Ramiz Lushaj: Pse Sadri Mehaj i Hotit braktisi takimin zyrtar të Nju Jorkut me ministrin e Diasporës të Kosovës

Ramiz Lushaj: Pse Sadri Mehaj i Hotit braktisi takimin zyrtar të Nju Jorkut me ministrin e Diasporës të Kosovës

Ajo çka ndodhi më 5 shkurt 2018 në New York, me aq sa lexova te portali i ri “Plava e Gucia sot”, vërtet të befason, ishte në kufijtë e skandalozes, shprehi fytyrën reale të klasës së sotme politike shqiptare në siujdhesën ballkanike.

Pyetjes së atdhetarit Sadri Mehaj i Hotit: Çka ka bá shteti i Kosovës për Rrugën Deçan-Plavë, pasi është prerë qe katër vite shiriti i Inaugurimit të fillimit të punimeve nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi e, në fakt, janë hapur vetëm 3 km rrugë ?!”, zv/kryeministri e ministri i Diasporës e Investimeve Strategjike të Kosovës, Dardan Gashi, që ka krye Universitet në Vjenë dhe për Komunikim, dialogoi me ironi duke u keqpërgjigj skuthnisht se ai nuk qenka kompetent të flasin për projekte infrastrukturore…!

Kurrë nuk mund ta kuptoj se si mundet Dardan Gashi të shprehet kështu, kësisoj, ndërkohë që ai, aktualisht, është Zëvendëskryeministër i shtetit të ri të Kosovës prej shtatorit 2017.

Dardan Gashi i sotëm në vitet 2011-’14 ishte një nga anëtarët e Qeverisë Thaçi, ishte ministër i Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, çka do të thotë se ai e ka ngritë dorën para pesë viteve kur u mor vendimi i Qeverisë së Kosovës për fillimin e përfundimin e kësaj rruge me rëndësi gjeostrategjike. Pra, ai e ka njoft mirë projektin e saj, ka dhe miratimin e tij. Sikurse dhe të ministrit të atëhershëm të Infrastrukturës, Fehmi Mujota. Ndaj nuk mund të hiqet si “i paditun” rreth saj, nuk mund të thotë se nuk është kompetent të flasin rreth saj (!)

Ky zv/kryeminstër e ministër i dyfishtë, aty në New York, nuk duhej të nxirrte yçkla e të hidhte vickla, por të jepte llogari para Diasporës Shqiptare në Amerikë.

E para: pse në mbi 3 vjet u hapën veç 3 km rrugë nacionale, nga këto vetëm gjysma e asfaltuar dhe në tanësinë e saj me disa të meta në parametrat e duhur ndërkombëtar të një rruge të tillë nacionale?!

E dyta: ku janë 50 milionë Euro të premtuara për rreth 5 vite për hapjen e kësaj rruge gjeo-strategjike ndërkombëtare?! Ju, si Qeveri, i rrudhët fondet aq shumë e aq keq sa do të duheshin dekada kohë me i përfundua 20 km të kësaj rruge gjeo-strategjike (!) Deputetja Time Kadriaj, tha këto ditë në Kuvendin e Kosovës, se këto fonde “s’do të mjaftonin as për vendosjen e shenjëzimit të saj me vija”!

E treta: përurimi i fillimit të punimeve u krye më 25 shtator 2014 kur Hashim Thaçi ishte kryeministër në detyrë, çka do të thotë se atëherit e keqpërdorët këtë event për nevojat tuaja politike qeveritare ma shumë se për interesat kombëtare të shqiptarëve në Kosovë e në Malin e Zi, si dhe në Shqipëri. Këtë e vërtetoi koha deri më sot.

Përndryshe, ma hapët, ma troç: Dardan Gashi nuk mundet t’i justifikohet askujt e asnjëherë, as në kullën e Kryeministrisë në Prishtinë, as në “Royal Regency Hotel”, Yonkers – NY në Amerikë, se “nuk është kompetent për projekte infrastrukturore si Rruga Deçan-Plavë” (!).

Gjithkush e dinë se një Rrugë Ndërkombëtare si kjo Deçan-Plavë, nuk do të mundtte askush, as vet Kryeministri Thaçi, me ia pre shiritin e përurimit të fillimit të punimeve më 25 shtator 2014, për pa pasë leje me firmë e vulë dhe nga Ministria e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor të Kosovës.

