Ministri, Demolli priti asistentin për Operacione të Sekretarit gjeneral të NATO-s, Patrick Turner

Ministri i ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), zotëri Haki Demolli me bashkëpunëtorë, priti në takim zyrtar Asistentin për Operacione të Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, zotëri Patrick Turner.

Fillimisht, Ministri Demolli në emër të Ministrisë dhe FSK-së e falënderoi përfaqësuesin e NATO-s për kujdesin dhe angazhimin që ka treguar NATO-ja rreth ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Republikën e Kosovës nëpërmjet KFOR-it, si dhe falënderoi për angazhimin e vazhdueshëm të dy ekipeve këshillëdhënëse që Pakti Veri-Atlantik ka ofruar për Ministrinë dhe FSK-në, siç janë Ekipi Këshillues i NATO-s për Ministrinë(NAT),  dhe Ekipi Ndërlidhës Këshillues i NATO-s për FSK-në.

 

Ministri Haki Demolli gjithashtu e njoftoj zotëri Patrick Turner mbi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me KFOR-n në një varg operacionesh të përbashkëta si: kërkim shpëtimi në lumin Ibër, ndërtimi i urës tek Manastiri i Deçanit, operacioni i zjarr fikjes në pyjet e Dragashit, e një varg aktivitetesh tjera në të mirë të popullatës së Kosovës.  Zotëri Demolli e theksoi gjithashtu rëndësinë takimeve të përbashkëta me Komandantin e KFOR-it, gjeneral Guglielmo Luigi Miglietta për harmonizimin e aktiviteteve të përbashkëta për të ardhmen si dhe transparencën për angazhimet në procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës(FSK). Ministri Demolli i shprehu Asistentit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Patrick Turner, vizionin e Republikës së Kosovës për stabilitet në vend, rajon dhe më gjerë, e në veçanti e ritheksoi aspiratën e vendit tonë për anëtarësim në NATO si dhe integrim në Bashkimin Evropian.

 

Ministri i Ministrisë për FSK, zotëri Demolli gjithashtu i shprehu Asistetit Turner interesimin që marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe NATO-s të thelloheshin dhe kjo të bëhej nëpërmjet vendosjes së një dialogu politik  në nivel ministror. Thellimi i këtyre marrëdhënieve nëpërmjet hapjes së një zyre ndërlidhëse në mes të Republikës së Kosovës dhe NATO-s si dhe shtimi i prezencës civile të NATO-s në Kosovë do të ishte thelbësore në prag të transformimit të FSK-së në FAK, theksoi Ministri Demolli.

 

Ministri Haki Demolli e njoftoi zotëri Turner mbi procesin e transformimit, fazën në të cilën jemi aktualisht si dhe për vizionin e tij për ndërtimin dhe zhvillimin e një Force profesionale me kritere dhe standarde të NATO-s , Forcë e të gjithëve si dhe e besueshme, duke e njoftuar zotëri Turnerin edhe rezultatet e matjeve të opinionit publik në Kosovë ku MFSK-ja dhe FSK-ja kanë dalë si me të besueshme.

 

Gjithashtu edhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama në takim tha se Forca e Sigurisë është e gatshme të mbështesë autoritetet civile dhe të gjithë qytetarët e vendit pa dallim,  dhe se FSK është e interesuar që këto kapacitete që ka aktualisht ti mbajmë edhe më tutje dhe ti zhvillojmë e gjithashtu të punojë për procesin e transformimit të FSK-së në FAK.

 

Për përgatitjen e procesit të transformimit, shtoi  gjeneral Rama, ne kemi punuar ngushtë me DIR-in nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA) si dhe me ekipet e NATO-s NAT dhe NLAT. Si rezultat i kësaj pune të përbashkët ne tani kemi një draft plan final të transformimit.  Në këtë draft plan tha Komandanti i FSK-së janë paraparë personeli, pajisjet si dhe buxheti përfshirë këtu edhe buxhetin shtesë dhe se FSK-ja është e gatshme të filloi me procesin e transformimit kurdo që vendimmarrësit politik vendosin për këtë.

 

Në fund, gjenerallejtënant Rrahman Rama u shpreh i gatshëm që përpos gatishmërisë për pjesëmarrje në operacione të përbashkëta të trajnimit, me kapacitetet që ka aktualisht FSK-ja të kontribuojë në ruajtje të paqes kudo ku paraqitet nevoja, duke e garantuar asistentin e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s se FSK-ja do të jetë transparente dhe bashkëpunuese me Qeverinë e vendit, NATO-n dhe partnerët tanë strategjik gjatë procesit të transformimit.

 

Nga ana e tij, zotëri Patrick Turner, Asistent i Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s tha se ka kënaqësinë që ka vizituar Republikën e Kosovës e në veçanti Ministrinë dhe FSK-në. Asistenti Turner gjithashtu tha se i gëzohet nivelit të Bashkëpunimit të MFSK-së dhe FSK-së me KFOR-in, si dhe gjithashtu nivelit të shkëlqyer të bashkëpunimit dhe koordinimit të MFSK-së dhe FSK-së me dy trupat e NATO-s këtu, NAT dhe NLAT, mekanizma këta që së shpejti do të shkrihen në një të vetëm dhe se do të vazhdojnë të qëndrojnë këtu.

 

Asistenti për Operacione i Sekretarit të NATO-s, zotëri Turner tha se aktualisht qëllimi i NATO-s është që KFOR-i në Kosovë të mbaj këtë numër dhe këto kapacitete dhe theksoj gjithashtu faktin se misioni i NATO-s në Republikën e Kosovës është misioni i dytë më i madhi për nga numri, kapacitetet, etj.

 

Në fund, Patrick Turner tha se në plan afatgjatë NATO-ja është e përkushtuar për Kosovën  dhe se Kosova e meriton të jetë në familjen Euro-atlantike. Ai tha  gjithashtu se NATO-ja është e interesuar të qëndrojë këtu në mënyrë që rajoni i Ballkanit të jetë i stabilizuar dhe i integruar.

 

Në takimin ishin të pranishëm nga MFSK-ja edhe zëvendës ministri Muhamet Latifi, zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, si dhe këshilltari ushtarak i ministrit, kolonel Fadil Hadergjonaj.

 

Ndersa nga delegacioni i NATO-s, ishin drejtori i NAT-it, Dominic-Haydn Braithwaite, drejtori i NLAT, gjeneral Stefan FIX, zonja Silvia Maretti, oficere për stafin ndërkombëtarë dhe zotëri Carlo Giunipero.

Kontrolloni gjithashtu

Sot pritet të përmbyllet rinumërimit të vendvotimeve dhe vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura jashtë vendit

Arbër Jashari: Manipulimi i votave të hetohet deri te urdhërdhënësit, jo vetëm te numëruesit

Pas mospërputhjeve të mëdha të zbuluara nga rinumërimi i votave në disa komuna, avokati Arbër …