MSc. Adem Lushaj

Adem Lushaj: Marshi i tmerrit dhe i vdekjes

(2 dhe 3 prill 1999)
(Pjesë e shkëputur nga libri “Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit)
Përderisa forcat aleate të NATO-s bombardonin caqet e planifikuara, forcat serbo-sllave kishin vazhduar me ofensivën e “tokës së djegur”, me arsyetimin se po luftonin UÇK-në. Granatimet kishin përfshirë gjithë territorin e Deçanit. Popullata ishte detyruar që të lëvizte nga një fshat në tjetrin, duke bërë përpjekje për të gjetur strehim që të shpëtonin nga sulmet serbe. Duke qenë i pamundur qëndrimi në Kosovë, sepse vendi granatohej anë e kënd dhe gjithandej digjeshin shtëpitë, rruga e vetme e shpëtimit ishte largimi për në Shqipëri. Megjithatë, rrugëtimi drejt Shqipërisë nuk ishte i lehtë. Jo vetëm që ishin maltertuar fizikisht dhe psiqikisht, por edhe ishin plaçkitur, kanosur, plagosur e vrarë. Njëra ndër pikat më të rrezikshme të depërtimit drejt Shqipërisë, ishte qendra e Deçanit. Aty qëndronin pandërprerë policë, paramilitarë dhe banorë vendës serb, të cilët ndalonin kolonat e njerëzve dhe pas plaçkitjeve i maltertonin në çdo mënyrë. E njëjta gjendje mbizotëronte edhe tek “Ura e Bishtazhinit”. Edhe aty ishte vendosur një pikë e rrezikshme e kontrollit dhe e krimit. Popullata që ecte në kolona të gjata drejt Shqipërisë, kishte përjetuar krime nga më të ndryshmet, në këto dy postblloqe policore.
Më 2 dhe 3 prill të vitit 1999 banorët e Isniqit, Broliqit, Belegut, Irzniqit, Strellcit, Lëbushës, Prapaçanit, Lumbardhit, Lloçanit, të fshatrave të Lugut të Baranit, si dhe të fshatrave tjera,qenë detyruar ta marrin rrugën për në Shqipëri. Gjatë udhëtimit ata kishin përjetuar maltertime, rrahje, plaçkitje, kanosje, vrasje. Me zhdukjen e kufomave, pushteti millosheviçian kishte planifikuar zhdukjen e gjurmëve të krimit. Për këtë flasin shumë dëshmitarë, që njëherit ishin edhe viktima të këtij krimi. Ata, në dëshmitë e tyre kanë përshkruar tmerrin që kishin përjetuar, deri në kufirin e Shqipërisë.
Mehmet Bojkaj, i lindur më 11 janar 1943 në Isniq, ka treguar për rrethanat e vështira të 2 prillit 1999, të cilat kishin detyruar mbi 13 mijë qytetarë të strehuar në Isniq që të merrnin rrugën për Shqipëri.
“Një ditë më parë, në fshatin Lubeniq ishin vrarë dhe masakruar shumë qytetarë. Kishin filluar djegiet e shtëpive të dy Strellcëve dhe të fshatit Isniq. Në Strellc të Poshtëm, nga granatimet ishin vrarë shtatë persona. Në shtëpinë e tij ishte vrarë Demë Dautaj, si dhe Azem Shala më të birin, Miftar Povataj me grua dhe dy vajza të vogla të familjes Istrefaj. Nga këto granatime u plagosen edhe disa banorë. Popullata e strehuar në Isniq ishte nga rajone të ndryshme dhe numëronte mbi 13 mijë qytetarë. Duke e pasur parasysh se grumbullimi i banorëve ishte shumë i madh pritej që rreziku për humbje të jetëve të ishte po ashtu i madh, kështu që me disa përfaqësues të lagjeve vendosëm që të marrim rrugën e ikjes për në Shqipëri. Nuk kishim rrugëdalje tjetër. Nuk donim që të rrezikohej e gjithë kjo popullsi, aq më pak humbjen e ndonjërit prej tyre. U nisëm rrugës drejtë Deçanit për të vazhduar në drejtim të Gjakovës dhe Prizrenit. Gjatë rrugës na plaçkiten çdo gjë që e kishim me vlerë. Kishte raste kur paramilitarët ua merrnin të ikurve edhe automjetet dhe i linin të ecnin këmbë. Pos kësaj na maltertonin dhe torturonin në mënyrë më barbare,”- ka thënë Mehmet Bojkaj në dëshminë e dhënë më 17 gusht 1999.
Gjatë këtij eksodi forcat serbe ekzekutuan Gëzim (Selmon) Vishaj nga fshati Beleg. Sipas dëshmisë së nënës së tij, Hatmane Vishaj (77-vjeçare), të dhënë më 10 gusht 1999, Gëzimin e kishin ndalë rrugës përderisa ishin duke ikur për Shqipëri.
“Rrugës derisa po largoheshim drejt Shqipërisë, në Gjakovë, serbët e ndalën djalin tim, Gëzimin (30- vjeçar). E kërkuan me emër se cili është Gëzimi, pastaj e nxorën dhunshëm nga traktori. Pas tre muajve kam dëgjuar për vdekjen e tij”,- ka deklaruar Hatmanja, e cila nuk mund të qetësohet në shpirt duke e menduar rastin e marrjes dhe vrasjes së birit të saj. Nënë Hatmanja thotë se Gëzimi ishte etiketuar qysh në Carrabreg nga personat që e kishin njohur dhe vënë mbrapa deri në Gjakovë. Deri në ekzekutimin e tij.
Udhëtimin për në Shqipëri e përshkruan edhe Sadik Tahirukaj, i lindur në Llukë të Epërme, më18 gusht 1946. Rrugës e kishin kërcënuar se do t’ia ekzekutonin djalin e vetëm që kishte me vete, Nazmiun 11-vjeçar,  nëse nuk do t’u jepte para. Në dëshminë e dhënë më 19 nëntor 1999, Sadiku ka deklaruar:
“Më 27 mars 1999, na detyruan t’i lëshonim shtëpitë tona. U vendosëm në Isniq. Aty kemi qëndruar deri me 2 prill 1999, sepse prapë na kanë urdhëruar të iknim në drejtim të Shqipërisë. Ende pa u larguar nga Isniqi  filluan plaçkitjen e shtëpive. Kolona e gjatë mori drejtimin e Deçanit, për të vazhduar më pas rrugës për Shqipëri. Gjatë marshimit ndonjëherë edhe na gjuanin me granata. Tërë kohën provokoheshim rëndë. Kur kemi mbërritur te “Ura e Fshejtë”, na ka ndalur policia. Njërin prej tyre e njihja. Ishte Zoran Rangjellkoviq nga fshati Bec i Gjakovës. Edhe ai më njihte mua, sepse shumë kohë kam punuar me kamion si transportues, prandaj si polic që ishte shpesh më ndalonte. Thënë të drejtën, atë kohë nuk ishte sjellë keq me mua dhe kjo më gëzoj paksa. Mendoja se do të na ndihmonte, por ndodhi e kundërta. Pasi që më ndaluan, kërkuan që të zbres nga traktori. Zorani më pyeti se ku po shkonim? Iu përgjigja: “Nuk e di as vet”. Ai vazhdoi duke më thënë se “E dini, e dini”. Ma kërkoj letërnjoftimin dhe patentën e shoferit. Pasi i mori shkoi te rimorkio e traktorit. E kërkonte djalin tim 11- vjeçar, Nazmiun”,- ka deklaruar Sadiku. Pasi kishte gjetur djalin që kërkonte e kishte kërcënuar me vrasje, duke i thënë: “Ty do të vrasim, ndërsa nënën e babën do t’i dërgojmë në Shqipëri”. Më tutje Sadiku ka shtuar“E mori Nazmiun, duke e tërhequr zvarrë dhe e dërgoi te makina e policisë. E mbështeti për makinë. Të gjithë filluam të qanim. Në ndërkohë, Zorani i tha kolegut të tij: “Mbushe automatikun, se na duhet ta pushkatojmë këtë djalë”. Isha në një situatë të rëndë mendore, sepse nuk isha në gjendje të bëj asgjë për djalin tim. Ndërkohë vajza ime 14-vjeçare Hyra, ka kërcyer nga traktori dhe ka mësyrë të vëllai i saj. Atëherë polici ua drejtoi automatikun të dy fëmijëve. Në çdo moment e prisja vrasjen e tyre, por Zoti deshi dhe më shpëtuan. Një polic tjetër më është afruar te traktori duke më thënë se e kishte lutur Zoranin që t’i lirojë fëmijët. Mirëpo, si kompensim më kërkuan 10 mijë marka. Pasi i thashë se nuk kam aq para sa kërkojnë, ai ka shkuar sërish te Zorani.  Është kthyer sërish dhe më tha se po pranonte për 8 mijë marka. Kur i thashë se nuk i kam, ka ardhur vetë Zorani dhe më kërcënoi: “Ose qiti 5 mijë marka, ose t’i vras fëmijët. Mezi arritëm t’i bëjmë 4750 marka, duke mi marrë 4500 prej tyre. Të tjerat m’i morën rrugës, gjersa arritëm në kufi”,- ka përfunduar rrëfimin e tij Sadik Tahirukaj, i cili  i kishte njohur: Moma Stijoviç nga Biteshi, Gojkoviç, polic në Deçani, Çedo Gariç nga Klina, Novak Vllahoviç nga Ratishi, Zvonko Markoviç dhe Millosh Radulloviç nga Dashinoci.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Adem Demaçi dhe projekti i tij për TV-Diellin

Mujë Hyseni: TV DIELLIT

Për mua sot qe o një ditë e mbarë U binda unë sot qe kemi …