Bardhul Mahmuti

Bardhyl Mahmuti: Me gjepura nuk hidhet poshtë raporti i ekspertëve!

Në intervistën ekskluzive për emisionin “Rubikon” të datës 5 dhjetor, Ambasadori i amerikan, Greg Delawie u prononcua për shumë tema aktuale që lidhen me çështjet e brendshme të Kosovës dhe raportet e Kosovës me fqinjët.

Nga të gjitha temat e trajtuara në këtë intervistë çështja e Marrëveshjes për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi që do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës dhe raporti i Komisionit të ri qeveritar nën udhëheqjen e Shpejtim Bulliqit u mediatizua më së shumti. Në mënyrë të veçantë u shkoqit cilësimi nga ana e zotit Delawie i gjetjeve të këtij komisioni si  « gjepura dhe shprehje latine për të fshehur të vërtetën ».

Është interesant dhe me vlerë të madhe të përmendet se në këtë intervistë Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë citoi thënien e gazetarit, satiristit dhe gjuhëtarit të madh amerikan  Henry Louis Mencken se « për çdo problem të ndërlikuar  ekziston një zgjidhje e thjeshtë, e qartë dhe e gabuar ». Në përputhje me këtë qëndrim të thellë dhe ironik kundër të gjithë atyre që nuk çajnë kokën se u japin drejtim të gabuar problemeve të ndërlikuara duke u munduar t’i zgjidhin në mënyrë të thjeshtë zoti Delawie thekson se « Të kërkosh një zgjidhje të lehtë për t’i hequr një vendi një copë dhe për t’ia dhënë një tjetri vetëm do t’i ndërlikonte gjërat dhe do t’i bënte ato më të rrezikshme ». Këtu zoti Delawie ka plotësisht të drejtë!

Por, ky konstatim i drejtë i Ambasadorit amerikan nuk shoqërohet, kur kemi të bëjmë me përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Në këtë rast, ai merr pozicion diametralisht të kundërt dhe zhvlerëson punën e ekspertëve duke i cilësuar rezultatet e tyre si « gjepura ».

Zoti Delawie e di fare mirë se të cilësohet puna e dikujt si « gjepura » nuk është as veprim e as fjalor diplomatik. Ky fjalor u shkon përshtati më shumë satiristëve si Henry Louis Mencken e jo diplomatëve.

Si diplomat dhe përfaqësues i shteti që gëzon respektin më të madh ndër shqiptarët Zoti Delawie nuk duhet të lëshohet në ironi të tilla, sidomos për situatat të cilat, siç thotë vet, « që do t’i ndërlikonin gjërat dhe do t’i bënin më të rrezikshme ».

Pa marrë parasysh se cili do të jetë rezultati i votimeve në Kuvendin e Kosovës, faktet që ka sjellë komisioni i ri qeveritarë dhe që dëshmojnë në mënyrë bindëse se Kosova ka pasur kontrollin efektiv të kufirit deri në Kullë dhe Çakorr; faktet se Kosova ka ndërtuar dhe mirëmbajtur rrugët e veta deri në Kullë dhe Çakorr; faktet se Kosova ka kontrolluar dhe mirëmbajtur pyjet e veta deri në Kullë dhe Çakorr dhe faktet e shumta që dëshmojnë se me Marrëveshjen e vitit 2015 një pjesë e territorit të Kosovës i jepet Malit të Zi nuk janë « gjepura dhe shprehje latine për të fshehur realitetin », por realitet i dëshmuar me ekspertizë profesionale që nuk mund t’i zhvlerësojë arroganca politike.

Zoti Delawie e di më mirë se shumëkush se kërkesa që të miratohet kjo marrëveshje me ndryshimin e kufijve të vitit 1974 është në përputhje me logjikën që problemeve të thjeshta t’u jepet një zgjidhje e ndërlikuar, e që në kontekstin e Ballkanit Perëndimor bartë rreziqe të mëdha.

Zoti Delawie duhet ta ketë lexuar edhe epitafin që ka shkruar Henry Louis Mencken: « Nëse, pasi të kem ikur nga kjo tokë, ju kujtohem një ditë…». Të shpresoj që nuk do të kujtoheni për arrogancën që treguat ndaj një komisioni ekspertësh të fushës për të cilën janë kompetent dhe kërkesën « për t’i hequr një vendi një copë dhe për t’ia dhënë një vendi tjetër. Kosovës dhe Malit të Zi, si dy shtete me fqinjësi të mirë, u duhet të përmbyllin çështjen e përcaktimit të vijës kufitare në atë mënyrë që vërtetë të mbetet një vijë në hartë përderisa në realitet të kemi një qarkullim të lirë të qytetarëve, vlerave kulturore dhe mallrave. Perspektiva e përbashkët euro-atlantike nuk duhet t’i ndërlikojë çështjet e thjeshta e hiq më pak t’i bëjë të rrezikshme.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …