Valon Murati

Valon Murati: Problemet që sot ka Kosova në funksionimin e saj janë kushtetuese

Me rastin e dhjetëvjetorit të hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se anash lavdërimeve dhe krenarisë për Kushtetutën, si shoqëri duhet të jemi të vetëdijshëm se shumica e problemeve që sot ka Kosova në funksionimin e saj janë kushtetuese. Ai përmes një postimi në rrjetin social, ka shkruar se ajo që do të çonte drejt ndryshimit të kësaj Kushtetute është themeli i vendosjes së plotë të sovranitetit të shtetit të Kosovës.

“Sot po bëhen 10 vjet prej kur u miratua Kushtetuta e Kosovës, e cila është kopje e parimeve të Pakos së Ahtisaarit. Anash lavdërimeve dhe krenarisë për kushtetutën, ne si shoqëri duhet të jemi të vetëdijshëm se shumica e problemeve që sot ka Kosova në funksionimin e saj janë kushtetuese. Mbi të gjitha privilegjet kushtetuese dhe juridike për pakicën serbe, të cilat kanë natyrë bllokuese dhe shantazhuese janë themeli i jofunksionalitetit të shtetit të Kosovës. Procesi politik dhe juridik, i cili duhet të pranojmë që nuk është fare i lehtë, që do të çonte drejt ndryshimit të kësaj kushtetute është themeli i vendosjes së plotë të sovranitetit të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Murati.

Kontrolloni gjithashtu

Rrezikohet rruga e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës pas rekomandimeve të Francës dhe Gjermanisë

Hapat e fundit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës shfaqin shenja të kthimit …