Adil Fetahu

Adil Fetahu: KUR SERBIA I VRET FËMIJËT E VET, “PËR INTERESA TË LARTA” II

Reagmet për rastin “Panda”

Kryetari  aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq, deri sa ishte nënkryetar i qeverisë   dhe koordinator i Shërbimit të Sigurimit të Qeverisë së kryesuar nga Ivica Daçiq, në një konferencë për shtyp, po edhe në television, më 23 dhjetor 2013, pati deklaruar : ”Nuk ka prova se shqiptarët e kanë kryer krimin, siç kemi besuar deri më tash. Kur të merret vesh e vërteta për atë që ka ndodhur në “Panda”, të gjithëve do të na dhemb koka dhe opinioni do të tmerrohet. Në këtë rast ka gjëra të çuditshme dhe është vështirë tash të flasim për to. Kur të kemi më shumë detaje, ne do ta informojmë opinionin”. Kjo deklaratë e Vuçiqit, që ishte si pranim i tij, se krimin në “Panda” e kanë kryer organet e fshehta të shtetit, vërtetë i kishte tmerruar sidomos prindët e viktimave, por jo vetëm ata.  Edhe dy vjet më vonë, Vuçiqi pati deklaruar: “Po hulumtojmë nëpër terr. Pothuajse jam i sigurt për atë se çfarë ka ndodhur në “Panda”, por akoma nuk kam prova.   Veçse, nuk jam i sigurt se organet tona mund të krenohen me atë që kanë bërë atëherë”, ka thënë Vuçiqi! Ai pothuajse çdo vit, në përvjetorin e ndodhjes së atij rasti, ka përsëritur deklaratën e tij të parë, por gjithnjë duke e mbështjelllur me premtimin “se rasti do të hetohet deri në funt dhe se të vërtetën nuk do e fshehim, kushdo që të kenë qenë vrasësit. Kemi informacione, ndërsa organet tona po hulumtojnë të gjitha informacionet. Po punojmë dhe të gjithë mund të jenë të bindur se të vëretën nuk do ta fshehim, qoftë se është fjala për Shqiptarët, apo për Serbët”, ka  përsëritur Vuçiqi premtimet e tij (“Kurir”,1.XI.2018).

Në një konferencë për gazetarë me rastin e 21-vjetorit të krimit në “Panda” (14.12.2019), kryetarja e Qeverisë së Serbisë, Bërnabiq, deklaroi se “Nuk ka informacione të reja për rastin e vrasjes së 6 djemëve të ri në kafenenë “Panda”. Është vështirë të zgjidhet rasti, të cilin nuk e kanë zgjidhur demokratët 10-15 vjet para nesh. Por, pushteti i Serbisë është i vendosur ta zgjidhë çdo rast krimi kudo që ka ndodhur dhe pavarësisht se kush e ka kryer”, ka thënë Bërnabiçka. Ndërkaq, ministri i policisë, Nebojsha Stefanoviq,  në të njëjtën konferencë  ka thënë se “kompetentë për hetimin e atij rasti janë  EULEX-i, KFOR-i dhe UNMIK-u dhe jemi të interesuar ta dijmë se çfarë hetimesh kanë bërë ato”?!

Deputeti dhe kryetari i Grupit Parlamentar: Lugina e Bashkuar – SDA, Shaip Kamberi, në seancën e Kuvendit të Serbisë (më 16.03.2021), duke ua përkujtuar deklaratën e Vuçiqit, të vitit 2013, i ka pyetur ministrin e policisë (Aleksandar Vullin) dhe ministren e drejtësisë (Maja Popoviq): “A janë identifikuar kryerësit e krimit në kafenenë “Panda” në Pejë, që ka ndodhur më 1998, dhe a është ngritur aktakuzë kundër tyre”?  Në vend të pëgjigjes për pyetjen e shtruar, ka marrë ofendime nga vet kryesuesi i Kuvendit (Ivca Daçiq) dhe prej të tjerëve.

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe (Pavle), për çdo përvjetor të asaj ngjarje, ka mbajtur “parastos” dhe i ka akuzuar shqiptarët për vrasjen që ka ndodhur në “Panda”, ndonëse për këtë nuk ka pasur snjë provë nga organet kompetente!

Bozho Prelleviq, ish-kooministri i policisë në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se “qëndrimi ndaj krimit të kryer në “Panda” është njollë e zezë e organeve tona shtetërore”. Ndërkaq, lideri i opozitës serbe, Vuk Drashkoviq, për Radion Evropa e Lirë, në lidhje me rastin Panda ka qenë më i qartë dhe kategorik: “Nga burime të besueshme kam marrë vesh se ekzistojnë prova, se vrasjen në “Panda” e kanë kryer pjesëtarët e Njësisë Speciale të Legias.  Asokohe (dhjetor 1998) Pejën nuk e kontrollonte kurrëfar UÇK, por e kontrollonte ushtria, policia dhe parapolicia jonë; atje ishte edhe Njësia për Operacione Speciale. Të gjitha gjurmët shpiejnë kah JSO, që ishte organizatë terroriste në kuadër të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit. Por, hetimet nuk po zhvillohen, sepse për vrasjet që kryen shteti, nuk zhvillohen hetime! Ekzistojnë prova, se armët nga të cilat është shtënë në “Panda”, janë në pronësi të formacioneve të Legias. Urdhërin e ka dhënë shefi i atëhershëm i Shërbimit të Sigurimit, Rade Markoviq, ndërsa e ka zbatuar Millorad Ulemek Legija dhe JSO”, është shprehur i bindur Drashkoviqi.

 Ka indikacione se nga e njëjta armë është vrarë edhe mjeku internist nga Peja, dr.Nuredin Zejnullahu, pak ditë para rastit në “Panda”. Pashtu, flitet se me të njëjtën armë është vrarë në Jarinje, në kufirin Kosovë- Serbi, doganieri i EULEX-it, Andrius Sverisijus.

Drejtoresha e Qendrës për Studime Euroatlantike në Beograd, Jellena Milliq, ka thënë se “fare nuk është e befasuar  nga indikacionet se ata djemë janë vrarë me urdhër të Shërbimit të Sigurimit ose nga banditët e çmendur të JSO-së. Në këtë ka mund të jetë përfshirë edhe kreu i shtetit, me qëllim që ushtria dhe policia të përfshihen në konflikt. Nuk do të çuditesha që kjo të ketë rrjedhur nga kreu i shetit Millosheviq-Markoviq”.

Kryetarja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kadniq, ka thënë: “menjëherë pas vrasjes në “Panda”, ne si orgnizatë kemi shkuar në Pejë për të hetuar rastin, por nuk kemi marrë kurrëfar informacionesh nga policia. Atëherë Pejën e kontrollonte njësia policore “Munja”dhe JSO”, ka thënë Kandiq.

Ish-drejtori i VBA (Vojno-bezbednosne agencije/Agjensionit Ushtarak të Sigurimit), Momir Stojanoviq, ka thënë se ai rast ka qenë në kompetencë të SPB dhe të Qendrës së Sigurimit të Shtetit në Pejë, të cilat kanë bërë shikimin në vendin e ngjarjes dhe kanë zhvilluar hetimet?

Hetimet kanë filluar më 12 maj 2016 dhe asnjë informacion lidhur me rastin?!

Edhepse kryetari i tashëm i Serbisë dhe zëvendëskryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati shkaktuar tronditje në opinion me deklaratat e tij për rastin “Panda”,  opinioni publik në Serbi, por edhe jashtë saj, as sod e kësaj dite nuk ka informacione se kush po i zhvillon hetime dhe për rezultatet e hetimeve të deritashme.

Ish-kooministri i policisë në Qeverinë e Serbisë, Bozho Prelleviq, thotë se puna e hetimit është zhvilluar shkeleshko. Deri sa kam qenë udhëheqës i një sektori të Qendrës Koordinuese për Kosovë e Metohi, njerëzit e Sigurimit Shtetëror më kanë thënë se ka indikacione që atë krim nuk e kanë kryer shqiptarët. Hetimet e filluara në Pejë nuk janë kryer plotësisht, për shkak të luftimeve. Po përse pas luftës kanë kaluar aq shumë vjet pa inicuar hetimet? Kjo është bërë ose për shkak të mungesës së provave, ose për shkak se ka prova, por nuk dëshirohet të veprohet në bazë të tyre, ka thënë Prelleviq.

“Prokuroria për Krimin e Organizuar në Beograd ka nisur hetimet në maj 2016, kundër më shumë personave të panjohur, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazua se më 14 dhjetor 1998, në Kafiterinë ”Panda” në Pejë, kanë kryer vepër penale të terrorizmit, me ç’rast janë vrarë 6 dhe janë plagosur 3 persona. Deri në tetor të vitit 2018, janë dëgjuar 34 dëshmitarë dhe janë siguruar prova të shumta materiale. Prokuroria do të dëgjojë edhe disa dëshmitarë dhe të mbledhë prova tjera materiale”, kanë thënë në atë Prokurori. Në pyetjen e gazetarëve, se a është përjashtuar përfundimisht mundësia që krimin ta kenë kryer shqiptarët, dhe çfarë provash kanë aktualisht,  prokuroria nuk ka dashur të jep përgjigje (“Danas”, 10.X.2018).

Reagimet e prindërve të viktimave

Prindërit e viktimave të rastit “Panda”, kanë formuar një shoqatë të tyre, e cila është përpjekur të informohet nga organet e shtetit për vrasjen e fëmijve të tyre.  Ata sidomos janë tronditur pas deklaratave publike të Vuçiqit, që në një mënyrë ka lënë të kuptohet se fëmijët e tyre i kanë vrarë pjesëtarët e strukturave të shtetit të vet.

Ditën kritike, në lokalet e kafenesë “Panda”, përveç viktimave, ka pasur edhe persona të tjerë.  Pronari i lokalit, Suad Shaboviq dhe prindi i njenit nga të vrarët, Llazar Obradoviq, kanë treguar se si dikush e ka hapur derën me shkelma, kanë bërtitur si bishat dhe kanë hapur rafale të shtënash, pas të cilave dëgjohej piskama e viktimave të cilët kërkonin ndihmë, shihej gjak dhe teneqe fyshekësh. Pasi janë larguar vrasësit, përmes derës së hapur kemi parë se nga oborrii i Gjimnazit “Sveti Sava” ka dalur një veturë “Zastava 128”, me të cilën janë larguar kriminelët.

Momente të tmerrit të përjetuara kanë treguar edhe të plagosurit.

Pasi janë arrestuar, maltretuar e burgosur shumë shqiptarë, gjoja të dyshimtë, prindi i njenit nga viktimat, Lubomir Ristiq, ka treguar se një mik i tij nga SPB  i paska thënë se “ata shqiptarë nuk kanë lidhje me “Pandën”, veçse janë do hajna të pulave”.

Se ishin të bindur që masakrën në “Panda” nuk e kanë kryer shqiptarët, merret me mend nga deklarata e Zoran Stanojeviqit, baba i  njenit nga viktimat, i cili u kishte thënë kolegëve shqiptarë me të cilët kishte punuar në ShKSh, se “janë të mirëseardhur në shtëpinë e tij për t’i shprehur ngushllime, ngase e di se kush ia ka vrarë djalin”!

Prindërit e fëmijëve të vrarë, individualisht  dhe përmes shoqatës së tyre kanë kërkuar në të gjitha institucionet e shtetit të dijnë se kush ua ka vrarë fëmijët dhe çfarë ka ndërmarrë shteti kundër kriminelëve, por gjithnjë kanë hasur në “mur të heshtjes”, askush nuk iu ka dhënë informacione. I zhgënjyer nga institucionet e shtetit, njeni nga prindët e të vrarëve (Llazar Obradoviq) thotë se po të donte shteti të zgjidhte rastin, do ta kishte zgjidhur, ose do të thoshte se kryesit e vrasjes nuk mund t’i kapë sepse janë Shqiptarë, ose të pranonte se krimin e kanë kryer shërbimet e shtetit dhe nuk është me interes të zbulohen! Nëna e njenit të të vrarëve (Millena Radeviq), ka thënë se nga një vend me ndikim i kanë thënë asaj se “më së miri është që këtij rasti t’i vehet pikë”! “Në fillim të vitit 1999, shkuam në Beograd, sepse na premtuan se do të na pranojë Sllobodan Millosheviqi ose Nikolla Shainoviqi, por asnjeni nuk na pranuan. Pas lufte kemi kërkuar të na pranojë Millan Millutinoviqi ose Vllajko Stojilkoviqi, por as ata nuk na pranuan. Pas 5 tetorit 2000, na ka pranuar Vojisllav Koshtunica, i cili na ka premtuar se do ta angazhojë Agjensionin e Sigurimit Ushtarak, në krye me Rade Bullatoviqin, që ta hetojë rastin, por as prej atij premtimi nuk doli asgjë, ndërsa nga një bisedë që patëm me Mille Novakoviqin, ai nuk e përjashtoi mundësinë që masakrën ta kenë kryer serbët, ka thënë Ristiqi, që është njeni nga prindët e të vrarëve. “Provokimin më të poshtër e kemi përjetuar në kohën e qeverisjes Tadiq-Daçiq. Daçiqi as ka dashur të na pranojë, kurse Tadiqi na ka drejtuar te këshilltari i tij për çështje të Kosovës, Branko Radujko. Kemi shkuar njëzet veta te Radujko, dhe kur na pa aq shumë, së pari na pyeti: për ke do të votojmë! Na kishim shkuar për shkak të vrasjes së fëmijëve tanë, kurse ai na pyeti për vota”, ka thënë Zvonko Gvozdenoviq, babai i Vukotës së vrarë!

Avokati nga Bjelina që ka hy më thell në gjurmët e krimit në “Panda”

Askush nuk e beson se organet kompetente të shtetit të Serbisë nuk e dijnë saktë se kush ka urdhëruar, kush e ka organizuar dhe kush e ka kryer krimin e vrasjes në “Panda”, por ato nuk bëzajnë mësa peshku. Më  thell gjurmëve të këtij krimi iu ka hyrë avokati nga Bjelina, Dushko Tomiq, i cili publikisht (“Novosti” 05.05.2015) e ka akuzuar ish-kryeshefin e Sigurimit të Shtetit, Radomir Markoviq, se ky qëndron pas vrasjes së të rinjëve në kafenenë “Panda” në Pejë. Avokati Tomiq, edhe vet dikur ka qenë zyrtar i lartë i Shërbimit të Kundërzbulimit në policinë federale të Jugosllavisë. Akuzën e tij Tomiqi e mbështetë në një shënim që ka marrë më 11 qershor 2004 nga Cvijetin Milinkoviqi, i cili ka qenë udhëheqës i një sektori të Sigurimit të Shtetit në Kosovë. Milinkoviqi i ka treguar avokatit Tomiq, se vrasjen e djemëve në “Panda” e kanë kryer pjesëtarët e JSO-së, sipas urdhërit të shefit të atëhershëm të Sigurimit të Shtetit, Rade Markoviq, dhe kjo, e vrasje tjera, janë  bërë “për interesa të larta”.

I apostrofuari Rade Markoviqi e ka paditur avokatin Tomiq për shpifje. “Para fillimit të séancës gjyqësore, plot dy orë kemi biseduar në katër sy me Markoviqin. Më ka treguar disa gjëra, nga të cilat “jam ngrirë”. Në kohën kur është kryer masakra në “Panda”, JSO nuk ka qenë në kompetencë të Markoviqit, pasi atë njësi e ka marrë në kompetencë të vet ekskluzive ministri i policisë Vllajko Stojilkoviq. Për këtë ekziston aktvendimi. Ka fakte të reja, të cilat m’i ka thënë Markoviqi, por ato nuk dua t’i zbuloj tash deri sa t’i verifikoj dhe të mos alarmohën njerëzit të cilët mund t’i fshehin provat. Ato do t’ua prezentoj organeve kompetente dhe do të kërkoj të dëshmoj në gjykatë për to”, ka thënë avokati Tomiq. Se deri ku do të shkojë në hetimin e ngjarjës enigmatike “Panda”, dhe a do të nxjerrë në shesh të vëretën – është pak e besueshme. Sepse,  vrasjet e fshehta të cilat i kryen vet shteti – nuk hetohen as  nuk zbulohen!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Është një ditë tanimë e rëndomtë, në tendë. Vazhdimisht po bën mot i lig. Edhe …