E, këso kohe, atëherit, Dardan Gashi ishte ministër i kësaj ministrie prej janarit 2011 e deri më 2014. Pra, domethanëse, ai në kuadrin e detyrës së tij e ka pá projektin e kësaj Rruge Ndërkombëtare Kosovë-Mali i Zi deri në detajet e praktikat ma të thjeshta e të vogla të saj.

Ministri i Mjedisit Dardan Gashi, prej kaherit, kishte njohuri të plota për krejt projektin e Rrugës panshqiptare Deçan-Plavë, pasi ai e vetpohon në memuare, kumtime e CV e tij se është marrë shumë me Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, i shtrirë në mbi 62 mijë km2 në territorin e komunave Deçan, Junik, Gjakovë, Pejë, Istog, në këto anë të Rrafshit të Dukagjinit, nga ku trupon dhe Rruga Deçan-Plavë.

Ky Dardan Gashi, ministër aktual i “Qeverisë Haradinaj”, prej nga shtatori 2017, nuk duhej t’iu thoshte Diasporës Shqiptare në Amerikë, se nuk është kompetent me fol për Rrugën Deçan-Plavë. Pse?

Ai ka dijeni të plotë për rifinancimin e kësaj Rrugë në buxhetin e vitit 2018, pasi si anëtar qeverie i ka ra me e ngrit dorën e dakortësisë dhe atij.

Ai, D. Gashi, ndoshta nuk donte me ua çue lezmen prej në Amerikë, me ua prishë qejfin ish-kryeministrave Thaçi e Mustafa, të cilët i ulën investimet e planifikuara padrejtësisht e poshtalakisht, aq sa në vitin 2017 nga 300 mijë Euro “u ndanë vetëm 50 mijë Euro”, sipas Institutit GAP.

Them se zotnia e tij, D. Gashi e kishte për detyrë shtetërore, e kishte mision kombëtar e qytetar, ishte kompetent dhe e kishte kompetencë, t’iu thoshte edhe Shqiptarëve të Amerikës, se Qeveria Haradinaj, për vitin 2018, ka planifikua dhe u miratuan në buxhetin e shtetit të Kosovës 2. 4 milionë Euro. Nuk janë pak. Kjo është meritë e vet kryeministrit Haradinaj e Qeverisë së tij, minus ministrin D. Gashi që nuk donë me e vnue në dukje këtë fakt të ri tek bashkatdhetarët e tij mërgimtarë në Amerikë.

Këto ditë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha në Kuvendin e Kosovës, se “Rruga do të përfundojnë brenda dy viteve, deri më 2019”, “Buxheti i kësaj rruge do të shtohet deri në 50 milionë Euro”. Ky është objektiv i ri i Qeverisë Haradinaj. Siç duket dhe pyetja, debati e qëndrimi i atdhetarit Sadri Mehaj i Hotit, publikimi i madh mediatik i këtij rasti sarkazmë e skandaloz të zv/kryeministrit e ministrit të Diasporës e Investimeve Strategjike të Kosovës, dha sadopak ndikimin e vet në thirrjen e një interperlance me ministrin e Infrastrukturës së Kosovës, në bamjen zyrtare e publike të këtyre hapave, shifrave, etj.

Dardan Gashi, njëherësh, është dhe Ministër i Investimeve Strategjike të Kosovës.

Kjo është e mira për atë dhe e keqja e madhe për Kosovës, për Malin e Zi, për Shqipërinë, përderisa ky ministër Rrugën Ndërkombëtare Panshqiptare Deçan-Plavë nuk e sheh si një investim strategjik. Aq ma keq, se dhe në Amerikë nuk e quan veten kompetent me fol për këtë rrugë gjeostrategjike, që gati ka moshën e Dardan Gashit që hyn e del nëpër letrat e qeverive në Beograd, Prishtinë e Podgoricë.

Rruga Deçan-Plavë është pjesë e “Unazës Turistike të Alpeve”, nga brigjet e Drinit të Bardhë e të Bashkuar e Tuz deri në Plavë-Guci e Pejë, nëpër disa unaza të tilla përgjatë lumenjve të Moraçës, Cemit, Valbonës, etj. Thuhet se kjo rrugë e shkurton rreth 30 km lidhjen e Kosovës me Malin e Zi, sepse lidhja e Plavë-Gucisë me Kosovën, ka pas e ka përgjithmonë rëndësi jetike për zhvillimin e ekonomisë e kulturës, për arsimimin, për lidhjet e gjakut të vjetra e të reja, për mos asimilimin nga shovinizmi serbë, malazez e boshnjak. Kurrkush nuk duhet me e harrue Plavë-Gucinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të betejave historike të Nokshiqit e Pepajve, po as Plavë-Gucinë e ditunisë, pasi në kohë të afërt, Akademia e Shkencave e Arteve të Kosovës, Gucia vinte e dyta, pas Gjakovës, në numrin e akademikëve të saj.

