Frank Shkreli: Një mikeshë e vjetër e shqiptarëve në Shtëpinë e Bardhë

Frank Shkreli: Një mikeshë e vjetër e shqiptarëve në Shtëpinë e Bardhë

Këshilltari i ri i dhe i treti brenda një viti i Presidentit Trump për Sigurimin Kombëtar, Xhon Bolton emëroi të hënën. Mira Ricardel, zëvendëse të tij.  Në një njoftim për median, Z. Bolton tha se zgjodhi pikërisht Mira Ricardel si zëvëndëse të tij në Këshillin e Sigurimit Kombëtar, “Për arsye të përvojës së saj të gjithanëshme, përfshirë çështjet e sigurisë kombëtare që kanë të bëjnë me aleancat tona, me mbrojtjen kombëtare, me sigurinë e teknologjisë, me ndihmën e jashtme dhe me kontrollin e armëve”, u shpreh Këshilltari i ri i Sigurimit Kombëtar i Presidenti Trump, Xhon Bolton.  “Njohuria e saj politike dhe përvoja e saj në depaartamente të ndryshme të qeverisë federale e bëjnë atë një anëtare të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar”, shtoi Z. Bolton në njoftimin për emërimin e Mira Ricardel në këtë detyrë të rëndësishme të sigurimit kombëtar.

Emri i Mira Ricardel është i njohur mirë në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, veçanërisht në radhët e atyre që bënë lobizmin në favor të kauzave shqiptare në Washington, fund dekadën e 80-ave dhe në fillim të 90-ave, që ishte kulmi i këtij aktiviteti, sidomos në mbrojtje të Kosovës, por edhe të demokratizimit të Shqipërisë dhe në mbështetje të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve tona.

Karierra e saj politiko-ushtarake në Washington përfshinë përpilimin dhe zhvillimin e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes në detyrat që ajo ka ushtruar në Departamentin Amerikan të Shtetit, në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, si zëvëndës sekretare për Euro-Azinë dhe ndihmës sekretare si dhe këshilltare kryesore e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes dhe aktualisht si Zëvëndës Sekretare e Departamentit të Tregëtisë, nga ku u ftua që të transferohej në Këshillin e Sigurimit në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë viteve, ajo ka punuar për tri administrata të ndryshme amerikane.

Përveç detyrave të ndryshme në nivele të larta të legjislativit dhe të ekzekutivit, Mira Ricardel ka shërbyer edhe si nën-drejtoreshë e entit jo qeveritar për të drejtat e njeriut, Freedom House në Washington.  Para se të fillonte punën për qeverinë federale, ajo kishte punuar për nja 10-vjet për kompaninë e madhe aeronautike Boeing. Ajo është edhe anëtare e Komitetit për Punët e Jashtme, një ent privat që i dedikohet studimit të Politikës së Jashtme.  Përvoja e saj, mbi të gjitha, përqëndrohet në fushën e politikës evropiane dhe euro-aziatike, marrëdhëniet me NATO-n, forcat bërthamore, mbrojta e raketave dhe kontrolli armëve, në përgjithsi.

Fillimisht, unë dhe shokë të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan e kemi njohur Mira Ricardel nga koha që ajo punonte për ish-Senatorin Bob Dole në fillim të 1990-ave.  Ishte gjatë asaj periudhe që Mira Ricardel filloi të mësonte dhe të interesohej për çështjet shqiptare, pasi Senatori Bob Dole ishte në atë kohë i mirë informuar dhe mjaft i interesuar për fatin dhe mbi gjëndjen e shqiptarëve në Ballkan, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Në të vërtetë, ajo që e bëri edhe më të lehtë komunikimin e përfaqsuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan me Mira (Radieloviq) Ricardel — si përfaqsuese e njërit prej mbështetsve më të mëdhej të interesave të shqiptarëve në Senatin amerikan, Z. Bob Dole — kur morëm vesh se ajo rrjedhte nga një familje kroate dhe ishte mjaft e sensibilizuar mbi zhvillimet e asaj kohe në Ballkan

Në atë periudhë, Mira Ricardel, (që atëherë njihej si Mira Baratta) punonte për Senatorin Dole si ndihmëse legjislative dhe këshilltare për politikën e jashtme dhe të kontrollit të armëve.  Ndoshta për origjinën e saj si kroate, Senatori Dole e kishte caktuar gjithashtu që të shërbente si ndërlidhse e Senatorit Bob Dole me komunitetin shqiptaro-amerikan, gjatë një decade shumë të vështirë shqiptarët, sidomos për fatin e Kosovës. Në këtë rol, ajo shërbente gjithashtu edhe si ndërlidhse midis individëve dhe grupeve të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe senatorëve të tjerë –republikanë dhe demokratë — siç ishte ndër të tjerë, Kryetari i Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Senatori Claiborne Pell, i cili mezi kishte pritur të vizitonte Shqipërinë pas shembjes së komunizmit në Mars të vitit 1991, menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona mike.   Biznismeni i njohur shqiptaro-amerikan Xhim Xhema ishte mik i ngushtë i Senatorit Bob Dole dhe më kujtohet fakti se gjatë asaj kohe, në të vërtetë për disa vite, vinte nga Nju Jorku në Washington, të pakën dy tre herë në javë për takime me senatorë e kongresmenë me qellim për të bashkrenduar me ta politikën amerikane ndaj shqiptarëve dhe kauzave të tyre, në mbrojtje të të drejtave të tyre. Për të interesuarit, mund të lexoni më shumë hollësi në lidhje me aktivitetin e Z. Xhema, në këtë link http://telegraf.al/opinion/xhim-xhema-shqiptaro-amerikani-qe-i-qiti-telashe-te-medha-serbise-se-milloshevicit-1487593260

Por ishte Mira Ricardel, e emëruara dje si Zëvendës Këshilltare e Sigurimit Kombëtar ndërmjetsja midis Kongresit dhe komunitetit shqiptaro-amerikan kryesuar nga Xhimi Xhema dhe të tjerë udhëheqës të komunitetit shqiptaro-amerikan të angazhuar seriozisht dhe pa kurrfarë interesi personal në mbrojtje të çeshtjes shqiptare. Në ish-zyrtaren e Kongresit amerikan, komuniteti kishte një kontakt të drejt për drejtë dhe tanimë të mirë-informuar për gjëndjen e shqiptarëve dhe shkeljet e të drejtave të tyre dhe se ç’po ndodhte në fillim të 90-ave në Ballkan dhe parashikimet se ç’mund të ndodhte në vitet e ardhëshme në atë rajon.  Më kujtohet se ashtu siç ishte rasti edhe me të tjerë zyrtarë të ndryshëm amerikanë, Mira Rikardel shprehte pikëpamjet e saja, privatisht dhe zyrtarisht, kundër politikës së Beogradit në territorin e ish-Jugosllavisë, përfshirë Kosovën.

Megjithse kanë kaluar aq shumë vite qyshë nga fillimit të 90-ave dhe shumë gjëra kanë ndryshuar, fatbardhësisht, për më mirë për gjëndjen e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone, mbeten ende çështje të pazgjidhura për shqiptarët, siç janë të drejtat e barabarta për shqiptarët në Maqedoni, për shqiptarët në Kosovën Lindore, në Mal të Zi dhe gjetkë.  Sipas disa të dhënave Mira Rikardel ende mbetet e interesuar për çështjet shqiptare edhe pas aq shumë vitesh, megjithse detyra të larta në administratat e më pastjame ka zgjëruar horizontin e saj përtej politikave të Ballkanit dhe natyrisht nuk shërben më si ndërlidhëse me komunitetin shqiptaro-amerikan. Por, megjithkëtë merret vesh se në fillim të prillit ajo është takuar me Haxhi Dautin, Kryetarin e Këshillit Shqiptaro-Amerikan, i cili përdori rastin të falënderonte miken e njohur e të vjetër të shqiptarëve dhe zyrtaren e lartë të Ministrisë së Tregëtisë, Mira Ricardel. Për punën që ajo ka bërë gjatë karrierës së saj në detyra të larta në tri administrata të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, ai e falënderoi atë për kontributin e vazhdueshëm dhe për ndihmën që ajo ka dhënë për çështjet shqiptare gjatë viteve, sidomos gjatë periudhës që punonte në Kongresin Amerikan, në fillim të 1989-1996, për luftën në Kosovë, për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, për ndihmesën e saj në arritjen e marrveshjes së Ohrit dhe për demokratizimin e Shqipërisë, përfshirë antarësimin e Shqipërisë në NATO.

Mira Ricardel i takon një grupi zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh amerikanë – të cilët po pakësohen dita ditës, qoftë për arsye moshe ose vdekjesh, me të cilët komuniteti shqiptaro-amerikan ka punuar ngusht gjatë 80-ave dhe 90-ave për mbështetjen e të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi dhe për çlirimin dhe pavarësisë së Kosovës dhe për demokratizimin e vërtetë të Shqipërisë, në veçanti. Ndihma dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara për këto kauza dhe të tjera për shqiptarët, është e doemosdoshme edhe sot, sidomos përballë kërcënimeve dhe lakmive historike të putinëve dhe erdoganëve të kësaj bote, ndaj trojeve shqiptare. Nevojat janë të mëdha, por fatkeqsisht, as komuniteti shqiptaro-amerikan sot nuk është më i organizuar siç ishte gjatë periudhës së krizave të viteve 80-ta e 90-ta, në kohën kur Mira Ricardel shërbente si ndërlidhse me shqiptaro-amerikanët.  Por sot, fatbardhësisht, Shqipëria dhe Kosova nuk janë ato shtete të viteve 80-e 90. Sot këto dy shtete janë të lira dhe të pavarura, me ambasadat e tyre në Washington dhe me ambasada amerikane në Tiranë dhe në Prishtinë. U takon dy shteteve shqiptare që të organizojnë më mirë lobimin pro-shqiptar në Washington dhe të kultivojnë marrëdhëniet në një nivel më të lartë midis dy kombeve tona. Komuniteti shqiptaro-amerikan mund të ndihmojë në këtë pikë, por janë Tirana dhe Prishtina zyrtare që duhet të bëjnë miqë të ri dhe të ruajnë miqtë e vjetër të shqiptarëve në Washington.  As shpërndarja e abetareve në komunitetin shqiptaro-amerikan sado e vlefshme që është, nga ministritë e reja të diasporës në Tiranë dhe në Prishtinë dhe as dalja në fotografi 80-mijë dollarëshe të udhëheqsve shqiptarë nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, nuk do të zevendsojnë as nuk mund të ushtrojnë influencën e dikurshme të lobimit të komunitetit shqiptaro-amerikan në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara dhe as nuk do të sigurojnë mbështetjen jetike të Washingtonit zyrtar për interesat e kombit shqiptar, sot as në të ardhmen. Nevojitet pra, një angazhim më serioz nga Shqipëria dhe nga Kosova për një lobim transparent bazuar në standardet amerikane, në mbështetje të interesave kombëtare dhe jo për promovimin e interesave të politikanëve të ditës, ose të partive që ata përfaqësojnë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …