Brickos

MSc. Adem Lushaj

Adem Lushaj: Kisha Ortodokse Serbe strehë e kriminelëve

Më 24 shtator 2023 grupi i armatosur i cilësuar nga institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare “grupi terrorist serb”, ka sulmuar zyrtarët policor të Republikës së Kosovës, sulm i ndodhur në Banjska të Komunës së Zveçanit, me ç’rast ka mbetur i vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku. Pas këtij sulmi terrorist, anëtarët e këtij grupi ishin strehuar dhe barrikaduar në manastirin ortodoks serb, në të njëjtin vend, në Banjska. Me të marrë kontrollin në atë zonë, si dhe në mbikëqyrje të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtar, forcat policore kishin hyrë në hapësirat e manastirit në Banjska, ku kishin gjetur arsenal të madh të armatimit. 

Alicia Kearns, deputete britanike dhe kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, kishte paralajmëruar për hyrje të fshehtë të armatimit nga territori i Serbisë, në Kosovë.  “Armët kontrabandohen nga Serbia në Kosovë me autoambulanca dhe se ato “deponohen” në ambientet e Kishës Ortodokse Serbe”,-kishte deklaruar deputetja Kearns. 

Reagim të ngjashëm kishte bërë edhe gjenerali amerikan, Wesley Clark, i cili kishte udhëhequr bombardimet e forcave të NATO-s ndaj caqeve serbe nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999.  “Ajo që është më shqetësuese për mua është se pas incidentit rezultoi se kishte një grumbullim të madh armësh në manastirin serb. Kjo ka ndodhur edhe më parë. Ne e dimë nga përvoja e mëparshme në Ballkan në vitet 1990, dhe që atëherë manastiret serbe kanë qenë strehë e nacionalizmit serb. Dhe, kjo nuk e përjashton përdorimin e tyre si arsenale. Ndaj kjo është gjëja më shqetësuese. Shpresoj që KFOR të insistojë që këto manastire të inspektohen dhe arsenalet të konfiskohen, sepse nuk ka vend për këtë në mes të përpjekjeve për të arritur marrëveshjen e autonomisë për qytetarët serbë të Kosovës. Është kundër produktive dhe nuk ka vend për kërcënime me dhunë dhe armë”-kishte deklaruar Wesley Clark (https://www.zeriamerikes.com/a/7287593.html)

Kurse historiani serb, Milivoje Beshlin, ka thënë se Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, është strehë për kriminelët dhe terroristët. “Roli i Kishës Ortodokse Serbe në ngjarjet tragjike në Kosovë është shumë interesant, sepse, ashtu si në Mal të Zi, ishte një levë dhe instrument kyç për dhunën dhe destabilizimin e fqinjëve të saj”,-ka thënë historiani nga Beogradi, Milivoje Beshlin për Danas. (https://www.botasot.info/aktuale-lajme/2058933/historiani-serb-kisha-ortodokse-serbe-ne-kosove-dhe-beh-eshte-strehe-per-kriminelet-e-terroristet/?)

Njëjtë si Beshlin është deklaruar edhe kolegu i tij, akademik Frashër Demaj, duke thënë se: “Serbia praktikisht i ka përdorur manastiret, do t’i përdor edhe në të ardhmen për të sulmuar dhe për të bërë përpjeke edhe për t’i denigruar edhe institucionet dhe forcat e Republikës së Kosovës”. (https://www.youtube.com/ëatch?v=02fTakSydpI)

Për rolin armiqësor dhe dyshimet që manastiri ortodoks në Deçan, është strehë e kriminelëve serb, vite më parë e kanë bërë të ditur qytetarët e Deçanit. Ky manastir si njëri ndër resurset më të njohur kulturor-turistik është bërë pengesë e zhvillimit të Deçanit. Gjatë luftës së fundit 1998/99, ishte strehë e kriminelëve, gjë që u argumentua edhe nga gjenerali Clark, deputetja britanike Kearns dhe historianët Beshlin dhe Demaj. Në afërsi të manastirit të Deçanit në vitin 1998 ishin vrarë të moshuarit Bekë Shabanaj dhe Hajdar Kuçi nga Deçani, si dhe Bajram Osdautaj dhe Rexhë Pajazitaj nga Isniqi. (shih: Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit).

Igumeni i këtij manastiri Sava Janjiç, jo vetëm që nuk e njehë shtetin e Kosovës, por në vazhdimësi agjiton dhe propagandon kundër institucioneve të vendit tonë, duke qenë njëri ndër lobuesit më të mëdhenj kundër pranimit të Republikës së Kosovës në UNESCO. Janjiç në vazhdimësi dezimformon se ky objekt fetar dhe klerikët brenda tij, janë të rrezikuar dhe nuk kanë liri të lëvizjes.  Me këtë arsyetim, politikani Sava Janjiç kërkon që Manastiri i Deçanit të ketë status të veçantë juridik, duke qenë i shkëputur nga institucionet tona shtetërore, status i kërkuar që në vitin 2015 nga ish kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliç. (https://klankosova.tv/kisha-serbe-ne-kosove-si-vatikani-ne-itali). Sava Janjiç për veprimtarinë e tij armiqësore do duhej që të largohej nga Kosova, në mos të arrestimit dhe dënimit të tij sipas ligjeve të Kosovës.

MSc. Adem Lushaj, drejtor i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” në  Deçan

Kontrolloni gjithashtu

RrGK publikon Raportin Analitik “Më shumë zgjedhje përmes politikave miqësore për familjen”  

RrGK shpreh shqetësim të madh në lidhje me denimin e ulët të dhënë nga Gjykata Themelore në Prishtinë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh një shqetësim të madh në lidhje me denimin …