Vet Hashim Thaçi, më 25 shtator 2014, në përurimin e fillimit të punimeve të Rrugës Deçan-Plavë, tha, ndër të tjera, se kjo rrugë ka rëndësi gjeostrategjike të gjithanshme sikurse autostrada që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe ajo që lidh Prishtinën me Shkupin. Pra, sotpërsot, Kosova, shteti i ri i Kosovës, ka veç tri rrugë kryesore, prioritete të tij. Njana është krye: Autostrada “Ibrahim Rugova”. Tjetra është e do të bahet ma e mirë e ma e madhe dhe me fonde të Bashkimit Europian. Vetëm njana ka mbetë aty ku ishte në vitin 2014, tek shiriti i përurimit të fillimit të punimeve.

Edhe Dardan Gashi ka ecë nga ministër i Mjedisit e Planifikimit Hapësinor në Zëvendëskryeministër e ministër i Diasporës e Investimeve Strategjike të Kosovës po Rruga Deçan-Plavë ka mbet aty ku ishte, gati ashtu siç ishte më 2014.

Shumë tituj të mëdhenj zyrtar të trefishtë i ka dhanë kryeministri Ramush Haradinaj me të tjerët, si zv/kryeministër, ministër i Diasporës, ministër i Investimeve Strategjike të Kosovës, po në takimin zyrtar të Amerikës, Dardan Gashi u tregua “i vogël”, veçmas kur ra fjala për Rrugën Deçan-Plavë (!)

Dardan Gashi si ministër i Diaporës së Kosovës, duhet të dijnë ndërgjegjshëm ose duhet ta mësojnë përdhunshëm Shteti i vet e Diaspora se si të sillet me kulturë e me burrni me Diasporën në Amerikë e kudo tjetër, sepse akti i tij në New York është i paprecedent në politikat e Kosovës me Diasporën e vet dhe i tregon “cenet” e ekstremitetet e këtij ministri në fjalë dhe që të lenë pa fjalë…!

Përndryshe, atë e ndjekin nga pas pyetje si këto të Sadri Mehajt tek portali “PlavaeGuciasot”: – Vallë për çka vjen Minstri i Diasporës kur nuk i dëgjon hallet tona?! Po, a dinë ky zotëri, se aty ku ai është sot ministër i Kosovës, ka ardhur edhe falë punës së Diasporës dhe të kontributeve të këtyre njerëzve që ky i ironizon sot?! Vallë, këta ministra a kanë në trupin, mendjen e shpirtin e tyre farë atdhetarie apo janë njerëz klubesh dhe gjak shitur…?!!!”

Diaspora e Amerikës e mirëprêt Dardan Gashin si një nga zv/kryeministrat e ministër i Diasporës e Investimeve Strategjike të Kosovës, pasi atij personalisht kur hyn e del në takime ndodh që nuk ia dijnë as emrin real, si në takimin me drejtues të shkollave shqipe “Alba Life” në New York (4 shkurt 2018) dhe, nji ditë ma pas, në gazetën dygjuhëshe elektronike e print “Illyria”- e vetmja gazetë shqiptaro-amerikane, si dhe në shkrime në gazetat elektronike “Tribuna Shqiptare” në Kanada, “Voal Online” në Zvicër, etj.. e cilësojnë “Dritan Gashi”!

Në fakt në kohën kur lindi Dardan Gashi në Kosovë, Josif B. Tito në Beograd i kishte rá “vizë të kuqe” Rrugës Deçan-Plavë, e cila ishte fut në planin 5-vjeçar 1971-’75, sëbashku me dy rrugët e tjera: Prizren-Tetovë (drejt Maqedonisë) dhe Gjilan-Preshevë (me Serbinë Jugore-Kosovën Lindore). Nga të tria rrugët e Kosovës, atëherit, vetëm Rruga Deçan-Plavë nuk u hap se Tito thoshte: “nuk do të ndërtojmë rrugë me u lidh me Shqipërinë”, sepse rruga kalonte përskej kufinit vrri-bjeshkë me Tropojën.

E, prej asokohe, në mbi katër dekada, as Tito e as Millosheviqi, asnji nga ministrat e tyre sado kundërshqiptar tregoheshin, as këta të sotmit–Vuçiqi në Beograd e Gjukanoviqi me Markoviqin në Podgoricë e ministrat e tyre, nuk kanë folë kësisoj si Dardan Gashi – nji herë zv/kryeministër e dy herë ministër i Shtetit të ri të Kosovës! Asnjë prej tyre nuk ka thanë se nuk janë kompetent, përkundrazi në çdo ditë të jetës së vet, deri më sot, kanë shfrytëzue çdo kompetencë të tyre për të mos e lejue hapjen e Rrugës nacionale Deçan-Plavë.

As Popi Sava Janjiq i Manastirit të Deçanit, nuk flet si ky Dardan Gashi – ministri i Kosovës së re të pasluftës, përkundrazi Popi me veladonin ortodoks sllav, tregohet gjithnji kompetent sepse e ka pengue këtë rrugë ndërkombëtare, që e lidh Kosovën me Malin e Zi, si dhe me Shqipërinë në vendkalimin kufitar e doganor të pritshëm të Qafë Vranicë (Plavë) e Çerem (Tropojë).

Vetëm në një takim, organizuar para disa viteve, me nismen e ambasadorit amerikan Kristofer Dell, me Përfaqësuesin Special të BE në Kosovë, sllovenin Samuel Zhbogar, kryeministrin Hashim Thaçi e kryekomunarin e Deçanit, Rasim Selmanaj (tani deputet i Kuvendit të Kosovës), Popi i Manastirit të Deçanit u detyrue me hesht atypëraty, po tevona e deri tashti e sabotoi këtë rrugë duke i detyrue Shqiptarët me e devijue projektin fillestar, me ia zgjat kilometrat, me ia rritë koston e investimit të ndërtimit të saj. Kjo cështje lipset t’i kalojnë prokurorisë e gjyqësorit të Kosovës.

Popi Sava Janiq kurrnjiherë nuk tha e nuk thotë si Dardan Gashi, se “nuk jam kompetent për Rrugën Deçan-Plavë”, përkundrazi ai nuk linte gurë pa lëvizur dhe takonte gjithata ambasadorë të huaj në Prishtinë e gjetkë për të penguar e sabotuar këtë rrugë që kalonte me projekt nëpër territorin e sotëm të Manastirit të Deçanit, që shkonte drejt krahinës etnike shqiptare, historike, kulturore e turistike të Plavë-Gucisë. Ky Pop sllav ishte nga ata që e krijoj ndër vite mjergullnajën e problematikën se “Ndërkombëtarët po pengojnë Rrugën Deçan-Plavë” !

Dardan Gashi i ka emër e mbiemër të dy fiseve të mëdha iliro-shqiptare, është dy herë ministër e një herë zv/kryeministër i Kosovës, mbi të gjitha është shqiptar i Dardanisë Antike e Moderne, ndaj duhet të flasin pa ia nda për Rrugën Deçan-Plavë, të cilën as Bashkimi Europian nuk e fut në projektet e veta infrastrukturore, sepse vet BE ka ra nën ndikimin sllavo-lindor në lidhje me Kosovën. A e di pse? Asnjë rrugë autostradore nacionale e ndërkombëtare nuk e ka financue për lidhjen e Kosovës me Malin e Zi dhe me Shqipërinë, po veç në ato rrugë autostradore që e lidhin Kosovën me Serbinë e me Maqedoninë, në ato që e lidhin Serbinë me Malin e Zi, në ato që e lidhin Maqedoninë me Bullgarinë, etj.

Në atë takim zyrtar të 5 shkurtit 2018 në New York ishte i pranishëm dhe Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko – ministër i Qeverisë “Rama 2” në Shqipëri, i cili gjatë pyetjeve e debatit të Sadri Mehajt – si përfaqësues i atyshëm i Batalionit “Atlantiku” me ministrin Dardan Gashi, ndërhyri duke thënë: “Ne, Shqipëria, e kemi kryer punën tonë dhe e kemi lidhur Plavë-Gucinë me Shqipërinë”. Prapë, dhe ministri Majko nuk ishte i saktë, nuk foli aq drejtë. Pse? Nuk është vetëm Çështja e Rrugës Shkodër…-Vermosh-Guci-Plavë, e cila u krye pas mbi një dekade punë që meriton përgëzime atdhetarie. Çështja është dhe Rruga Deçan-Plavë si një Rrugë gjeostrategjikë që i lidh tre shtete, jo vetëm Kosovën me Malin e Zi, por dhe me Shqipërinë me anë të Bjeshkëve të Bekuara (Nemuna), me anë të kalimit kufitar e doganor të Plavës me Tropojën. Duhet të interesohet dhe kryministri aktual Edi Rama sa ish kryeministri Sali Berisha. Gjithashtu, duhet të hapet pika kufitare e doganore Vranicë-Çerem (Plavë-Tropojë), për të cilën ka një marrëveshje zyrtare të kahershme mes dy kryministrave Berisha e Gjukanoviq. Punë të mëdha na presin, përderisa jetojmë, deri kur të vdesim!

