Roli i medieve të Shqipërisë në ngritjen e ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve nën Jugosllavi, gjatë viteve 1945-1990

Roli i medieve të Shqipërisë në ngritjen dhe ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve në vitet viteve 1945-1990

Riokupimi i Kosovës dhe e trojeve të tjera shqiptare jashtë shtetit shqiptar, në vitin 1945, kishte paraqitur një rrezik të madh që iu kanosej atyre  nga asimilimi, humbja graduale e identitetit kombëtar dhe krijimi i një identiteti hibrid, komunist, të tipit të bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë.

Pikërisht për shkak të Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare të mbetura sërish nën okupimin  Jugosllav edhe marrëdhëniet shqiptare-jugosllave kanë pësuar batica e zbatica, por përgjithësisht i ka  karakterizuar një armiqësi e shprehur me konflikte të përhershme, jo vetëm verbale, por në rrethana dhe momente të caktuara edhe me një luftë e fshehtë konspirative mes agjenturash, e cila mori jetën edhe të shumë të rekrutuarve në këto shërbime, andej dhe këndej kufirit.

Shqiptarët e mbetur nën regjimin jugosllav, pas Luftës së Dytë Botërore, megjithatë do të gëzonin një nivel elementar të të drejtave arsimore e kulturore edhe për faktin se jo pak shqiptarë të këtyre trevave kishin luftuar në radhët e partizanëve në Koalicionin Botëror Antifashist.

Pikërisht për këtë, në vitin shkollor 1945/1946,  në shumë qytete dhe fshatra të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi u hapen shkolla fillore në gjuhën shqipe, edhe pse në mungesë të shprehur të kuadrit mësimor në këtë gjuhë. Disa nga mësuesit e ardhur nga Shqipëria, në vitet e luftës u përzunë nga regjimi jugosllav, sepse konsiderohej se ata i kishte dërguar regjimi italo-shqiptar dhe si të tillë ishin të papërshtatshëm ideo-politikisht. Megjithatë një numër i mësuesve nga Shqipëria kishin vazhduar punën në ngritjen arsimore  të masave shqiptare në Kosovës, e cila ishte rreth 90 për qind analfabete.

Krahas zhvillimit të arsimit, kulturës, shkencës dhe përpjekjeve që po bënin shqiptarët për të shëruar plagët e rënda të luftës pas mbetjes  nën robëri, shqiptarët liridashës me kohë dhe krejt natyrshëm ishin orientuar te Mëma Shqipëri. Dhe kjo, kështu kishte ndodhur qysh prej vitit 1912, kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe kur jashtë saj mbeten gati dy të tretat e popullatës shqiptare.

Konfliktet jo vetëm verbale e ideologjike mes Beogradit dhe Tiranës, vazhdimisht janë shprehur te popullata liridashëse shqiptare, e cila ishte vënë nën shënjestër të OZN-UDB-së dhe tërë aparatit shtetëror.

Shqipëria komuniste krejt natyrshëm kishte bërë përpjekje për t’i mbrojtur të drejtat legjitime të shqiptarëve  dhe i kishte mbrojtur në vazhdimësi gjithandej ku iu kishte dhënë mundësia.

E bindur se lufta për çlirimin Kosovës e trevave të tjera dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë do të vazhdonte shumë gjatë, Qeveria në Tiranë krahas propagandës zyrtare anti jugosllave kishte vënë në funksion edhe propagandën mediale, radion, televizionin dhe shtypin, të cilat ishin bërë diga të fuqishme të propagandës kombëtare, por edhe ideologjike.

Një rol shumë të madh në edukimin patriotik, arsimor e edukativ  të masave në Kosovë, Maqedoni e Mal të zi  luante Radio-Tirana, e cila në valët e mesme dëgjohej kudo në Kosovë dhe në trevat e tjera të mbetura nën okupim. Dëgjimi i Radio-Tiranës në Kosovë e më gjerë trajtohej si vepër penale e kundërvajtjes dhe jo rrallëherë dëgjuesit arrestoheshin, maltretoheshin dhe dënoheshin me burg deri në dy muaj. Kjo mjaftonte që secili që kishte bërë një “delikt” të tillë, t’ i hapej dosja dhe t’i lëshohej prapa lukunia e spiunëve dhe inspektorëve të UDB-së.

Përnjëherë pas luftës së Dytë Botërore, në Kosovë ishte hapur edhe Radio-Prishtina, në Prizren më 5 janar të vitit 1945. Ky radiostacion partizan ishte krejtësisht nën drejtimin ideologjik të Radio Beogradit dhe të mediumeve jugosllave. Për vite të tëra Radio-Prishtina nuk arriti të fitonte as minimumin e pavarësisë, meqë të gjitha emisionet censuroheshin ndërsa lajmet përktheheshin shqip nga Agjencia shtetërore jugosllave e informimit, Tanjug.

Deri në fillim të viteve 70, kur marrëdhëniet shqiptare jugosllave do të liberalizoheshin po thuajse në të gjitha fushat, Radio-Prishtina, gazeta Rilindja dhe disa revista kishin qenë krejtësisht kopje e mjerë e medieve dhe propagandës jugosllave.

Në një terren të tillë, me një censurë të shprehur politike e ideologjike, Radio-Prishtina nuk i konkurronte dot Radio-Tiranës, e cila tashmë ishte kthyer në një medium qendror në edukimin patriotik dhe ideologjik të masave, ndërsa në Kosovë dhe në trevat e mbetura nën pushtim, ishte zëri që identifikohej më lirinë dhe bashkim kombëtar. Me plot përgjegjësi e them se nuk ka pasur shtëpi shqiptare në Kosovë të mos e ketë dëgjuar programin e Radio-Tiranës. Atë e kanë dëgjuar madje edhe familjet me orientim pro-jugosllav, me qëllim për të mësuar se çka po thonë armiqtë e Jugosllavisë nga Tirana.

Në cilat segmente ndikonte Radio Tirana, më vonë Radio Kukësi dhe RTSh-ja

Në kohën kur shqiptarët kishin fituar një nivel të kënaqshëm të të drejtave të tyre kombëtare, kulturore, por edhe politike, sidomos në Kosovë, dhe të gjitha këto nuk ishin dhuruar nga Beogradi, por ishin dhënë si rezultat presionit të veprimtarisë së Lëvizjeve ilegale dhe mbajtjes në burg të mijëra shqiptarëve, të cilët trajtoheshin armiq të Jugosllavisë, doemos se rolin dominues dhe propagandues e luante Shqipëria, e cila me frymën militante, marksiste leniniste, por edhe me një program me përmbajtje thellësisht kombëtare ishte e pranishme kudo në shtëpitë e shqiptarëve të mbetur nën regjimin dhe pushtimin jugosllav.

Radio-Tirana kishte një program shumë cilësor me përmbajtje kombëtare, edhe pse dominonte censura partiake e ideologjike. Përveç lajmeve të cilat kryesisht trajtonin zhvillimin ekonomik të vendit dhe propagandën partiake, kjo Radio transmetonte edhe emisione nga historia kombëtare, nga kultura, letërsia, shkenca, mjekësia dhe sidomos kishte një repertor shumë të pasur të këngëve të të gjitha motiveve.

Në vitet 70,  Radio-Prishtina kishte filluar edhe emetimin e disa këngëve, kryesisht popullore të Radio-Tiranës, ndërsa Shoqëritë Kulturore Artistike, kudo në Kosovë e më gjerë, në programet e tyre emetonin këngët e këngëtarëve të njohur si: Fetnete Rexha, Xhevdet Hafizi, Marie Kraja, Luçie Miloti, Liri Rasha, Naile Hoxha, e shumë këngëtarëve të tjerë.

Emisionet më të dëgjueshme dhe më të preferuara të Radio Tiranës në Kosovës kanë qenë:

Heroizmi i popullit tonë në shekuj,  emision javor,

Radio Drama, po ashtu emision javor,

Emisionet e kulturës, Fjala artistike në mikrofon,  emisionet e këngëve popullore e folklorike e veçmas edhe programi për bashkatdhetarët dhe shumë emisione të tjera të karakterit arsimor e edukativ.

Emisionet e Radio-Tiranës komentoheshin nga studentë dhe rinia revolucionare e Kosovës. Shumë nga shkrimet e “Zërit të Popullit” sidomos ato që atakonin politikën jugosllave, incizoheshin me magnetofonë dhe më pas shkruheshin me makinë shkrimi, shumëzoheshin me shaptilografë dhe shpërndaheshin në formë traktesh e pamfletesh.

Në gjysmën e dytë të viteve 70, kur po bëheshin përgatitjet për të shënuar 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, valët e Radio Televizionit Shqiptar kishin depërtuar edhe në shumë vende të Kosovës. Të interesuarit kishin sjellë në treg një antenë sllovene të kanalit 12, ashtu quhej asokohe dhe me të,  duke e drejtuar në një koordinatë të caktuar mund të përcillej edhe programi televiziv i RTSH-së, që ishte një si ëndërr për të gjithë liridashësit e Kosovës e më gjerë.

Roli që asokohe ka luajtur RTSH-ja Radio Tirana dhe Radio Kukësi në ngritjen dhe ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve ka qenë i pazëvendësueshëm, edhe për faktin se në Kosovë mund të  ishte krejt e rrallë ndonjë shtëpi që nuk kishte radio, e më vonë edhe televizor.

Se deri në ç’ masë ishte ngulitur ky program kombëtar i medieve elektronike të Shqipërisë në kokat e shqiptarëve liridashës të Kosovës, e ilustron edhe një shembull jo sa duhet i njohur për opinionin

Qysh në pranverë të vitit 1981, kur politika zyrtare e Shqipërisë kishte përkrahur dhe vazhdonte të përkrahte kërkesat e drejta të demonstratave studentore për krijimin e Republikës së Kosovës, krerët politikë të Jugosllavisë kishin dënuar politikën e përkrahjes nga Tirana, ndërkohë që ishin ndërprerë njëanshëm edhe marrëdhëniet kulturore e deri diku edhe ato tregtare e diplomatike.

Tirana zyrtare ishte akuzuar nga kreu komunist i Jugosllavisë se kishte indoktrinuar masën studentore shqiptare, se mbante qëndrim paternalist ndaj Kosovës, se po nxiste demonstratat dhe po përkrahte armatën e rinisë militante shqiptare e cila nga regjimi titist-ranokviqist, etiketohej si “nacionaliste e irredentiste”. Qysh në verë të atij viti,  komunistët jugosllavë dhe shqipfolësit e megafonët e tyre në Kosovë, kishin marrë qëndrim ta pengonin depërtimin e valëve të medieve elektronike të Shqipërisë.

Detyra për pengimin e valëve iu kishte dhënë një ekipi të inxhinierëve shqiptarë, por edhe serbë të Radio Televizionit të Prishtinës, të cilët duhej të bashkëpunonin me një grup inxhinierësh serbë nga Nishi me qëllim për të instaluar në qendrën e distribuimit të valëve, në Golesh, pengues të fuqishëm të radio-valëve që përhapeshin nga Shqipëria.

Të ndodhur para aktit të kryer katër inxhinierë shqiptarë kishin marrë vendim që ta sabotonin punën, të paktën deri sa të kryente punën Kongresi i nëntë i PKSH, i cili i u mbajt  në dhjetor të vitit 1981. Ata kishin arritur ta shtynin afatin dhe pasi kishte kryer punimet kongresi kishin aktivizuar penguesit, të cilët për 8 vjet rresht kishin penguar programet e Radio-Tiranës, RTSH-së e Radio-Kukësit. Pavarësisht pengesave dhe zhurmës së padurueshme, që kishte instaluar pushteti okupator titist,  valët e Radio-Tiranës, megjithatë përhapeshin ku më shumë e ku më pak, në tërë nën-qiellin e okupuar shqiptar në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. (A.Q.)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …