atëherë krenohet se ka luftuar për lirinë e kombit të tij; nëse i vjen keq për diçka, atëherë i vjen keq që këtë liri e gëzojnë edhe ata që me djallëzitë dhe gënjeshtrat që po përhapin lidhur me luftën çlirimtare nuk e meritojnë sakrificën e ushtarit të lirisë.
(Prof. dr. Bashkim Musliu është veteran i UÇK-së)