Aty, në atë takim të 5 shkurtit 2018, ishte e pranishme dhe Konsullja e Përgjithshme e Kosovës, Teuta Sahatçia, ish politikane e deputete e LDK të Kosovës, e cila – sipas portalit “Plavaeguciasot”, paska thanë përgjatë debatit, tue i dal në krah ministrit Dardan Gashi, “ne jemi për kulturë dhe fëmijët shqiptarë këtu në Diasporë”. Me sa duket Konsulles së Përgjithshme Sahatcia nuk i punojka mirë “sahati” për këto çështje të veçanta, si Rruga Deçan-Plavë. Në se kjo e ul rolin e një zv/kryeministri e ministri të Diasporës e Investimeve Strategjike të Kosovës në një “zyrtar i lartë shërbimi konsullor” në Amerikë, atëhere kjo është çështje e saj, e MPJ, Qeverisë e Presidentit të Kosovës. Sigurisht, Teuta Sahatçia është nja nga politikanet e diplomatet ma të mirëinformuara për çështje e praktika të djehit e sodit të Rrugës Deçan-Plavë, dhe nëse ajo do të mbetet tek karrikja e dyert e Konsullatës në New York kjo është çështje e saj, po kur bahet pjesë në debat për këtë rrugë ndërkombëtare panshqiptare nuk duhet t’i reduktojnë, as anashkalojnë, as të bien nga lartësia e përgjegjësisë kombëtare shqiptare.

Zv/kryeministri e ministri i Kosovës, Dardan Gashi, të vetmen pushkë që e ka qitë në Kosovë është ajo në një rast gëzimi në kullen e Fatmir Limajt, për çka desh e rrezikoi dhe karriken e posteve të tij.

Ndërsa Sadri Mehaj i Hotit të Plavë-Gucisë, si luftëtar i Batalionit “Atlantiku”, u nis nga Amerika e shkoi të luftojë për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës, me armë të lehta e të randa, në frontin e parë të luftës, me trimni të rrallë. Gjithashtu, ai – së bashku me vllaznit e tij, kanë dhanë kontribute financiare për Luftën e Kosovës.

Kur Sadri Mehaj i Hotit, para se të nisej në Luftën e Kosovës, i jepte intervistë një gazete amerikane se do të jap dhe jetën për Kosovën, Ju, Dardan Gashi, siç shkruajnë portale e thonë diaspora e Vjenës, ku kreve studime të larta universitare e detyra shtetërore, nuk keni pasë sjellje e qëndime aq të mira ndaj Luftës së Kosovës…! Këto ma mirë se kurrkush i din vet ministri i Kosovës, që nuk dashka me folë para shqiptarëve të Amerikës për Rrugën panshqiptare Deçan-Plavë.

Sigurisht, nuk e di dhe as nuk më intereson se me çka dhe sa ka kontribue zyrtari i lartë i Kosovës, Dardan Gashi, në dhe për vendlindjen e tij, po është e dekumentuar në media shqiptare, malazeze e amerikane kontributi financiar i Sadri Mehajt me vllaznit e tij në vendlindjen e tyre – ngritjen e një hoteli në qytetin e Gucisë, “City Hotel”, dhe të një kulle afër Krojeve të Vuthajve (ndryshe: Krojet e Ali Pashë Gucisë), që në tanësinë e vet iu kanë kushtue mbi një milionë dollarë amerikanë.

Sadri Mehaj i Hotit është i burgosur politik nga rregjimi i Titos, ka krye mbi tre vite burg politik në burgjet malazeze e serbe, kur ishte nxanës shkolle, kur ishte me grupin e djalosharëve plaavëgucias “Besa”, për faktin se donin me e ngrit në Plavë-Guci në nji ditë feste Flamurin Kombëtar Shqiptar.

Sadri Mehaj ishte një shoqërues i aftë e besnik, “bodyguard”, i dr. Ibrahim Rugovës në vizita të tij në Amerikë dhe ishte me armë krahut për Kosovën dardane përkrah gjeneralit Fatmir Limaj në Pashtrik, të cilin e vlerësonte si njeri të mirë e të zotin në atë luftë të madhe. Sadri Mehaj i Hotit është njeri i madh i punës së përditshme, biznesmen i fortë e pa mburrje, fistar i madh, humanist i dallueshëm, patriot i përjetshëm.

Ti thashë gjitha këto o Dardan Gashi – zv/kryeministër e ministër i Kosovës, se duhet me e ditë me ka flet dhe si flet, veçmas kur të tjerët, si Sadri Mehaj i Hotit, të dvet për Rrugën Deçan-Plavë.

Mos kujto se Sadri Mehaj i Hotit të gjeti Ty rrugëve të New Yorkut, apo të doli “në pritë” tek ai hotel i New Yorkut, për me të dvetë për Rrugën Deçan-Plavë. Jo dhe jo. Sadri Mehaj i Hotit e ka folë shqiptarisht me të gjithë liderët e Kosovës e të Shqipërisë çështjen e hapjes të Rrugës ndërkombëtare panshqiptare Deçan-Plavë. Dvete Hashim Thaçin, dvete Ramush Haradinaj, dvete Fatmir Limaj…sa herë iu ka folë Sadri Mehaj i Hotit për Rrugën Deçan-Plavë në këto dy dekadat e fundit dhe ti, o ministri Gashi, pritoje e nuk doje ta thoje një fjalë të vetme në atë takim zyrtar të New Yorkut.

Sadri Mehaj i Hotit me të Batalionit “Atlantiku” ka marrë udhë deri në Tiranë me e takue Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, dhe ia kanë parashtruar kërkesën për Rrugën Deçan-Plavë, ku iu ka premtue atëherit dhe s’ka ba gja kurrnjiherë. Edhe me 5 shkurt 2018, Sadri Mehaj i Hotit ishte si një nder përfaqësuesit e Batalionit “Atlantiku” kur të dveti për Rrugën Deçan-Plavë dhe ti fole keq e ma keq, e ti nuk iu the kurrgja, e ti ministri Dardan Gashi nuk mund të bajsh kurrgja, etj.

Sadri Mehaj i Hotit ka shkrue kaherit për Rrugën Deçan-Plavë, si për rrugën e shtëpisë së tij, të jetës së tij. Ka shkrue tek gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York, më 30 prill-3 maj 2010, faqe 1 e 19, me titull “Pa ndërtimin e Rrugës Deçan-Plavë-Guci-Shkodër nuk mund të flasim për një integrim të Shqiptarëve në Ballkan”. E, pat ba jehonë atëherë. E, prapë mirë paska ba që ka shkruejt për Ty, shkrimin “Ministrat e Diasporës dhe Diaspora”, pas atij takimit zyrtar të 5 shkurtit 2018 në New York, botue në portalin “PlavaeGuciasot” e gjithandej, për çka dhe i përshendeta miqësisht. Aty, mes rradhëve të shkrimit replikë, mësova se pse Sadri Mehaj i Hotit e braktisi atë takim në New York, pasi e thotë qartas, vetë ai: “Duke parë se Ministrit të Diasporës të Kosovës po i pengojnë pyetjet dhe hallet që ka Diaspora Shqiptare, vendosa për të mos ua prishur “disponimin e mirë” atyre që vijnë deri në Amerikë me para të popullit për të shitur mend e besa dhe zhvatur Diasporën, vendosa të largohem nga Takimi zyrtar, sepse nuk mundesha të rrija si dekor dhe me u rrah shuplaka fjalëve kote”.

E ka ba mire Sadri Mehaj i Hotit, se me të tilla përgjigje e qëndrime, zv/kryeministri e ministri i Diasporës e Investimeve Strategjike të Kosovës, Dardan Gashi, shkel mbi kauzën e Ramush Haradinajt për Rrugën Deçan-Plavë, e nëpërkambë këtë kauzë të kryeminsitrit të tij. Dardan Gashi, si i ardhur në këtë postë të trefishtë nga e kalkuluara dhe e shúara “Lista Rugova”, me një sjellje të tillë e përbaltë keqas dhe emrin e madh të liderit historik Ibrahim Rugova, ia fyen vizionet, misionet e kauzat e tij për Amerikën e Shqiptarët e saj, për lidhjet infrastrukturore të shqiptarëve në Ballkan me autostrada si “Udha e Kombit” dhe kjo Rruga ndërkombëtare Deçan-Plavë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …