RKL

RKL: Gazetarë apo shërbëtorë të shërbimeve sekrete dhe të klaneve të bizneseve?

Një pjesë e madhe e asaj që mund të përkufizohet  si “Gazetari shqiptare”, me specifika dhe dallime nga gazetaria e vërtetë, (e cila është e  pajisur me kodin moral dhe intelektual), për dallim nga kjo, një pjesë e medieve ndër ne, është zëdhënëse  e klaneve politike,  klaneve të fuqishme të bizneseve dhe mujsharëve politikë dhe si e tillë  është një “monstrum gazetari”  në rritje,  që ka shpërfytyruar gazetarinë e vërtetë.

Gazetarët ndër ne, sidomos ata që mbahen “profesionistë”, që vetëquhen të tillë, pjesa më e madhe prej tyre, të cilët politika dhe biznesi i kanë shndërruar në gazetarë, u kanë themeluar mediet dhe i mbajnë në shërbim të “kazaneve” të tyre  politike e klanore, janë medie  ku zihen të gjitha të ligat, poshtërsitë, krimet, gënjeshtrat, makutëritë, babëzitë, yshtjet, sharjet, fyerjet, denigrimet, dhe të gjitha të ligat tok.

Ky soj i gazetarëve në përpjekje për të mbijetuar shihet e blihet ashtu si prostitutat dhe për më keq, një pjesë syresh u shërbejnë shërbimeve të huaja sekrete. Po të mos ishte kështu si mundet që një gazetar apo redaktor i një mediumi të publikojë dosjet sekrete të EULEX-it, dosjet e shërbimeve sekrete serbe dhe dosje të tjera të cilat janë të dedikuara për prokuroritë përkatëse.? Kemi të bëjmë me një inspektor, apo gazetar?

Ky soj i gazetarëve fshihet pas “burimeve të besueshme”,  të cilat nuk i zbulojnë madje as me kërkesë të organeve relevante. Gazetarët, sipas ligjeve në vendin tonë, kanë të drejtë të mbulohen me “burime interne” dhe t’ i mbajnë ato ngujuar, me qëllim për të realizuar qëllimet e tyre, për të qenë qind për qind të pavarur, madje  edhe kur gënjejnë dhe kur helmojnë opinionin me sensacione, fabrikime  dhe fushata ndër më të ndryshmet.

Ligjet në Kosovë, në pajtim me atë që emërtohet si “zhvillim i demokracisë” në vend,  gazetarisë dhe medieve përgjithësisht iu kanë dhënë pushtet të panevojshëm, shkatërrues e vetëshkatërrues, në radhë të parë  për interesa të klaneve kapitaliste, dhe në asnjë segment për mbrojtje  të interesave të Shtetit, Atdheut e Kombit, kategori të organizuara  dhe të domosdoshme ekzistenciale njerëzore e kombëtare.

Nuk mund të peshohet demokracia e një shteti me atë që në parim  quhet liri e shtypit, kur ajo liri pa fre e pa kontroll degjeneron, infekton dhe helmon publikun duke manipuluar lajmin, duke e gjymtuar e duke shtrembëruar atë dhe duke e afishuar për qëllime të caktuara, politike e klanore  sikur bëjnë mediet kryesore në Kosovë, Shqipëri e gjithandej.

 

Disa gazetarë në Kosovë, jo vetëm kanë lidhje me krimin e organizuar, por janë vetë kokat e krimit, janë bosët e tregtisë së zezë, janë matrapazët dhe shesin krunde për miell dhe  që fshihen pas profesionit të gazetarit, apo pas hijes së mujsharëve të politikës.

Është vetë politika klanore e interesit ekonomik e politik  që nxjerrë në sipërfaqe tarafe gazetarësh, zëdhënës  të përçudnuar të politikave antikombëtare, të cilët qëllimin e vetëm kanë përfitimin material dhe thellimin e kaosit në vend, sepse sa më kaotike të jetë situata politike dhe e sigurisë,  aq më shumë ka vend për tema, debate, për komente e analiza për opinione dhe zezona si këto, që i mbajnë mbërthyer para ekranve syleshët që u besojnë dhe i mbështesin. Dhe sa më kaotike të jetë situata aq më shumë përfiton Shteti, policia, prokuroria, gjyqet, organet e ndjekjes, avokatët, gazetarët që raportojnë për të gjitha këto e kështu me radhë.

RTK-ja, e cila financohet nga paraja publike nuk e ka subjekt qytetarin e Kosovës dhe problemet me të cilat ballafaqohet ai, por subjekt numër një të trajtimit, mbulimit me informata ka Qeverinë apo koalicionin qeveritar në pushtet. Në këtë medium me disa kanale më shumë improvizuese e virtuale, kanale të fragmentuara dhe të dedikuara pa adresë, ka pasur dhe ka dorë pushteti, sepse edhe e financon publikisht. Kështu kuptohet kjo në rezonin e drejtuesve të këtij mediumi, i cili në vend se të prodhojë dhe të shesë programe e aplikacione programore, blen programe, kontrabandon opinione, u jep  hapësirë gjysmakëve,  degjenerikëve dhe lë anash ajkën e mendimit filozofik e politik shqiptar. Vetëm në raste të veçanta ka mundur të jetë i pranishëm në RTK, simboli i Rezistencës Kombëtare Bacë Adem Demaçi.  Dihet se një kohë ka qenë edhe  drejtues i Bordit, por dihet po ashtu përse ka dhënë dorëheqje publikisht nga Bordi dhe RTK-ja. Këtë e fsheh RTK-ja, sepse  e manipulon lajmin dhe përpiqet ta deformojë realitetin. Pse nuk është i pranishëm në asnjë rast në studiot e RTK-së profesor dr. Rexhep Qosja, apo akademikë të tjerë, përveç atyre që u venë prapa mujsharëve të politikës?

Pse RTK-ja lidh marrëveshje me Radio-Kukësin duke e shpallur medium të vetëm që paska qenë në shërbim të luftës në Kosovë, kur ajo radio  asokohe nuk ka mbuluar me valë  as Anadrinin se lërë më Kosovën dhe injorohen mediet e vetme të luftës, Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovaress, që kanë qenë të vetmet mjete të informimit nga ku kanë marrë informata mediet më të mëdha të botës, sepse nuk kishte të tjera, nuk kishte asnjë burim tjetër të informimit në Kosovë, përveç RTS-së. Anashkalohet  edhe sot nga institucionet e vendit Radio-Kosova e Lirë, për mbrojtjen e zërit të së cilës  gjatë luftës kanë rënë 13 dëshmorë në mesin e tyre  edhe tre anëtarë të stafit.

Nuk është e thënë, madje nuk është fare e thënë që RTK-ja publike të bashkëpunojë me Radion-Kosova e Lirë, por kur ajo lidh kontrata me një Radio, sikur me këtë rast me Radio-Kukësin, për kontributin që i paska dhënë informimit gjatë luftës së UÇK-së, kjo bëhet me qëllim të caktuar, me qëllim të përpjekjeve për mbulimin e së vërtetës, me qëllim të injorimit të dy medieve të vetme, të cilat kanë dhënë program ditor në zonat e luftës, nën breshërinë e përditshme të armëve të forcave ushtarake e policore serbe.

Nga Radio dhe Agjencia i ka marrë lajmet jo vetëm Radio-Kukësi, por edhe RTSH-ja madje edhe mediet ndërkombëtare.

Ja cila është RTK-ja vetëm në këtë segment.

Dhe cila është gjendja kaotike,  që mbretëron në atë medium me rreth 800 të zënë me punë e di fare mirë Kuvendi i Kosovë, komisionet përkatëse, OJQ-të me të cilat bashkëpunon RTK-ja, e di kreu i Sindikatës së këtij mediumi, por askush nuk mund të ndërmarrë asnjë hap, në drejtim të përmirësimit të gjendjes sepse RTK-në e ka nën mbrojtje, dirigjim e censurim pushteti politik, ashtu sikur e ka pasur në vazhdimësi, në të gjitha vitet e pas luftës.

Dy TV-të e tjera TV-21 dhe Kohavision janë mediume klanesh të interesit politik dhe financiar, të cilat kanë thithur e thithin burime vendore e ndërkombëtare dhe të cilat anojnë herë majtas e herë djathtas, kah të fryjë era. Këto medie nuk trajtojnë tema kombëtare, nuk gjurmojnë të kaluarën, përveç asaj titiste, sidomos Kohavision, të cilën e drejtojnë bijtë e bijat e prokurorëve, ambasadorëve, policëve e gjykatësve të kohës së Titos e të Milosheviqit. Ndikimi në opinion i këtyre mediumeve pavarësisht sa shikohen nuk ka për qëllim krijim të opinionit në drejtim të  arsimit dhe  edukimit kombëtar. Temat që trajtojnë kryesisht i përkasin përditshmërisë, argëtimit, shpeshherë edhe pornografisë. Këto dy mediume nuk shfaqin filma dokumentarë për dëshmorë, përveç në raste të veçanta. TV-21 është i përmbajtur sa i përket luftës së UÇK-së, ndërsa Kohavision është medium ku lufta e UÇK-së është atakuar dhe atakohet për çdo ditë në debate,  emisione speciale dhe kudo ku gjendet hapësirë, e cila kurrë nuk ka munguar  me qëllim për deformimin e luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare kundër robërisë shekullore serbe. Atje këto ditë paralajmërohet me entuziazëm  ardhja e Epokës së Gjykatës  Speciale, për të cilën janë aq shumë të etur bijtë e bijat  i ish prokurorëve dhe ambasadorëve të Titos e të Rankoviqit.

 

TV-Klani i Baton Haxhiut, prodhim i jugo-mendësisë shqiptare-kosovare është një krijesë mediale  as mish as peshk në pikëpamje profesionale, por me një orientim të qartë të politikës së bashkim vëllazërimit dhe afrisë me faktorin serb dhe me serbët përgjithësisht.

Si ndodhi që një gazetar i dështuar i Kohës Ditore, i cili nga frika për bashkëpunim me regjimin serb, në pranverë të vitit 1999 u vetë shpall i vrarë dhe me ndihmën e regjimit të Milosheviqit iku në Gjermani, Ai nga atje  ku kërcënonte UÇK-në që kishte nisur luftën dhe kishte prishur paqen në Serbi dhe në rajon.  Baton Haxhiu flet për takimin e tij me kriminelin Stanishiq, madje tregon sesa  ishte frikësuar nga ai takim por kurrë deri sot nuk e ka bërë të ditur kush e kishte organizuar atë takim, cili duhet të ishte qëllimi i atij takimi dhe kush fshihej pas tërë asaj maskarade tradhtarësh e trutharësh që mendonin se  duhet të mundej UÇK-ja dhe të kthehej paqja në vend. Ai e heshtë me mjeshtri bashkëpunimin e tij me Kadri Veselin dhe SHIK-n, mbase për arsye të ndihmës financiare që i ka dhënë një segment i PDK-së, Tv-së së tij dhe tash in jep  Devolli. Se sa ka qenë dhe ka mbetur kundërshtar i UÇK-së Bato Haxhiu mjafton të prezantojmë vetëm një fragment nga letërkëmbimi tij me një gazetare nacionaliste serbe, në edicionin “Letër Liljanës”.

Baton Haxhiu: Do t’ju çudis nëse ju them që si publicist, gazetar, opinionbërës, kam qenë, jam dhe do të jem për themelimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së! Le të shkojnë të gjithë atje… Sepse rruga ime, rruga jonë, Liljanë  ka qenë, është dhe do të jetë, e ndërtuar mbi ideale që shkojnë përtej çdo lufte çlirimtare.( Letër Liljanës)  Rruga e tillë e Batonit me Liljanën ka kaluar përmbi dhjetëra mijëra jetë shqiptarësh të vrarë e të masakruar nga regjimi i Milosheviqit

Kjo gazetari e  këtij formati antikombëtar, që është edhe diçka më shumë se kaq, tashmë është  instaluar  në Kosovë, sidomos  në mediet që i kanë shërbyer dhe disa i shërbejnë edhe sot Serbisë dhe kthimit të saj në Kosovë. Nuk është rastësi që mediet, të cilat zhvatin miliona euro nga  burime publike dhe jo publike, pronarët e tyre janë gazetarë të ish shkollave komuniste të Kumrovecit, bijë dhe bija ambasadorësh jugosllavë, kumbarë të Stanishiqit, bijë prokurorësh të kohës së Milosheviqit, bijë spiunësh të ish-regjimeve dhe të këtij soji përgjithësisht.

Këto mbetje të ricikluara kanë prodhuar këtë mendësi gazetarësh skizofrenë.

Kjo përmbajtje ideologjike, nga e cila kanë dalë një staf gazetarësh dhe që janë të pranishëm në opinion, janë gazetarë mercenarë, të cilët shiten e blihen, sikur prostitutat në shtëpitë e tyre publike, të regjistruara e të paregjistruara.

Për fatin e keq në procesin, në të cilin po kalon vendi, kjo kastë gazetarësh, jo vetëm përfiton financiarisht, por iu ka dhënë  mundësia të krijojë monopol mbi gjykimin dhe shprehjen e lirë. Disa syresh për shkak se po kërcënohen virtualisht e ndonjëri edhe po rrahet apo po vetë shpallet i rrahur.

Policia e Kosovës, këtyre ta themi gazetarëve  si vetëmbrojtje u ka caktuar kohën për trajnim e më pas, pajisje me armë për vetë mbrojtje. Ja deri ku ka arritur regjimi në mbrojtje të jetës së gazetarëve, të cilët me angazhimin dhe gjuhen e tyre e kanë hak dajakun e munguar, në mos për tjetër për faktin se nuk janë gazetarë, nuk janë aspak gazetarë, por janë  mercenarë  hetues e hulumtues, që i futin hundët kudo, marrin nëpër gojë, përzihen në punët e familjeve, etiketojë, shajnë, përçmojnë dhe krejt këtë e bëjnë në  emër të  shprehje së mendimit të lirë. Kjo është gjendja e përçudnuar e këtij soji të gazetarëve, të cilët nxisin, gënjejnë, mashtrojnë dhe pastaj ankohen, nëse ndokush hakmerret në mënyrën e vetë jo demokratike, por sipas  zanatit të moçëm, sepse edhe pse ndërrojnë kohët, disa nga  zakonet mbesin, madje edhe kur janë të vrazhda…

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …