Gjon Bruçi

Gjon Bruçi: Historia njeh Heronj vetëm ata që kanë rënë për një çështje të madhe të Atdheut, pavarësisht regjimit…

Shkrimi me titull “Një luftë që s’ka mbaruar” i Pëllumb Kullës, botuar në gazetën “Dita” të datës 14 Nëntor 2017, pavarësisht nga pëlqimet apo mospëlqimet e lexuesit, mendoj se hap një temë interesante, e cila nuk duhet të kalojë pa vëmendje nga ana e intelektualëve, por edhe e lexuesve të thjeshtë.

Them interesante dhe madje e rëndësishme sepse bëhet fjalë për periudhën e konsolidimit të pushtetit popullor të dalë nga LANÇ, një periudhë 10 vjeçare, ku qytetarëve shqiptarë, të cilët kërkonin të shëronin plagët e luftës e të nisnin një jetë të re, iu desh të luftonin dhëmb për dhëmb kundër bandave të reaksionit.

Në këtë luftë “të dytë”, e cila përfundoi me fitoren e Pushtetit të popullit, ranë mjaft shqiptarë, të cilët sipas veprës që kryen, u quajtën nga koha disa Heronj, e disa armiq. Pikërisht këtë “hendek” të hapur para 6 – 7 dekadash midis shqiptarëve, autori na propozon që duhet mbushur, me qëllim që “Lufta që s’ka mbaruar”, më në fund të mbarojë!

“Qysh në krye të shkrimit, më saktë në një shënim të veçantë që përcjell titullin e tij, autori shkruan: “Shumë luftëtarë kanë dhënë jetën, për shkak të anës së gabuar në barrikadë, për shkak të urdhërave jo të studiuara të komandantëve në caktime pozicionesh apo urdhëra të hyrjes në beteja të pamundura. Ne, heroizmin e këtyre luftëtarëve do ta shikojmë të shkëputur nga gabimet. . .”!

Me modesti ndaj intelektualit të mirënjohur Pëllumb Kulla, krijimet artistike të të cilit unë i kam ndjekur e i ndjek me shumë endje, dua t’i kujtoj një shprehje të popullit e cila thotë: “Të rrimë shtrëmbur, por të flasim drejt”!  Ç’është e vërteta, mirë është që të rrimë drejt dhe të flasim drejt. Por populli e ka ditur se jo të gjithë i kanë mundësitë të rrinë drejt, kjo për arsye fizike apo morale qoftë, ndaj thënien e tij filozofike e ka përcjellë  me një “defekt” të domosdoshëm. Nëse autori do të marrë në konsideratë këtë thënie popullore, me siguri do të pajtohet me shumë nga mendimet e mia për çështjen për të cilën diskutojmë.

Bota ka njohur shumë trima të çartur, plot luftëtarë me emër, kordhëtarë të shkathët etj. etj., por jo të gjithë janë quajtur Heronj. Historia njeh Heronj vetëm ata që kanë rënë për një çështje të madhe të Atdheut e të popullit prej nga kanë dalë. Mercenarët, si ato të bandave diversioniste të viteve 1944 – 1954 nuk kishin asnjë motiv të qenësishëm në shërbim të popullit, përveçse motivin e realizimit të planeve të të huajve, tek të cilët kishin gjetur strehë dhe ishin të detyruar tu shërbenin.

Të paktën kapot e këtyre bandave diversioniste të atyre viteve, nuk ishin gjë tjetër veçse kontigjenti që gjatë LANÇ u vu në shërbim të pushtuesit dhe kur pushtuesi u mund, ata vrapuan pas tij si zagari pas të zot, me shpresën se me ndihmën e tij mund të riktheheshin përsëri në postet ku për qindra vjet soji i tyre kishte shtypur e shfrytëzuar popullin fukara.

Fakti që “Luftëtarët” në fjalë mbas arratisjes gjetën strehë pikërisht tek armiqtë historikë të shqiptarëve dhe që  prej tyre merrnin jo vetëm udhëzimet por edhe armët me të cilët bënin masakra mbi shqiptarët e thjeshtë dhe pasurinë e tyre, ua heq atyre të drejtën të quhen Heronj, pavarësisht nga guximi apo trimëria e treguar në luftën e tyre të dështuar. Por edhe trimëria e këtyre luftëtarëve ishte mjerane.

Në asnjë rast ata nuk luftuan ballas e në frontin e luftës kundër forcave të mbrojtes, por fshehur pas ferrave, duke vrarë kryesisht fshatarë të thjeshtë, gjer dhe gra e vajza, siç ishte rasti i Heroinave mirditore, të cilat i masakruan për të vetmen arsye se kishin shkuar në ndërtimin e Hekurudhës, apo në kurset kundër analfabetizmit.

Në vijim të “akteve” të këtyre “Luftëtarëve”, unë do të sjell një episod që lidhet me shtëpinë dhe familjen time në fshatin malor Lufaj të Mirditës. Në zbatim të Vendimit të Komitetit të Maleve, një komitë prej 30 – 40 diversantësh të komanduar nga kolonel Llesh Gjomarku (vëllai i Mark Gjomarkut), në një natë të errët të qershorit 1946 mbërriti në Lufaj të Selitës “për të pushkatuar para popullit të Bajrakut” fshatarin e thjeshtë dhe babain tim Zef Bruçi, i cili kishte marrë përsipër pa asnjë shpërblim detyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor.

Në pamundësi për ta kapur Kryetarin e Këshillit, banda na fjalë dogji shtëpinë e tij, duke lënë në dritë të hënës gratë dhe fëmijët e kësaj shtëpie. Po e pranojmë për një çast se babai im e meritonte pushkatimin, sepse kishte strehuar Bardhok Bibën me shokë. Po gratë dhe kalamajtë e vegjël të shtëpisë ç’patën bërë, që këta banditë “Luftëtarë” i lanë pa strehë?!

Autori i nderuar Pëllumb Kulla, me të drejtë shpalos shqetësimin  që edhe sot pas 7 dekadash, lufta verbale “midis luftëtarëve  të sigurimit”, përfaqësuar nga Asim Aliko, Mark Dodani, Hekuran Pobrati, Pal Melyshi, etj. dhe “luftëtarëve të bandave”, po vijon duke mos lënë shanse për “paqëtimin” e shqiptarëve apo për “mbarimin e luftës”!  Dhe si argument që kjo luftë verbale të mbarojë dhe hendeku midis luftëtarëve të të dy fronteve të mbushet e sheshohet, na sjell dy shembuj: njërin nga Lufta civile e amerikanëve, dhe tjetrin nga Spanja e vitit 1936.:

“Në asnjë rast, – shkruan autori, – në SHBA nuk përkujtohen heroizmat e amerikanëve mbi amerikanët e tjerë”. Dhe duke na sjellë shembullin tjetër më të afërt, autori kujton ligjëratën e Frankos në përkujtimin e një prej betejave të tij më të famshme: “E tani, – tha Gjeneralismi, – cilët do të nderojmë dhe cilët jo? Kush ishin mbi këtë truall të përgjakur dëshmorët dhe cilët ishin antidëshmorët?  Nuk ka dallim. Të dy palët janë dëshmorët tanë”.

Të dy shembujt e mësipërm, çalojnë nga një detaj mjaft i rëndësishëm. Në Luftën Civile të Amerikës, ashtu si dhe në Spanjë, luftëtarët amerikanë apo spanjolë nuk ishin vënë në shërbim të të huajve, siç ishin vënë “luftëtarët” e komitave tona të periudhës 1944 – 1954. Nëse autori ka harruar, po e kujtoj se për shëmbull, Kryetari i Komitetit famëkeq të maleve, kolonel Mark Gjomarku kishte qenë ministër i qeverisë fashiste në vitet 1939 – 1943. Dhe jo vetëm ai, por të gjithë kapot e bandave patën qenë të lidhur me njëmijë fije ose bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë të pushtuesit nazifashist. Është ky “detaj” që ua ndalon atyre mundësinë e shpalljes luftëtar Heronj.

Padyshim që meraku i Pëllumb Kullës për “Luftën që s’ka mbaruar” edhe pas shtatë dekadave, është i drejtë. Luftëtarët e bandave reaksionare, vërtet nuk mund të quhen Heronj, por nga ana tjetër, të gjitha mundësitë kanë qenë që, vepra e tyre e zezë të arshivohej në dosje dhe të mos gërgitej, siç thotë shkodrani. Se në fund të fundit edhe ata janë njerëzit tanë. Por gërgasit e kësaj “dosje” kanë qenë vetë personazhet e tyre; të mbeturit të gjallë apo trashëgimntarët e atyre që ranë në përpjekje.

Pas shtatë dekadash nga ajo kohë, pjesëtarët e bandave reaksionare të periudhës 1944 – 1954 ishin gati të harroheshin. Por ishin pikërisht ata vetë, pasardhësit e tyre e madje edhe politikanët e llojit Berisha, Nishani e kompani që personazhet e këtyre dosjeve të zeza i nxorën nga pluhuri i kohës dhe harresës për t’i “shndritur” me medalje e buste të pamerituara. Për të mos përmendur dëmshpërblimet me të holla, që shumica e këtye personazheve kanë marrë për meritat e vrasjes së rreth 650 shqiptarëve, shumica prej tyre ushtarë të thjeshtë, fshatarë e punëtorë të varfër, intelektualë që kishin marrë përsipër zhdukjen e analfabetizmit, gra e vajza që donin të martoheheshin pa e vendosur “thesin” mbi krye ditën e dasmës së tyre.

Në vijim dua t’i kujtoi autorit dhe një traditë të hershme të shqiptarëve të veriut: Sipas dokeve zakonore, në mortin e të vrarit mund të vinte edhe vetë vrasësi, pa patur frikë se do ta kërcënonin apo ta vrisnin. Por vrasësi duhej të vinte me pushkën me grykë poshtë. E kundërta ka ndodhur e po ndodh me ish diversantët dhe disa nga trashëgimtarët e tyre.

Jo vetëm vijnë me “grykën e pushkës” përpjetë, por madje duke kënduar e tundur verdhushkat e shpërblimit dhe diplomat e nderit pa nder, të akorduara nga pushtetarët perversë të tranzicionit shqiptar. Në këto kushte, sigurisht hendeku i ndarjes midis Heronjëve dhe Diversantëve nuk mund të mbushet dhe për pasojë as lufta nuk mund të mbarojë.

Sa për të shkruarit e moderuar të Mark Dodanit, apo gjuhën e intoksikuar të viteve gjashtëdhjetë të Luan Pobratit, lidhur me SHBA, unë do të mjaftohem me faktin se vetë personalitetet amerikane dhe Departamenti i shtetit, grupet diversioniste ndaj vendit tonë i kanë quajtur të jashtëligjshme. Nëse për emërtimin “grupe diversante” do të kërkohet një tjetër, atëhere për “Luftëtarët” që vinin me nëndetëse, apo hidheshin me parashutë për të vrarë, djegur e mbjellur panik në popull, termi më i saktë është “Grupe terroriste”.

I nderuar Pëllumb Kulla, jo më kot në titull të shkrimit tim modest vura fjalën e urtë të popullit: “Të rrimë shtrëmbër, por të flasim drejt”. Unë nuk mund ta gjykoj pozicionin tuaj të djeshëm, sepse nuk ju njoh nga afër. Mund të keni plotësisht arsye të qëndroni “shtrëmbër”. Por nuk keni asnjë arsye të mos flisni drejt. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një personalitet të artit, siç jeni ju.

Unë bashkohem me mendimin e zotit Xhevdet Shehu, shprehur në shënimin bri shkrimit tuaj në Dita, kur thotë se: “Përderisa ata (anglo-amerikanët) që organizuan atë mësymje  paraushtarake (banda diversioniste – shenimi im) kanë kërkuar ndjesë, besoj se nuk ka nevojë për sqarime dhe arsyetime të mëtejshme, aq më tepër për të justifikuar dekoratat e ish-presidentit Bujar Nishani në fundin e mandatit të tij”.

Dhe për ta mbyllur po me frazën e goditur të Zotit Shehu: “Turpi mbetet turp, dhe antishqiptarizmi mbetet antishqiptarizëm”. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …